Mijallkov dëshmoi për rastin “Monstra”, shumë biseda “nuk iu kujtuan”

Ish drejtori i Policisë Sekrete, Sasho Mijallkov, sot dëshmoi për rastin “Monstra”, gjegjësisht për vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, njofton Portalb.mk.

Prokurorja Fatime Fetai e rikujtoi Mijallkovin për disa biseda që i ka bërë në lidhje me ngjarjet e vrasjes, konkretisht për analizën që ka dëshiruar ta bëjë për ngjarjen pas ngritjes së akuzës, e cila nuk ka qenë punë e drejtorit të DSK-së.

“Pse ka pasur nevojë të bëni analizë, keni dyshuar në rezultatet e juaja?”, e pyeti Fetai.

“Ishte procedurë e rregullt që të bëhen analiza për ngjarje të mëdha”, tha Mijallkov.

“Analizë keni bërë në janar të vitit 2013-të, pasi është dorëzuar akuza”, e rikujtoi Fetai.

“Nuk më kujtohet ajo analizë konkrete”, tha Mijallkov.

“Keni biseduar me Gordana Jankulloskën, bëheni gati që të ftoni edhe njerëz në prezantimin”, vazhdoi ta rikujtojë Fetai në bisedat që i ka bërë 9 muaj pas vrasjes së pesëfishtë, kur hetimi ka mbaruar.

“Nuk mundem të kujtohem, kemi bërë shumë analiza”, përsëriti ai.

“A ju kujtohet që, derisa ka zgjatur hetimi, keni biseduar me Musa Xhaferin më 10.10.2012? Ju pyet për dëshmitar në procedurë gjyqësore. I thoni se nuk jeni në rrjedha, do të kontrolloni. Si kontrolloni ju procedurë gjyqësore? Si mundeni nga pozita e drejtorit të Policisë Sekrete të kontrolloni dëshmitarë në procedurë gjyqësore dhe pse juve ju pyesin kur gjykimi është publik?”, kërkoi sqarim Fetai nga Mijallkovi në kontekst të pastrimit të dyshimeve të cilat i kanë katër të akuzuarit se shërbimet e huaja kanë qenë të përziera.

“Me të vërtetë nuk më kujtohet. Por nga ky transkript i bisedave që ma lexoni, përgjigjen e kam dhënë atje, se nuk jam në rrjedha”, tha Mijallkov.

Në pyetjen e mbrojtësit të të dëmtuarve, nëse i ka thënë Jankulloskës se Blerim Bexheti nuk dëshiron të nënshkruajë dhe dërgojë kërkesë për ekstradim të të arratisurve Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq, Mijallkov tha se nuk i kujton një bisedë e tillë.

Pastaj pyetje i ka parashtruar edhe mbrojtja për detalet nga bisedat që i ka bërë atëherë, për emrat që i ka përmendur, por dëshmitari sqaroi se ajo është këmbim i informatave, në zbulimin e të cilave kanë marrë pjesë edhe DSK, por se hetimin e ka udhëhequr Byroja për Siguri Publike dhe prokurori, i cili në fund i ka vlerësuar ato prova dhe informata.

Sipas Mijallkovit, Byroja për Siguri Publike, e ka udhëhequr rastin, ndërkaq Policia Sekrete ka mbledhur vetëm informata.

Sot dëshmojnë edhe, ish këshilltari i presidentit Gjorge Ivanov për Siguri Nacionale, Sinisha Aleksovski, ish zv/kryeministri për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi dhe ish ministri i Drejtësisë dhe kryetari aktual i Sarajit, Blerim Bexheti.

Thirrja ish funksionarëve të lartë të qeverisë me të cilën ka udhëhequr Nikolla Gruevski, vijon pasi që palët në gjykim kanë dyshime se pushteti ka qenë i përzier në këtë rast ku u vranë në mënyrë mizore 4 djelmosha të rinj dhe një peshkatar.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button