Edhe pa lëshimet, bankina e autostradës nuk do ta mbante autobusin, tha eksperti në rastin “Durmo”

Bankina mbrojtëse e autostradës Shkup – Tetovë në seksionin e vendit të aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” ka qenë në pajtueshmëri me standardet e atëhershme, përveç vidhës e cila shërben për ngjitjen e pjesëve, e cila është më kualitet më të dobët, deklaroi eksperti i ndërtimit në seancën e sotme gjyqësore për aksidentin në Llaskarcë, njofton Portalb.mk.

Bankina është vendosur në vitin 2000, ndërkaq projekti është bërë në vitin 1998.

Përgjithësisht lëshimet, tha eksperti, janë bërë gjatë projektimit që nuk ka të dhëna për shtyllën metalike, distancuesin dhe vendosjen e bankinës në lidhje me autostradën, derisa gjatë vendosjes, nuk janë shtrënguar mirë bankinat edhe në pjesët e tyre. Ai theksoi se lëshime ka edhe në mirëmbajtjen ku është lejuar ndryshkja dhe nuk është mbajtur në kondicion.

“Prej të gjitha analizave dhe nëse nuk do të kishte lëshime, ajo nuk do të mundte që ta mbajë autobusin”, tha eksperti.

Kontrollet për kualitetin dhe qëndrueshmërinë e bankinës, theksoi eksperti, janë bërë në Fakultetin e Makinerisë në Shkup.

“Përbërja kimike e bankinës mbrojtëse ka qenë në pajtueshmëri me standardet e atëhershme, përveç vidhës i cili ka shërbyer për lidhje të pjesëve, që është diçka me kualitet më të dobët”, tha eksperti.

Ai gjithashtu tha se nga dokumenti projektues ka pak të dhëna për bankinën, përveç se është zgjedhur bankinë për mbrojtje të një anës. Ka edhe një dokument se është zgjedhur bankinë mbrojtëse elastike të tipit “Slloboda”.

Gjatë ndërtimit, tha ai, janë kryer edhe ndryshime të tërë bazës, në kuptimin e të gjitha elementeve konstruktive të rrugës – argjinaturës dhe bankinës.

“Bankina e autostradës është filluar që të ndërtohet në pajtueshmëri me standardet. Në një moment gjatë ndërtimit ka ardhur deri te ndalimi me furnizim të bankinave nga fabrika “Slloboda” – Ohër, tipi i të cilit është zgjedhur. Ndryshimi përbëhet nga vetë elementet e bankinës, nga ndryshimi i formës së shtyllës metalike dhe distancuesit. Në bazë të testeve A nga laboratori i furnizuesit të asaj bankine, kualiteti është në pajtueshmëri me normat evropiane 13/17, të cilat te ne ende nuk kanë qenë të vlefshme”, tha eksperti.

Sot, theksoi eksperti, punojmë me ato standarde dhe të njëjtat zbatohen në tërë Evropën.

“Prodhuesi i ka testuar në laboratorin e tij. Kontrollet i bën ndërmarrja nga Pernik, në Bullgari, ndërkaq te ne në atë kohë nuk ka pasur kurrfarë laboratori dhe janë pranuar ato të prodhuesit”, deklaroi eksperti.

Kontrolli, ka shtuar ai, është në karakteristikat kimike të materialit dhe gjeometrisë së pjesëve.

“Nuk është kontrolluar se deri në cilën shkallë të fuqisë dhe nën cilin kënd mund të pranojë goditje”, deklaroi eksperti.

Rëndësia e kësaj të dhëne, tha ai, nëse do ta kishin, do të ishte faktor i rëndësishëm në vetë dimensionimin dhe vendosjen në vendet e rrezikshme.

“Në atë kohë nuk ka ekzistuar obligim për matjen se sa do të ishte qëndrueshmëria ndaj goditjes”, tha eksperti.

Sipas tij, gjatë ekspertizës në vendin e ngjarjes është konstatuar se nuk ka lëshime në vendosjen e bankinës.

“Ka mangësi në lidhje me gjeometrinë e rrugës. Të jetë më larg nga rruga, të jetë më ulët ose më lartë e vendosur”, tha eksperti.

Paraprakisht janë prezantuar raportet nga ekspertët e Mjekësisë Ligjore dhe psikiatri.

Autobusi i kompanisë “Durmo Turs” nga Gostivari më 13.02.2019 rreth orës 17 i vozitur nga Manoil Ttrifunovski (49) ka humbur kontrollin dhe ka kaluar mburojën e hekurt në anën e kundërt të autostradës Tetovë – Shkup, më pas ka dalë nga rruga dhe është rrokullisur në hendek në afërsi të fshatit Llaskarcë. Numri i viktimave ka arritur në 16, ndërsa 39 persona të tjerë u shtruan nëpër spitale pas lëndimeve që kanë marrë nga aksidenti.

Rastin e udhëheq gjykatësja Dijana Gruevska- Ilievska, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurori publik Darko Jakimovski.

Të akuzuar janë 6 persona, dhe atë, pronari i kompanisë transportuese “Durmo Turs”Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski. Këta ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërkaq tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button