RMV, premtimet që nuk u mbajtën për reformat në administratë

Rezultatet nga premtimi i qershorit të vitit 2017-të nga ministri i Shoqërisë Informatike, dhe Administratës, Damjan Mançevski, se do të ketë riorganizim në administratë nuk do t’i shohim në këtë mandat qeveritar. Sipas ministrit, këtë po e pengojnë zgjedhjet e 12 prillit, pasi që në këtë periudhë nuk mund të ndërmerren aktivitete, pasi që do të shkelej Kodi Zgjedhor, njofton Portalb.mk.

“Nuk do të ketë shkarkim nga administrata shtetërore, por do të bëhet riorganizim për efikasitet më të madh”, kjo ishte deklarata e Mançevskit11 qershor të vitit 2017-të, i cili i paralajmëroi reformat në administratë, megjithatë, rezultatet e premtuara, tani thotë që do të shihen pas zgjedhjeve edhe pse ka deklaruar se “qytetarët do t’i shohin reformat deri në fund të vitit 2019-të“.

Përpara një muaji për Portalb.mk, Mançevski tha se transferimet e para të të punësuarve nga sektori publik në sektorin privat, që është një pjesë e reformave për optimizim  dhe rritje të efikasitetit të administratës, pritet të ndodhin pas zgjedhjeve të 12 prillit.

“Për shkak të periudhës parazgjedhore, transferimi i të punësuarve nga sektori publik në atë privat nuk do të ndodh. Çdo lëvizje në sektorin publik është e ndaluar prej ditës së shpalljes së zgjedhjeve, gjegjësisht prej 12 shkurtit. Këtë ne po e bëjmë gjatë kohë dhe ky është projekt për të cilin duhet të kemi jo vetëm konsensus politik, por edhe shoqëror. Askush të mos frikësohet nga kjo pasi që askush nuk do të dalë i dëmtuar nga kjo punë”, tha Mançevski.

Të njëjtën e përsëriti dhe sot, pasi është shpërndarë Kuvendi, dhe në kohë kur së shpejti do të fillojë fushata zgjedhore dhe qytetarët do të duhet që më 12 prill të vendosin se kush do të udhëheqë me shtetin në 4 vitet e ardhshme.

Pas zgjedhjeve ai gjithashtu e la edhe projektin për riorganizim të institucioneve.

“Që të ndryshojë diçka në cilin do institucion, përkatësisht të bashkohet, hiqet apo të vendoset diçka e re, duhet të ndryshohet Ligji për organizim të organeve në administratën shtetërore, i cili miratohet me shumicë prej dy të tretave, e më pas do të harmonizohen edhe ligjet individuale”, përkujtoi sot Mançevski.

Gjithashtu problem i administratës publike është edhe numri i madh i institucioneve. Maqedonia ka gjithsej 1.299 institucione shtetërore, numër ky që konsiderohet tepër i lartë dhe që i kushton shumë arkës së shtetit. Paralajmërimet nga pushteti janë se do të zvogëlohet numri i institucioneve, nëpërmjet shuarjes së institucioneve që nuk kanë të punësuar, por edhe nëpërmjet bashkimit të institucioneve që kanë kompetenca të ngjashme apo të njëjta.

Nga ana tjetër, ndonëse pritej që paralelisht me reformat në administratën publike, sipas rekomandimeve të ekspertëve numri i të punësuarve në sektorin publik të ulet, megjithatë numrat zyrtarë tregojnë që i njëjti është rritur. Autoritetet arsyetohen se punësimet kanë qenë të domosdoshme. Numri i të punësuarve në sektorin publik deri më 31 dhjetor të vitit 2018-të, është 132.068 të shpërndarë në 1.314 institucione.

Reformat në administratë janë një prej kushteve kryesore për Maqedoninë e Veriut në bisedimet të cilat pritet që së shpejti t’i fillojë me BE-në.

E rikujtojmë ministrin Mançevski se në kohën kur erdhi në pushtet, ky sektor kishte nevojë për departizim, rritje të efikasiteti, të zvogëlohet numri i madh i të punësuarve, të ulet numri i madh i institucioneve, të bëhen punësimet sipas meritokracisë, të ketë shërbime të shpejta, efikase dhe cilësore, të bëhet nivelizimi i pagave dhe kishte nevojë për formimin e një akademie për administratë.

Megjithatë, sot kur ministri thotë se i ka “duart e lidhura” nga zgjedhjet, e rikujtojmë se nuk ka rezultate konkrete për departizim të administratës, rritje të efikasitetit, numri i të punësuarve madje është rritur, numri i institucioneve ka mbetur i njëjtë, punësimi vazhdon të bëhet në formën e vjetër, shërbimet janë po të njëjtat, nuk janë nivelizuar pagat, e as që është biseduar për formimin e një akademie të administratës. Për këtë edhe ka vazhduar trendi i pakënaqësisë së qytetarëve për punën e administratës publike.

Ministri gjithashtu e rikujtojmë se ai në postin e tij është që të realizojë premtimet në kuadër të mandatit. Kur e mori postin, ai nuk ka thënë që pas zgjedhjeve do t’i bëjmë reformat, por se do të shohim rezultate, madje deri në fund të vitit 2019-të ose në fillim të vitit 2020-të.

“Rezultatet e dukshme, qytetarët do t’i shohin nga fundi i vitit 2019-të, të presim se çfarë do të thuhet në raportin e Komisionit Evropian. Vjet kemi pasur raport të mirë, sivjet të shohim. Tani jemi në proces të rioriganizimit të tërë sistemit, rregullimin e gabimeve sistematike të cilat janë bërë me dekada dhe me këto asnjëherë askush nuk është marrë”, tha Mançevski, më 5 mars 2019.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button