Shkup, u shënua Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare

Me rastin 21 shkurtit, Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Agjencia për Përdorimin e Gjuhës në Republikën e Maqedonisë së Veriut organizon një konferencë shkencore ndërkombëtare të titulluar “Shumëgjuhësia dhe Sfidat e Zbatimit të Ligjit për Gjuhët në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në konferencë të pranishëm ishin profesorë dhe studiues nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.

Drejtori i Agjencisë për Përdorimin e Gjuhës, Ylber Sela, në fjalimin e tij sqaroi se konferenca do të ketë program të pasur dhe se do të ndihmojë në shkëmbimin e eksperiencave.

“Besoj se edhe sot, në këtë ditë të shënuar në nivel global, 21 shkurti Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare, do të kemi një program të pasur të konferencës, të shoqëruar me mbajtjen e 4 paneleve, të cilat do të përfshijnë fjalime dhe diskutime në lidhje me modelet evropiane të politikave gjuhësore”, tha Sela.

Fjalim përshëndetës kishte edhe ish zv/kryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili theksoi rëndësinë e miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut.

“Miratimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhës Shqipe në Maqedoninë e Veriut para 2 vitesh, mendoj që ka qenë një ngjarje e madhe jo vetëm për të drejtat qytetare dhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por ka qenë një ngjarje e madhe edhe për rajonin”, tha Hoxhaj.

Fjalime rasti kishin edhe zv/drejtori i Agjencisë për realizimin e të drejtave të bashkësive, Xhelo Hoxhiç dhe profesori nga Shqipëria, Rami Memushaj. Ky i fundit theksoi rëndësinë e ruajtjes së gjuhës shqipe kundrejt depërtimeve të fjalëve të huaja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button