Greqia ia kërkoi Britanisë artefaktet e vjedhura edhe në negociatat e Brexitit

Mosmarrëveshja e kahershme midis Britanisë dhe Greqisë për thesaret e lashta ka nxitur tensione mbi Brexitin pas kërkesës për rikthimin e artefakteve të vjedhura kulturore, që iu shtua draftit të mandatit negociues të Bashkimit Evropian, transmeton Koha.net.

Muzeu Britanik në Londër ka refuzuar të rikthejë mermerët e Parthenonit, skulptura 2500-vjeçare që diplomati britanik, Lord Elgin, i mori nga Athina në fillim të shekullit të 19-të, kur Greqia ishte nën sundimin osmano-turk.

Një draft i qëndrimit të 27 shteteve të BE-së në negociatat me Britaninë për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen, që është parë të martën nga “Reutersi”, kërkon “rikthimin apo dëmshpërblimin e sendeve kulturore të marra paligjshëm nga vendet e tyre të origjinës”. Dokumenti nuk ka zënë në gojë objekte kulturore.

Sidoqoftë, një diplomat i BE-së ka thënë se kjo pjesë është shtuar me kërkesë të Greqisë, e mbështetur nga Italia.

Por të mërkurën Greqia është distancuar nga ajo se pretendon që rikthimin e këtij thesari ta përfshijë në negociata për Brexitin. Zëdhënësi i Qeverisë së Greqisë, Stelios Petsas, ka thënë se Athina do ta vazhdojë fushatën për rikthimin e artefakteve 2500 vjet të vjetra dhe do të shqyrtojë mënyrat se me çfarë mjetesh do ta bëjë këtë. “Kërkesa e Greqisë për rikthimin e mermerëve të Parthenonit mbetet e fuqishme, por nuk lidhet me marrëveshjen e Brexitit”, ka thënë Petsas.

Ministri grek i Kulturës ka thënë muajin e kaluar se Athina do të nisë fushatën e saj për rikthimin e mermerëve të Parthenonit nga Londra dhe pret të fitojë më shumë mbështetje nga simotrat evropiane, pasi Brexiti zbeh ndikimin britanik.

Muzeu britanik thotë se mermerët që zbukuronin tempullin e Parthenonit në shekullin e pestë para erës sonë, u morën nga Elgini me një kontratë legale me Perandorinë Osmane. Greqia ngul këmbë që ato janë vjedhur.

Zëdhënësja e Qeverisë britanike, duke komentuar draftin e dokumentit të BE-së, ka thënë se pozicioni i Mbretërisë së Bashkuar mbi skulpturat mbetet që ato janë “përgjegjësi legale e Muzeut Britanik”.

“Kjo nuk është për diskutime si pjesë e bisedimeve tona tregtare”, ka thënë zëdhënësja në një deklaratë.

Britania ka lënë Bashkimin Evropian më 31 janar, më shumë se tre vjet pasi ata votuan në një referendum.

Retorika mes Londrës dhe Brukselit mbi marrëveshjet për marrëdhëniet e tyre në të ardhmen është rritur gjatë këtij muaji, në prag të negociatave që pritet të nisin në fillim të marsit.

Një burim në BE, që ka refuzuar të japë emrin për shkak se diskutimet në mandatin negociues janë konfidenciale, ka thënë se referenca për artefaktet e vjedhura është përfshirë në draftin e mëhershëm të dokumentit gjatë javës së kaluar.

Burimi ka thënë se referenca gjithashtu ka pasur mbështetje nga Qiproja dhe Spanja dhe që, duke lënë anash shqetësimet e Greqisë mbi skulpturat, vendet e BE-së janë më shumë të brengosura në lidhje me tregtinë e paligjshme të artefakteve nëpërmjet shtëpive të ankandeve në Londër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button