Ëndrra e fundit e Ali Podrimjes

U bënë vite qëkur i kam njoftuar miqtë e mi se kam në dorë dorëshkrimin e Antologjisë së poezisë së sotme shqipe, të përgatitur nga poeti i madh Ali Podrimja me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Mjerisht, Aliu nuk arriti ta botojë atë me gjallje në versionin që donte ta botojë…

Lidhur me projektin në fjalë, vitin e fundit të jetës së Tij kemi shkëmbyer qindra letra, të cilat ndoshta është mirë të jenë pjesë e Antologjisë, që shpresoj të botohet gjatë këtij viti. Por, gjersa të ndodh kjo, për lexuesit e PortAlb-it, po publikoj sot disa fragmente të shkëputura prej letrave të mikut tim të shtrenjtë Ali Podrimjes, sa për të kuptuar rëndësinë që kishte për Të botimi i Antologjisë në shqip e frëngjsht dhe fundin e jetës, të cilin ashiqare e parandjeu…

*

12 dhjetor 2011

I dashur Fatmir,
Dua ta përgatis një antologji e poezise shqipe, ku, me ndihmën tënde, do të përfshihen edhe poetët e hapësirës suaj, si: Salajdini, Lindita, Lulzimi, Shazimi, Nehasi… Antologjia do të përkthehet në gjuhën frënge dhe do të lexohet edhe nga lexuesit francezë e belgë. Numri i poetëve do të shtohet, pasi aty do të prezantohen dhe poetë nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova. Pra, do të jetë një libër mjaft voluminoz. Kam besim se antologjia do të na nderojë të gjithëve…

Të fala e çdo të mirë miku im, Fatmir!

*

22 dhjetor 2011

I dashur Fatmir,
Po ta dërgoj poezinë: Atdheu dhe çizmja. Libri do ta mbajë titullin Nën flatrat e shqiponjës. Besoj se titulli do të pëlqehet edhe nga lexuesit e huaj.
Faleminderit për çdo gjë që bëre për librin dhe rrnofsh! Ke treguar shoqërinë tonë të vjetër dhe ke kontribuar për librin më të ri që do ta botojë Aleksander Zoto, në gjuhën frënge, duke i falënderuar ndihmës materiale të mikut tonë të përbashkët…
Nesër do të jem në Tetovë. Shihemi në restoranin Arbi.

*

28 dhjetor 2011

I dashur Fatmir,
Perkthyesit e njohur Francis Chenot dhe Vasil Capeqi po bëjnë përpjekje të hatashme mbi të gjitha për cilësinë e përkthimit të poezisë shqipe në frengjisht. Ju personalisht dhe Edi Shukriu në Kosovë, Xhevahir Spahiu, Flutura Açka dhe poetë të tjerë në Shqipëri na njihni mirë… Mbasi të sqarohen punët rreth antologjisë, unë e Vasil Capeqi, bashkë me kritikun e shquar freng Francis Chenot do ta bëjmë renditjen e poetëve dhe do të heqim ndonjë lëshim eventual. Numri i poetëve do të shtohet edhe me krijues nga Çamëria dhe diaspora. Mbesim me shpresë se antologjia do të ketë sukses dhe do të ndahemi faqebardhë me punën tonë. Qëllimi i këtij libri është që fjala shqipe të depërtojë edhe atje ku vështirë degjohet.
I dashur Fatmir, të lutem bjer në kontakt me Vasil Capeqin (adresën e tij elektronike ta dërgova), me të cilin do të bisedoni për vlerat që ua ofrojmë lexuesve evropianë.
Të fala e çdo të mirë, vëllau yt Ali Podrimja.
*

7 janar 2012

I dashur Fatmir,
100-vjetori i paravërsisë së Shqipërisë trokiti në portat tona dhe antologjia do të bëhet patjetër. Ty të falënderoj për përzgjedhjen e poezive të bukura të poetëve të anës suaj. Kjo tregon se ti ke një dashuri të veçantë për fjalën e bukur dhe nderin kombëtar.
Në fund, vllau të përshëndet dhe të dëshiron çdo të mirë ty, Viganit dhe gjithë familjes tënde!
Aliu

*

13 janar 2012

I dashur Fatmir,
Unë do të bëj çmos të vij të mërkurën ose të enjten dhe do të takohemi në restorantin Arbi. Jam tepër i dërmuar dhe i lodhur, por duhet ta kryej punën e nisur, edhe pse jam i sëmurë dhe i rraskapitur. Do të bëj përpjekje që të pijmë në fund dhe një kafe.

Të fala familjes e çdo të mirë për Ty!

*

16 janar 2012

I dashur miku im Fatmir Sulejmani,
Të gjithë mund t’i harroj, por Ty e kam vështirë të të harroj. Unë kam shpresë se punën që do ta bëjmë ne do të jetë e nderuar nga të nderuarit. Pra, më gëzojnë këto fjalë që i thua për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe kam shpresë se krijuesit si Ti e ca të tjerë mund të bëjnë shumë për të mirën e Shqiptarisë. Pres bashkëshorten të shkojë te djali në Amsterdam dhe të zbres te Ti në Tetovë. Të them të vërtetën më ka marr malli. Të fala e çdo të mirë, mik i dashur!

*

17 janar 2012

I dashur vëlla Fatmir Sulejmani,
Pak më parë më arritën dy poezi të shkurtëra, por domethënëse të Ilaz Bobait, të cilat është mirë që t’i botoni. Ato janë: Harta e Kosovës dhe poezia Para varrit të familjes së Adem Jasharit. Dua të të tregoj se Ilaz Bobai është edhe përkthyes në gjuhën greke. Ai vazhdon të përkthejë një antologji të poezisë shqipe në greqisht. Aty jeni dhe ju të gjithë. Kryesore zëri të na ndëgjohet dhe të ecim përpara. Pra ne bëjmë çmos ta pushtojmë hapësirën.

Mirupafshim vëlla i nderuar dhe të fala shokëve!

Ja poezitë e Iliaz Bobajt:

HARTA E KOSOVËS

Përvijim lirie, lindur prej ëndrrës…
Si një flamur që valvitet
mbi supet e Nënës…

PARA VARRIT TË FAMILJES SË ADEM JASHARIT

Pranë njeri-tjetrit rrimë të dy palët.
Flasin të vdekurit.
Heshtin të gjallët.

Megjithatë unë do të vij në Tetovë nja dy ditë, që të bisedojmë për ndonjë hall tonin krijues si dhe për qytetërimin tonë. I dashur Fatmir, kurrë më shumë nuk kam qen i lodhur se këto ditë, ndoshta nga gripi por dhe nga shumëçka tjetër…

*

30 janar 2012

I dashur Fatmir,
U bë ca kohë nuk të kam shkruajtur, sepse na ndau të ftohtit dhe bora e madhe që ra në Kosovë dhe Maqedoni. Besoj se punët rreth shkrimeve që jam duke i tubuar për antologjinë do të shkojnë mirë dhe do të takohemi pasi t’ia kthejmë shpinën dimrit. Po Vigani si është dhe si ma ke qejfin Ti, miku im? Faik Konicën ta kam lexuar deri te faqja e fundit dhe më ka pëlqyer shumë.

Unë do të përpiqem të vij në Tetovë. Gjithmonë kur kam zbritur në Tetovë e kam ndjerë veten tepër të lumtur, sepse Tetova ma kujton ekzodin e madh, kur mijëra shqiptarë zunë vend nëpër shtepitë e tetovarëve. Kjo ishte diçka shumë njerëzore, sepse vëllau për vëllanë bënte atë që mundte.

Të fala e çdo të mirë!

*

31 janar 2012

I dashur Fatmir,
Më është dashur t’i fotokopjoj poezitë e disa poetëve dhe t’i kem gati për Tetovë. Antologjia do të jetë e klasit të parë. Fjalën kryesore do ta shkruani Aliu dhe Ti, sepse është në pyetje 100-vjetori i pavarsisë së Shqipërisë. Kam shpresë se askush nga ne nuk do të kursejë asgjë…

I dashur Fatmir, besoj se nga dita e premte do të zbres në Tetovë për t’i takuar miqtë e mi të hershëm. Do të vij në Tetovë të ju shoh juve dhe të marr pakës ajër të Sharrit, ku pata kaluar plot dy javë në ekzod. Ti ndoshta e ke vërejt këtë edhe në poezitë e fundit që t’i dërgova…

Të fala e çdo të mire nga yt mik e vella Aliu.

*

5 mars 2012

I dashur Fatmir dhe mik i vjetër,
Nuk do të ik nga kjo botë pa botuar ndonjë libër tëndin, Lulit dhe Salajdinit në ndonjë gjuhë europiane. Këtë e them me gjithë zemër, sepse edhe unë jam nga ata që i njoh shumë botues të huaj. Për mua do të ishte kënaqësi që autorët e anës suaj të vërrshojnë edhe në Evropë. Nuk di pse frikësohen ca skribomanë rreth paraqitjes së krijuesve nga Tetova apo nga Kosova, por kjo është nder për letrat shqipe…

Të fala dhe çdo të mirë Ty e shokëve tu të gjeneratës. Me respekt e dashuri ju përshëndes të gjithëve, sepse jeni ai shpirti ynë që i hap ato flatra të Shqiponjës mbi Sharr.

Ali Podrimja

*

24 maj 2012

I dashur Fatmir,
Moti nuk të kam dëgjuar dhe nuk e di si i ke punët. Kam shpresë se Ti do të ecish përpara… Unë pakës jam molisur por do e mund edhe të keqen, se jam ai qe kam kërcyer e kam qen shampion i notit nga Ura e Fshejtë.

Të fala e çdo të mirë në shtëpi!

Aliu

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button