FISI DHE TI

Me dëshirat e rrënjosuna t’nanës e fisit

theve besën e femnës me andrra jete

kur n’gji veç trishtimin ia dhurove

e n’përqafim le t’i binin gjethe t’thara,

ma t’thara se fjalët tua

për dit’ t’lumtuna me të.

Ia le veç t’marrosunat dëshira

ngase burr’ at’her’ do t’quante fisi,

po fisi s’kisht’ ba ndryshe nga ty

veç urdhna t’rrepta u kisht’ dhan djemve,

e kur nanës i the se t’dashurën e le n’lot

për at’ dita u ba si dita e lindjes tande,

dit’ g’zimi e harreje fisnore.

Nën dëshirat jetike t’sht’pis’ s’bardh’

krenar i dole qiellit me pushk’ n’dor’,

ishe njëjtë me të: “I madh!”.

K’të menonte nana e shkret’ at’dit’,

se ajo nuk dinte puthjen tande

për femnën që s’menoi t’qesh ma,

se e le nën kanune t’rrënjosuna kohe

teksa n’sy t’kishte frymë e jete.

Për nanën ishe bir legjende,

po e shkreta s’t’a kisht’ dëgju’ zemrën

se për fisin, nderin t’than’ me rujt’.

Ajo s’donte djal’ me trëndafila n’dor’,

as djal’ me dhurata t’kuqe n’dehje nate,

n’ty shihte nji trim pushke

n’dor t’cilit femnat e fisit mbronin kryet,

për nanën ishe si rrall’ kush n’bot’,

po e shkreta s’dinte se tjetrës ia dhe besën

kur pran’ kroit ia puthe faqen.

Ajo mbushte uj’ me rrit shtatin,

me u ba e mir’ për ty e der’n e madhe,

nanës faqekuqe me i dal përpara,

ty me t’dhan’ shenjë për dashuni t’madhe,

po nana s’pa se femna s’t’besonte ma

e n’at’ mënyrë, fisit djemt’ ia kishe turpnue.

 

Nga Adelina Xhaferri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button