Tiranë, vijon reforma zgjedhore në tryezën e partive

Në Tiranë, pozita dhe opozita u takuan përsëri të enjten për reformën zgjedhore. Kjo është sot e vetmja temë, që ato po diskutojnë mes tyre.

Ndërkohë organizata të rinjsh zhvilluan një protestë para kryeministrisë për kushtet e jetesës në universitete, për papunësinë dhe emigrimin.

Socialistët dhe opozita diskutuan sërish sot në forumin politik për reformën zgjedhore.

Opozita shkoi në takim me paketën e gjashtë të propozimeve për të rregulluar Kodin Zgjedhor, ndërsa pritet edhe një e shtatë mbi financimin e partive politike, transmeton VoA.

Paketa e sotme kishte të bënte me të drejtën e qytetarëve për t’iu drejtuar një gjykate të paanshme dhe të pavarur në procesin zgjedhor.

“Paketa propozon pezullim të vetingut për gjykatësit gjatë zgjedhjeve me qëllim mbrojtjen e tyre nga presioni politik. Paketa është në zbatim të rekomandimeve prioritare të ODIHR. Me të mbaruar mandatin si gjykatës për zgjedhjet, ata i nënshtrohen të gjitha rregullave të kontrollit të vettingut. Paketa nuk i jep askujt, në asnjë moment imunitet nga ndjekja penale për korrupsion apo për çdo lloj krim tjetër. Qeveria pati një reagim të fortë kundër, sepse do që të vazhdojë të kontrollojë mekanizmat, me të cilët ata sot kapin gjyqësorin dhe ushtrojnë presion, përfshi edhe mbi Kolegjin Zgjedhor” – tha Oerd Bylykbashi, përfaqësues i Partisë Demokratike.

Opozita tha se kjo është një temë themelore për të arritur kompromisin, ndërsa socialistët pohuan se ishin të gatshëm që të gjejnë kompromis duke respektuar parimet kushtetuese dhe produktet e reformës në drejtësi.

“Me keqardhje konstatoj se disa prej propozimeve kërkojnë rishikim sepse nuk mund të vënë në pikëpyetje te gjithe reformën në drejtësi apo të krijojnë një sistem “sui generis” që të jetë i imunizuar nga ajo çka po ndodh, pra nga Reforma në Drejtësi. Ne jemi të gatshëm që të gjejmë kompromis por duke respektuar parimet kushtetuese dhe produktet e reformës në drejtësi. Hallet politike me drejtësinë nuk duhen kthyer dhe në tryezën e reformës zgjedhore. Ne diskutuam edhe në lidhje me çështje të tjera për të cilat jemi duke gjetur kompromis, siç janë shqetësimet e opozitës për rolin e Policisë së Shtetit. Jemi duke progresuar për disa çështje, por nga ana tjetër gjërat principale në lidhje me organizimin kushtetues dhe rendin kushtetues në këtë vend, ne nuk mund t’i vëmë në pikëpyetje për shkak të disa shqetësimeve politike që ka një forcë e caktuar politike” – tha Damian Gjiknuri, përfaqësues i Partisë Socialiste.

Opozita nxori një tjetër deklaratë pas komenteve që zoti Gjiknuri dha për shtypin, duke i quajtur si shenja që shumica po mundohet të bllokojë reformën zgjedhore dhe PS të vazhdojë të blejë vota me shkelësit e ligjit.

“Qëndrimet e PS në reformë synojnë që vjedhjes së zgjedhjeve t’i vendosin vulën e gjykatësve që kanë vënë nën thundër dhe presion politik me vetingun, siç e thotë troç ODIHR në raportin përfundimtar për 30 qershorin 2019. OSBE/ODIHR e tha qartë se me 30 qershor 2019 votimet u kryen pa marrë në konsideratë interesin e zgjedhësve për të zgjedhur të lirë dhe në fshehtësi dhe për pluralizëm demokratik. Opozita e bashkuar, në përputhje me angazhimin e saj publik ka bërë propozime që synojnë të mbrojnë votën e shqiptarëve nga kriminelët dhe të korruptuarit që rrethojnë Edi Ramën. Propozimi i Opozitës së Bashkuar për një qeveri kujdestare pa Edi Ramën ‎është garancia që masat e reformës zgjedhore nuk mbeten vizatime në letër, por garantojnë realisht interesin e zgjedhësve shqiptarë. Opozita nuk pranon reformë farsë por vetëm një reformë zgjedhore të vërtetë” – thuhet në deklaratën e PD-së.

Ndërsa opozita dhe socialistët debatonin përreth tryezës së reformës zgjedhore pak metra më tutje organizata studentore dhe forumi rinor i partisë demokratike zhvilluan një tubim para kryeministrisë, duke kujtuar përvjetorin e rrëzimit të monumentit të diktatorit komunist Enver Hoxha.

Studentët protestuan për varfërinë dhe kushtet e vështira të studimit në universitete, si dhe për emigrimin masiv të rinisë nga Shqipëria, e mbetur pa shpresë për punë dhe pa mirëqenie.

Krahas përvjetorit të rrëzimit të monumentit të diktatorit Enver Hoxha në qendër të Tiranës pas grevës së urisë së studentëve në 1991, Shqipëria ka tani edhe një vjetorin e largimit të opozitës nga parlamenti dhe djegies së mandateve.

Vendin e deputetëve të saj e zunë formalisht emra të tjerë që vijonin në listë, ndërsa shumica socialiste vazhdon të miratojë ligjet e pashqetësuar nga asnjë debat, oponencë apo polemikë opozitare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button