“Monstra”, Ahmeti ka pasur informata për gjurmët biologjike që janë marrë nga Opel Omega

Lideri i BD-së, Ali Ahmeti sot dëshmoi përpara trupit gjykues për rastin “Monstra”, njofton Portalb.mk.

“Për këtë ngjarje të rëndë mora vesh një ditë pas ngjarjes nga mediat. Ishte shumë ngjarje tragjike. Sigurisht se kam folur me shumë njerëz, nëse vlen për gjykatën dhe opinionin të gjitha bisedat e mia le të tregohen publikisht. Normalisht se nuk më kujtohen të gjitha detajet, por kam folur që ta shoh të vërtetën e ngjarjes, pasi që ishim të shqetësuar. Unë si kryetar i partisë dhe deputet kam pasur kujdes, nuk ishte situatë e lehtë, të gjithë në njëfarë mënyre u frikësuam nga kjo ngjarje që të mos vijë deri në ndonjë përballje. Të gjitha bisedat me bashkëpunëtorët e mi ishin në atë këndvështrim. Detajet s’më kujtohen”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu ka thënë se ka kërkuar ndihmë nga faktori ndërkombëtar.

“Ishte situatë shumë e keqe për mua dhe si njeri i parë i partisë jam përpjekur që të kontribuoj për pastrimin e situatës. Kam biseduar me komunitetin ndërkombëtar dhe kam kërkuar ndihmë nga zonja Nuland si ndihmës sekretare e shtetit të ShBA-së, por edhe nga përfaqësuesit e lartë të BE-së. Përgjigja e Nulandit ka qenë se ata nuk mundin të ndihmojnë në këtë rast. Edhe përgjigja e BE-së, por edhe e ShBA-së, ka qenë se ata i besojnë OSBE-së”, shtoi Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se nuk beson që këtë krim ta kenë kryer shqiptarët.

“Nuk mendoj se ka shqiptarë që mund ta bëjë këtë krim. Ju kam thënë të gjithëve se nëse këtë e ka bërë një shqiptarë me pështym do ta dënoj”, deklaroi para trupit gjykues Ahmeti.

Prokurorja Fatime Fetai e pyeti nëse i kujtohet një bisedë me Safet Nezirin.

“Jo vetëm me Safetin, por kam biseduar edhe me shumë njerëz të tjerë që eventualisht të mos jenë pa faj të akuzuarit. Nuk mohoj se kam biseduar me atë. Më mirë do të ishte që gjykata dhe të gjithë ta dinë se çfarë kam biseduar me atë.

Më 12.05.2012 Ahmeti nga Safet Neziri ka kërkuar që të krijohet komision paralel për pastrimin e rastit. Fetai e pyeti se çfarë ka shkaktuar dyshim tek ai që ai të kërkojë komision paralel.

“Kemi pasur informata të konfirmuara dhe të pakonfirmuar se mund të ndodhin protesta për këtë rast dhe punët të dalin nga kontrolli”, tha Ahmeti.

“Dy ditë pas ngjarjes, bashkëfolësit i thoni se të vrarët janë gjuajtur në mënyrë klasike. Cilat kanë qenë njohuritë”, pyeti Fetai.

“Informatat i kam pasur nga organet, nga institucionet, pasi që ata nuk kanë qenë vetëm të vrarë, por edhe të masakruar”, u përgjigj Ahmeti.

“Gjurmët biologjike nuk u përkasin njerëzve në të cilët dyshohet, me përjashtim të njerëzve që nuk janë këtu. Si e keni ditur se cilët janë njerëzit e dyshuar në këtë pjesë të hetimit, duke e pasur parasysh se ka qenë në rrjedhë procedurë hetimore”, pyeti Fetai.

“Gjithmonë kam ftuar që pa prova të mos akuzohet askush. Ajo ka qenë çështje që me secilin e kam biseduar”, tha Ahmeti.

Pas mbarimit të dëshmisë, Ahmeti tha se ai ka kërkuar që ky proces të rigjykohet sepse gjykatat e prokuroritë kanë qenë shumë të brishta.

“I tërë opinioni ishte në gjendje të pasqaruar si nga ato që kishin humbur njerëzit e tyre, ashtu edhe nga ata që u dënuan. Ne kemi kërkuar që ky gjyq të përsëritet me prova, me monitorim ndërkombëtar nga Brukseli dhe Uashingtoi – të dyja i dhanë përgjigje zyrtare se i besojnë monitorimit të OSBE-së dhe mbi të gjitha ne kemi dashur që e vërteta të dalë në sipërfaqe dhe të triumfojë drejtësia. Vetëm kështu mund të qetësohen ata të cilët kanë humbur njerëzit e tyre, por kjo me çdo kusht të instrumentalizohet fajtori, por ai i cili e ka kryer veprën ai duhet që të përgjigjet. Mos të ketë drejtësi selektive, pikërisht janë këto raste të cilat na kanë shtyrë që të mendojmë shumë më thellë deri edhe të kërkojmë veting në shtet”, tha Ahmeti.

Ai shtoi se partia e tij ka paguar kosto për këtë rast.

“Ne si parti politike kemi paguar kosto të lartë, të gjithë na akuzojnë se ne jemi aktorë, ne jemi ata të cilët e kemi bërë rastin dhe më shumë se sa ne që duam të ndriçohet ky rast nuk e di se kush, pasi që kostoja politike bie mbi ne. Duhet gjykimi të përsëritet me prova biologjike dhe materiale, nëse nuk ndriçohet do të ketë pasoja sepse dikush dëshiron që ta shfrytëzojë për qëllime politike që t’i fusë dy etnitë në luftë”, tha Ahmeti.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim.

LEXO:  DOSJE “Monstra”: Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës të Shkupit

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button