Paradoks i Maqedonisë së Veriut: Ka të papunësuar, s’ka punëtor

Mbi 100 mijë njerëz në vend janë kërkues aktivë të punës, kurse 60 përqind nga kompanitë janë ankuar që nuk mund të gjejnë kuadër të kualifikuar dhe ballafaqohen me mungesë të krahut të punës, shkruan REL, transmeton Portalb.mk. Punëtorët ankohen që u ofrohen kushte të këqija për punë për pak para, punëdhënësit, në anën tjetër, për punëtor të pakualifikuar.

Kërkojmë banakier, kërkojnë shitës, kërkojmë shofer për taksi, kërkojmë elektroinixhinier, kërkojmë komercialist… Në sajtin e Agjencisë për punësim në këtë moment janë publikuar konkurse për 8.000 vende të lira pune në vend. Pavarësisht a kërkohet pastrues, inxhinier apo mjek, në pjesën dërmuese të konkurseve ofrohet page minimale prej 14.500 denarë.

Oda Ekonomike e Maqedonisë para disa ditëve ka bërë publike që sipas sondazhit të tyre, 60 përqind e kompanive nuk mund të gjejnë kuadro të kualifikuara dhe ballafaqohen me mungesë të krahut të punës. Në të njëjtën kohë, ka pothuaj 190 mijë të papunësuar, prej tyre mbi 100 mijë persona kërkojnë punë në mënyrë aktive.

Punëtorët thonë që kushte e punës që ofrohen janë të këqija, kurse pagat janë të vogla. Punëdhënësit, në anën tjetër, thonë që rrallë gjejnë dikë që di të punojë atë që e kërkojnë.

Ekonomisti 33 vjeçar Zhivko V. nga Shkupi, në 10 vitet e kaluar ka ndërruar 6 vende pune dhe nga secili vend pune ka marrë rekomandim që është punëtor i mire. Ka punuar pothuaj gjithçka – nga punëtor magazine, prej komercialistit deri në kontabilist. Mund të përparosh në punë, por rrallë kur kjo pasqyrohet në pagë, thotë ai. Më së shpeshti është larguar nga firmat për shkak se kushtet për punë nuk kanë qenë sipas marrëveshjes.

Vende të lira pune

“Tjetër është biseda në intervistë, kurse ndryshe është pasi të vendosen marrëdhëniet e punës. Për shembull, të premtojnë që si komercialist do të të japin veturë zyrtare, kurse e përdor veturën tënde. Nuk je i paraqitur me orar të plotë pune, por me gjysmë dhe të japin një minimum prej 12 mijë denarë. Në vend që nga 8 orë, siç është marrëveshja, punohet nga 10 orë, kurse askush nuk ta paguan kohën jashtë orarit”, thotë ai.

Nga ana tjetër, biznesmeni Mirçe Çekrexhi thotë që pagat në Maqedoni nuk mund të jenë sikur në Gjermani, mirëpo problem është më i ndërlikuar se ajo. Së pari duhet të intervenohet në arsim që të fillojë të prodhojë kuadro të cilat i nevojiten biznesit dhe së dyti Ligji për marrëdhënie pune duhet të bëhet më fleksibil, thotë ai.

“Te ne mund të bëhen një ose dy lloje të punësimeve. Te ne nuk është e lejuar studentët të punojnë nga ndonjë orë, të fitojnë paratë e tyre, pensionistët e kanë të ndaluar të punojnë. Nëse dëshirojnë të punojnë diçka duhet të heqin dorë nga pensioni, që është e pakuptimtë, ato janë paratë e tyre, ata e kanë fituar pensionin. Punë me pjesë nga shtëpia nuk ka formë sit ë bëhet. Ka edhe dhjetëra forma, kurse te ne ose je i punësuar ose je i papunësuar”, thotë ai.

Sipas sondazhit të Odës Ekonomike të Maqedonisë, në anën tjetër, problemi më i madh është arsimi jocilësor dhe joadekuat, mosaktiviteti dhe shpërngulja.

Rreth 13 përqind e firmave janë ankuar që nuk kanë kuadro për shkak se ua marrin firmat tjera.

“Ata që kërkojnë punë janë kryesisht persona me profesione nga shkencat shoqërore dhe nuk mund të gjejnë punë në tregun e punës. Prandaj tendenca shkojnë në drejtim të asaj që të bëhet rikualifikimi i dhe kualifikimi plotësues që të mund të kyçen në procesin e punës. Gjithashtu ata janë persona me arsim të lartë të cilët nuk dëshirojnë të kryejnë punë me kualifikime më të ulëta, megjithëse pagat që ofrohen në kompanitë janë më të larta. Ka kompani të cilat ofrojnë page deri 30 mijë denarë, por nuk mund të gjejnë kuadro për shkak se punëtorët konsiderojnë që për ta është shumë më mire të rrinë në shtëpi, se sa të kërkojnë punë”, ka thënë para disa ditësh Natasha Janevska nga Oda Ekonomike e Maqedonisë.

Sipas analizës së fundit për shkathtësitë e nevojshme në tregun e punës, nga Agjencia për punësim nga viti 2016/2017, ndër profesionet që më së shumti kërkohen janë në informatikë, inxhinierë, ekonomistë, mjekë, elektroteknikë, komercialistë, infermiere, teknikë optikë, rrobaqepës, shitës, punëtorë në ndërtimtari, shoferë, saldues dhe kuzhinierë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button