Tetovë: Studentët nuk kërkojnë më leximore apo kinema, por kushte themelore për jetesë

Rrugë me gropa, mini deponi, mungesë e ndriçimit si dhe cak i kriminelëve janë sinonim i një lagjeje në Tetovë, e cila kryesisht banohet nga studentë meqenëse është vetëm pesë minuta larg dy Universiteteve. Ana, studentja banore e këtij qyteti për Portalb.mk shpjegoi problemet me të cilat përballen ata çdo ditë, njofton Portalb.mk.

Vit pas viti në Tetovë vërehet një mungesë e studentëve të cilët zgjedhin këtë qytet për të kryer studimet e tyre, edhe pse në një kohë të vetmit që e mbanin të gjallë këtë qytet ishin studentët. Por, kushtet dhe mundësitë të cilat ju ofrohen në Tetovë, i bëjnë ata që të mos kthehen më, qoftë as për vizitë, e këtë na dëshmon edhe studentja Ardiana Dauti, e cila tash katër vite jeton dhe studion në Tetovë.

Ardiana Dauti, studente në Tetovë.
Ardiana Dauti, studente në Tetovë.

Ajo për Portalb.mk thotë se në momentin kur zgjodhi Tetovën për të kryer studimet deridiplomike, ishte e mbushur me ëndrra, dëshira si dhe inspirim, por kjo ndjenjë nuk zgjati shumë.

“Zgjodha Tetovën, sepse të jepet mundësia të studiosh në gjuhën amtare. Realisht, kisha shumë shpresë, dëshirë si dhe motivimin e kisha në piedestal në ato momente. Mirëpo, kjo nuk zgjati shumë, sapo arrita këtu jeta studentore mu përplas në fytyrë e më shëmbi ato endërrat, pasionin si dhe më uli motivimin totalisht” tha Ardiana Dauti, studente e vitit të katërt në Univesitetin e Tetovës, Fakulteti i Shkencave Matematiko Natyrore.

Ardiana na tregoi për problemet më të mëdha me të cilat haset ajo dhe kolegët e saja për çdo ditë, e shqetësuar për gjendjen ajo shtoi se ka pasur momente kur ka qenë e gatshme të dorëzohet dhe të kthehet në qytetin në të cilin ajo jeton.

“Çdo ditë takohem dhe bisedoj me kolegët që jetojnë këtu, të njëjtin vazhdimisht shprehin mllefin dhe shqetësimet me të cilat përballen për çdo ditë. Lagja jonë nuk ka ndriçim publik, infrastruktura është tejet e shkatërruar, më tragjike është fakti se nuk kemi aspak siguri e ka pasur raste kur kanë ndodhur edhe vjedhje në banesat e studentëve, ka shumë qen endacak, qytetar që vazhdimisht na ngacmojnë me fjalë por ndodh edhe me veprime, nuk ka kartë studentore, shitja e drogës në këtë lagje na shqetëson shumë si dhe prostitucioni” theksoi Ardiana Dauti.

Kjo studente tha se ka biseduar me kolegë të saj të cilët kanë qenë viktima të vjedhjes në banesa dhe e kanë denoncuar rastin, mirëpo sipas saj policia nuk ka ndërmarrë asgjë. Nga ana tjetër, ajo tha se në momentin kur policia zbulon se ndonjë student nuk ka leje qëndrimi, sillen në mënyrë të tmerrshme dhe i arrestojnë ata.

Gazetari i Portalb.mk vizitoi një ndër lagjet në të cilën banojnë kryesisht studentë, dhe pamja të cilën ua dëshmojmë përmes fotografive është  shumë e keqe dhe aspak nuk i ngjan një qyteti me dy Universitete.

"Ura" e krijuar nga vetë studentët.
“Ura” e krijuar nga vetë studentët.

Në mungesë të asfaltit, studentët kanë krijuar këtë urë si rrugëdalje më të lehtë dhe më të shpejtë deri te Universitetet. Sapo e kalojnë këtë “urë”, ata përballen me një deponi të vogël e cila është shume e dukshme.

Në këtë lagje nuk kishte as ndriçim publik, gjë që e bën të pakalueshme këtë lagje gjatë natës ngaqë ka shumë qen endacak si dhe shitës të drogave, të cilët përbëjnë rrezik për studentët por edhe për banorët e kësaj lagjes.

Deponia e vogël, menjëherë pas "urës".
Deponia e vogël, menjëherë pas “urës”.

.

"Trotoari" në të cilin kalojnë studentët çdo ditë.
“Trotoari” në të cilin kalojnë studentët çdo ditë.

Tentuam të marrim përgjigje nga Komuna e Tetovës në lidhje me gjendjen e kësaj lagje, mirëpo të njëjtit nuk ju përgjigjën pyetjeve tona.

Ndryshe, Portalb.mk disa muaj më herët informoi për një lagje tjetër studentore, nga atëherë e deri sot nuk janë ndërmarrë asnjë masë për përmirësimin e kushteve të asaj lagjeje edhe pse studentët vazhdimisht janë ankuar, dhe në këtë pikë në të cilën gjenden, ata më nuk kërkojnë biblioteka, as kinema mirëpo vetëm kushte themelore për jetesë.

LEXO: Tetovë, “Lagjja e Studentëve” më e “përshtatshme” për qentë endacak dhe përdoruesit e drogës (VIDEO)

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button