Motivi

Ekstremizmi i së djathtës së skajshme është diçka botërisht e njohur, dhe me këtë fenomen kanë problem serioz edhe demokracitë më të zhvilluara perëndimore. Sulmi i mbrëmshëm në qytetin Hanau në Gjermani ku një person gjuajti me armë zjarri në dy lokale dhe la të vdekur 11 persona u karakterizua nga autoritetet e atjeshme si sulm terrorist i kryer nga ekstremist djathtist për motive ksenofobike.

Nga ajo që mund të lexohet në lajme për këtë ngjarje më bëri posaçërisht përshtypje deklarata e Peter Bojt, Ministër i brendshëm i shtetit Hese ku edhe kishte ndodhur krimi, i cili theksoi që e vetmja gjë që është e njohur tani për tani lidhur me këtë rast është motivi ksenofobik i sulmit, ndërsa gjithçka tjetër është duke u hetuar.

Kjo deklaratë është shumë e rëndësishme për t’u kuptuar qasja shumë e ndryshme ndaj krimeve të urrejtjes në vende të ndryshme të botës. Krimet e urrejtjes karakterizohet posaçërisht me atë që janë krime me mesazh të qartë. Mesazhi në sulmin e mbrëmshëm terrorist është shumë i qartë: viktimave të zgjedhura pikërisht për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe racore, kryesi i veprës penale u tha hapur që nuk i konsideron të mirëseardhur në vendin ku ai jeton (ku kishte jetuar në fat, sepse siç duket nga informatat e gjertanishme, sulmuesi në fund ka kryer vetëvrasje). Por të kthehemi tek mesazhi i krimit. Ai mesazh nuk do shumë hetime të thella për t’u kuptuar, prandaj është më se e qartë deklarata e ministrit të brendshëm që thotë se pikërisht motivi është i vetmi fakt i njohur në këtë moment.

E theksoj lehtësinë me të cilën kuptohet motivi në këto krime sepse zakonisht ai nuk fshihet nga kryesit. Ata që kryejnë krime urrejtjeje nuk e fshehin motivin, por përkundrazi e theksojnë të njëjtin, duke lënë simbole të ndryshme, ose duke e kryer krimin në kohë ose në vend të caktuar. E megjithatë, në vendet që nuk kanë interes që në mënyrë efikase t’i ndjekin krimet e urrejtjes, institucionet hetimore së pari e fshehin ose qëllimisht nuk e zbulojnë, ose thjeshtë e injorojnë, motivin e veprës, duke u thirrur në atë që motivi apo ana subjektive e veprës është vështirë të përcaktohet që në fillim. Kështu, për sulmin në Kuvend që u bë gati tri vite më herët, më në fund jemi në fillim të procesit gjyqësor ku duhet të fillojë gjykimi për organizatorët dhe idearorët e atij sulmi.

Tri vite u duheshin autoriteteve për të kuptuar kush ishin organizatorët dhe për të filluar procedurë penale kundër tyre. Tri vite u deshën që të vërtetohen motivet e dukshme qartazi që në fillim. Dhe sërish duhet theksuar se ky rast është njëri ndër shumë të rrallët ku megjithatë kemi në gjykim vepër të karakterizuar pikërisht si cënim terrorist i rendit kushtetues të vendit. Ka shumë raste të tjera që ndodhin çdo ditë e që konsistojnë në krime urrejtjeje e megjithatë nuk ndiqen si të tilla. Nuk ndiqen, për shkak se motivet nuk identifikohen si të tilla që në fillim. Sepse kur e keni identifikuar në fillim motivin, është shumë më lehtë të mblidhen provat e duhura që do e dëshmojnë pikërisht ekzistencën e atij motivi. E kur provat nuk mblidhen si duhet në fillim, gjatë procedurës penale të mëvonshme bëhet e pamundur që ai krim të dënohet si krim i urrejtjes (në të cilin rast do të merte dënim më të rëndë), dhe prandaj në të shumtën e rasteve përfundon i dënuar si krim ordinar.

Vendet demokratike normale nuk kanë frikë t’i quajnë krimet me emrin e tyre të saktë dhe t’i ndjekin e t’i dënojnë si të tilla. Institucionet normale nuk kanë frikë të flasin për motive raciste, ksenofobike, mizogine ose homofobe kur një rast ndiqet penalisht, sepse e dinë shumë mirë që fshehja, mbulimi ose injorimi i atyre motiveve nuk i bën këto krime të kalojnë vetvetiu dhe të zgjidhen, por përkundrazi, krijon probleme të tjera margjinalizimi që sërish asaj shoqërie ia sjellin dëmin kryesor. Prandaj, vendet normale përballen me ato krime dhe dukuri, nuk krijojnë tabu nga tema që lidhen me urrejtjen dhe jo-tolerancën.

Kur të fillojmë bisedimet për aderim në UE, edhe ne do të duhet dalë ngadalë të heqim dorë nga tabutë dhe të përballemi me problemet ashtu siç janë. Prandaj është e rëndësishme të ecim drejt asaj rruge të integrimit, sepse vetëm në atë proces do të mundemi të bëhemi pjesë e atij sistemi vlerash ku shtetasi dënohet për krimin që e ka bërë nga urrejtja për të huajin. Për një vend ku jo i huaji, por qytetari shtetas konsiderohet si më pak i vlefshëm për shkak të përkatësisë së tij grupore, është tejet i rëndësishëm ai integrim, sepse vetëm ato vlera perëndimore janë garancë për domosdoshmërinë e mbrojtjes së tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button