Edhe një deponi në Tetovë, qeverisja lokale e pasuksesshme në fushën e ambientit jetësor (VIDEO)

Qilima, mobilje, televizorë e shumë mjete tjera shtëpiake mund të gjenden në pjesën e poshtme të Lumit Shkumbin. Në këtë lagje jetojnë dhjetëra banorë, të rrezikuar nga era e keqe që kundërmon si pasojë e deponisë së krijuar aty. Nga Komuna e Tetovës nuk kanë zgjidhje konkrete, ata thanë se ky problem vjen si pasojë e qytetarëve të pandërgjegjshëm, njofton Portalb.mk.

Komuna e Tetovës nuk ka arritur të jetë e suksesshme në shumë fusha që kanë të bëjnë me ambientin jetësor, edhe pse të gjitha nga këto qytetarëve ua garanton ligji për veprimtari komunale. Ligj ky, që asnjëherë nuk është respektuar në tërësi nga shumica e komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Edhe pse shpesh here ekspertët e kësaj fushe kanë deklaruar se deponitë e tilla janë rrezik real për përhapjen e epidemive të ndryshme, asnjë institucion qoftë lokal apo qendror nuk ka ndërmarrë masa për zgjidhjen e kësaj problematike, të paktën jo në qytetin e Tetovës.

Deponia në "Lagjen e Romëve", Tetovë.
Deponia në “Lagjen e Romëve”, Tetovë.

Deponia të cilën e vizitoi sot Portalb.mk ndodhet 700 metra në vijë ajrore nga Komuna e Tetovës, në këtë lagje ka dhjetëra banorë, çdo ditë e më shumë të rrezikuar nga sëmundjet e ndryshme që mund tju vijnë si pasojë e kësaj deponie.

 

 Inspektorati ekologjik i padobishëm

Portalb.mk me vite ka shkruar për fenomenin e mosgjetjes së autorëve të djegjes së mbeturinave në Tetovë, dhe krijimit të deponive si kjo e fundit, numri i personave të cilët e kanë për detyrë t’i gjejnë dhe sanksionojnë këta persona është 4, shifër kjo që është jashtëzakonisht e vogël për një qytet me rreth 70,000 banorë.

Disa nga rastet për të cilat autorët ngelën të pazbuluar, si pasojë e paaftësisë të inspektoratit ekologjik janë djegia e deponisë së Tetovës, djegia e mbeturinave te lagjet “Bllok 70” dhe “Dardania” , djegia e mbeturinave në “Lagjen e romëve”, si dhe shumë tjera të cilat qytetarët vazhdimisht i denoncojnë në “E-report” për arsye se numri i vendosur në webfaqen e Komunës (0800-55-043) për denoncimin e këtyre rasteve, është jofunksional.

Komuna e Tetovës

Edhe pse në bazë të Ligjit për Veprimtari Komunale, komunat e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë të detyruara që të pastrojnë vendet ku ka mbeturina, në mënyrë që të ruajnë mirëqenien e qytetarëve. Kjo nuk ka ndodhur me deponitë që janë në këtë qytet.

Deponia në "Lagjen e Romëve", Tetovë.
Deponia në “Lagjen e Romëve”, Tetovë.

Vitin e kaluar për Portalb.mk, nga kjo komunë na thanë se kjo deponi pastrohet çdo vit. Megjithatë, në bisedë me banorë e kësaj lagje, ata thane se hera e fundit që ata mbajnë mend të ishte pastruar kjo deponi, ka qenë viti 2015.

Kësaj radhe, nga Komuna e Tetovës fajin për këtë deponi e hedhin te qytetarët e pandërgjegjshëm, dhe se ky problem mund të zgjidhet vetëm me shpërnguljen e romëve nga aty.

“Ky problem mund të zgjidhet vetëm me zhvendosjen e romëve nga aty dhe mos të mbledhin më shishe plastike, alumin dhe të djegin kabllo për bakër. Në këtë vend është krijuar pothuajse deponi për shkak të njerëzve të pandërgjegjshëm të cilat mbeturinat i hedhin aty. Ndërmarrja publike komunale (NPK) ka intervenuar disa herë, do të intervenon përsëri”  thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Megjithatë, edhe pse deklaratavisht kompetentët vazhdimisht kanë fajësuar qytetarët për krijimin e deponive të tilla, ata asnjëherë nuk kanë ndërmarrë ndonjë masë sanksionuese apo parandaluese në mënyrë që raste të tilla të mos ndodhin më. Madje, për një vit të tërë, Inspektorati Ekologjik i Tetovës ka shqiptuar vetëm 15 dënime.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button