Ndalesa për import të mbeturinave nuk do ta zgjidh ndotjen, nevojitet kontroll më i rreptë

Vetëm dy javë pas miratimit të ndryshimeve të Ligjit për veprim me mbeturina, me të cilat Kuvendi ndaloi import të mbeturinave për djegie, tema për mbeturinat dhe ndotja u largua nga fokusi i opinionit. Kah fundi i vitit të kaluar alarmin e ndezën fotografi të ndara nëpër rrjetet sociale, të kamionëve përplot me mbeturina të ndryshme industriale të dedikuara për djegie në kapacitetet industriale të vendit, ndërsa mosbesimi e zmadhuan arsyetimet jo bindëse të organeve kompetente të shtetit që rruga e mbeturinave që importohen, deri te shfrytëzuesi përfundimtar, kontrollohet në mënyrë të rregullt, njofton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“MMJPH me përgjegjësi pohon që kjo masë nuk do të ndikojë në cilësinë e ajrit”, janë kategorik nga Ministria për mjedis jetësor, duke komentuar për efektet nga ndryshimet e miratuara të Ligjit për mbeturina me të cilat ndalohet importi i mbeturinave për djegie. Prapë se prapë, thonë se është herët të flitet saktë për shkak se nevojitet të ndiqen raportet për koncentracionet e disa emetimeve në ajër e pastaj të miratohet konkluzion.

Nga MMJPH përkujtojnë që këto ndryshime në fakt kanë të bëjnë me vetëm dy kompani në vend për shkak se deri më tani vetëm ato kanë përdorur mbeturina nga importi si energjens – çimentorja “Titan Usje” dhe “Feni” i mëparshëm, sot “Euronikel industri”. Në “Titan” vetëm 4% e lëndëve djegëse janë zëvendësuar me RDF dhe këto kompani do të vazhdojnë të përdorin vetëm lëndë fosilike, pra rezultati do të duhet të shihet pas analizave të zbatuara të ajrit ambiental, thuhet në shkresën nga MMJPH.

Nga Ministria gjithashtu thonë që ndryshimet e Ligjit për mbeturina kanë të bëjnë me import të mbeturinave që përdoret si lëndë djegëse/energjens, e jo për mbeturina që përdoren si lëndë të para, ashtu që import i mbeturinave për riciklim dhe ripërpunim do të vazhdojë në vend, në pajtim me ligjin dhe lejet përkatëse të cilat burojnë nga i njëjti.

Kah fundi i dhjetorit, vitin e kaluar, propozuesit, partia RDM, si dhe një pjesë e shoqatave qytetare të mbledhur rreth iniciativës ekologjike “Front i gjelbër” e kanë promovuar këtë zgjidhje si rrugëdalje të vetme, me argument që në shtet nuk ka kontroll të mbeturinave që importohen, nuk dihet çka saktë hyn në vendin tonë, e as nuk dihet edhe cilat si dhe çfarë përbërje të dëmshme çlirohen gjatë djegies së tyre, ndërsa presioni ndaj pushtetit, i shprehur nëpërmjet protestave pranë Kuvendit dhe Çimentores së Shkupit dha rezultate. Prapë se prapë, pasi u shukat euforia nga miratimi i ndryshimit ligjor, duket sikur pritjet nga i njëjti janë zbehur.

“I propozuam ndryshimet, për shkak se vlerësojmë që ashtu mund të reduktohet ndotja që buron nga djegia e mbeturinave”, thotë Maja Moraçanin, kryetare e RDM dhe një nga propozuesit e ndryshimit të ligjit për mbeturina në Kuvendin e Maqedonisë.

“Pajtohem që nuk mund të presim që me këtë ndalesë do të zgjidhet tërësisht ndotja e ajrit për shkak se burime kyçe janë emetimet nga kapacitetet industriale, ngrohja e objekteve, komunikacioni, industria ndërtimore, si dhe mbeturinat”, thotë ajo.

Moraçanin konsideron që zgjidhje afatgjatë është vendosje e sistemit për kontroll në të cilin të gjithë do të kemi besim dhe që akreditimi i Laboratorit Qendror Shtetëror është një hap në atë drejtim.

Shoqata qytetare “Lëvizja për ajër të pastër” drejtpërsëdrejti para miratimit ndalimit të importit të mbeturinave për djegie, e bllokoi Çimentoren e Shkupit, duke e akuzuar që ndotë dhe kanë shprehur dyshime në mënyrën në të cilën tani bëhet monitorim i emetimeve nga oxhaqet e tyre, përkatësisht në autenticitetin e vlerave të paraqitura të grimcave të dëmshme të cilat janë në nivel drastik nën vlerat e lejuara, kurse prapë se prapë ndotja në Shkup është enorme.

“Kjo ndalesë nuk do të jetë efikase në asnjë përqindje përkatësisht nuk do të kontribuojë për zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Nuk është me rëndësi vetëm çfarë digjet, me rëndësi të jashtëzakonshme është edhe mënyra si bëhet djegia për shkak se nga ajo do të varet edhe çfarë emetime do të ketë si rezultat i asaj djegie”, pohon Toni Nikushevski nga “Lëvizja për ajër të pastër”.

Ai konsideron që zgjidhje e vetme është kontroll efikas që do t’i detyrojë tërë industrinë edhe ato me A edhe me B licenca edhe më të voglat, të cilat gjithashtu kanë pjesëmarrje të tyre të konsiderueshme në ndotje, të punojnë sipas dispozitave ligjore.

Nga Fridays for Future, të cilat kanë mbajtur protestë para Kuvendit si formë e presionit qytetar për miratim të ndalesës për import të mbeturinave, tani kanë dalë me qëndrim që ndalesa për import të mbeturinave është vetëm masë e detyruar e cila në vete nuk paraqet asgjë të veçantë, derisa nuk ekziston zgjidhje sistemore në qasjen tonë ndaj mjedisit jetësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button