QEVERIA E QIELLIT

Nëse nuk ndjek lajme ose debate politike mund të zihesh ngushtë nëse të pyesin për punën e ndonjë qeverie. Por nëse ke njohuri për funksionimin e qeverisë së qiellit, atëherë mund të flasësh për çdo qeveri tokësore. Le ta paramendojmë Olimpin si ndërtesë qeveritare, me kryeministrin fuqiplotë, Zeusin, i rrethuar nga ministrat, që vazhdimisht i bëjnë lajka, që bëjnë kinse e duan dhe i besojnë.

Kryeministri fuqiplotë (si mbret i gjithëpushtetshëm) e kishte rrëzuar nga pushteti të atin e tij Kronosin, ashtu si ky i fundit e kishte rrëzuar nga pushteti të atin e tij Uranin. Mos është pushteti vrasje e atit shpirtëror, atij politik?

Zeusi dhe ministrat, të lodhur nga rutina, sa për qejf, i mashtrojnë njerëzit, shkrepin rrufe kundër tyre, i godasin me makthe, me erëra të fuqishme, ua dërgojnë gjumin, vdekjen, i degdisin në mjerim, nxisin luftëra e konflikte dhe pastaj ndërhyjnë duke marrë anën e njërës apo palës tjetër. Edhe dënimet apo torturat i kanë të tmerrshme. Prej lart njerëzit u duken të vegjël, të parëndësishëm. Ndonjë ministër bën hatanë për një grua, një tjetër bën gjithçka për pushtet e pasuri, tjetri bën marrëzira për kapriço personale. Ndërhyjnë ata edhe në punët e njëri – tjetrit. Ka gjithçka në këtë qeveri: luftë për pushtet, xhelozi, smirë, mendjemadhësi, delir madhështie, dhunë, lajka, servilitet, kapriço, dredhi, pabesi, flirte, makuteri, hakmarrje, vendime të çmendura.

Le t’i shohim funksionet disa ministrave. Hipnosi është ministër i gjumit dhe mban lidhje të ngushta me Tanatosin, ministrin e vdekjes dhe të dy janë si ministra të propagandës. Apolloni është ministër i bukurisë, i muzikës dhe i shëndetësisë (ministra të shëndetësisë janë edhe Asklepi, Eskulapi ose tek ilirët Medauri);  Artemida (Diana) është ministre për mbrojtjen e vashave ose njëfarë ministre për barazi gjinore. Aresi (Marsi te romakët dhe Arnati tek ilirët), është ministër lufte ose i ushtrisë siç i themi sot. Athina (Minerva) është ministre e qytetërimit, urtësisë, fuqisë, le të themi se është njëfarë ministre e shkencës. Dhemetra (Cerera) është ministre e dheut, pra i mbulon edhe çështjet ekologjike. Heba është ministre e rinisë. Hefesti (Vullkani) është ministër i farkëtarisë dhe mbrojtës i zjarrit ose njëfarë ministri i industrisë. Hera (Junona) është ministre e martesës ose le të themi se është ministre e çështjeve sociale. Hermesi (Merkuri) është ministër për informim dhe mbrojtës i udhëtarëve e i hajnave; është i shpejtë, sepse është atlet; flet bukur, sepse është edhe poet; i njeh mirë edhe çështjet tregtare. Shumë funksione për një zëdhënës. Themida (Justicia) është ministre e drejtësisë. Ka edhe ministra të tjerë:  Eoli është ministër i erërave; Hadi (Plutoni) i nëntokës; Afërdita (Venera) është ministre e dashurisë dhe bukurisë; Heliosi (Sol) i Diellit; Hestia (Vesta) e zjarrit dhe shtëpisë; Posedoni (Neptuni) i deteve dhe tërmeteve; Dionisi i pjellorisë, argëtimit, verës, gruas.

Nuk mungon as opozita. Lideri i saj është Prometeu. Ai është mendimtar e veprimtar. Nuk pajtohet me qeverisjen e keqe. I ndihmon njerëzit e vuajtur. Dënohet me mbërthim për shkëmbi. Shqiponja vazhdimisht ia ha mëlçinë. Ai nuk e ndërron mundimin e tij me mjerimin e të tjerëve. Megjithatë nuk dimë se çfarë ka ndodhur më pas me idealistin sipas Eskilit, sepse ajo vepër ka humbur.

Qeveria e qiellit i ka frymëzuar poetët, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, arkitektët. Arti ende ushqehet nga tryeza e Hesiodit, e Homerit, Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Aristofanit apo autorëve romakë. Bota, që përjeton çdo ditë zhvillim teknologjik, nuk ka shpikur ndjenja dhe tema të reja.

Nga veprimet e ministrave të qeverisë qiellore mund të mësojmë për veprimet e ministrave të qeverive tokësore. Mitologjia mund ta pasurojë mendjen e njeriut, por edhe mund ta errësojë. Ashtu sikurse edhe historia. Ka që bëjnë ftesë për krime e marrëzira në emër të mitologjisë dhe të historisë, sepse nuk mësojnë as nga mitologjia dhe as nga historia.

Çka mund të mësojmë nga mitologjia, kjo mësuese e jetës? Mund të mësojmë nga shembulli i Gilgameshit, nga përpjekja e tij për ta gjetur barin e pavdekësisë, derisa e kuptoi se përjetësia sigurohet duke bërë vepra të mira për njerëzit. Mund të mësojmë edhe nga Herostrati, që dogji altarin e famshëm për t’u bërë i lavdishëm. Mund të mësojmë për lestrigonët njeringrenës; për lumin Letë ku fshihet kujtesa; të mos e hapim kutinë e kurthit si Pandora dhe ta qelbim botën me ligësi. Të mos mashtrohemi nga Prokrusti, që trupin e viktimës ia përshtaste shtratit, në vend se shtratin t’ia përshtaste trupit. Mos t’i ngjajmë Narcisit të vetëdashuruar apo Pigmalionit, skulptorit legjendar që bëri një statujë gruaje prej fildishi dhe pastaj aq shumë u dashurua në veprën e tij sa filloi t’i blinte dhurata, vathë e zbukurime të ndryshme. Mund të mësojmë nga figura mitologjike shqiptare e grabofcit, që nxirrte vetëm njërën kokë duke u shtirur si i dëshpëruar derisa e joshte prenë dhe e përpinte. Prej këtu edhe shprehja “lot grabofci”. Të mos mahnitemi nga Viçi i Artë duke harruar mundimet e së kaluarës dhe njëkohësisht ta harrojmë rrugën e ndritur hyjnore. Mos t’i hamë frutat e lotofagëve dhe ta harrojmë atdheun. Të mos joshemi nga sirenat e bukura dhe vrastare, as nga lubitë, lugetërit, qipullët, makthet, kuçedrat, katallanët, larvët, përbindëshat, shtojzovallet, shtrigat. Të mos bëhemi si Midasi, që gjithçka e prekte e kthente në ar, por në fund vdiq nga uria, sepse ushqimi i bëhej gur i çmuar për dukje, por jo edhe për ta shuar urinë. Duhet ta çmojmë Justicinë symbyllur, që ndante drejtësi njësoj për të gjithë, duke i matur veprat e mira dhe të liga në peshoren e saj super precize. Ta çmojmë Nestorin e urtë dhe këshilltarin me përvojë për punët e shtetit. Ta çmojmë Apollonin (artin), Minervën (urtësinë) Mnemozinën (kujtesën), t’i çmojmë gjithë muzat, të cilat, siç na thotë Hesiodi, duhet t’i takojmë para se ta shkruajmë një libër, sepse, vetëm kështu, muzat mund t’i falin autorit kurorën e lavdisë dhe suksesit. Mund të mësojmë nga guximi i Akilit, zhdërvjelltësia e Odiseut, rebelimi i Prometeut, urtësia e Priamit, mençuria e Nestorit, arti i Orfeut, parashikimet e orakullit, gjithsesi edhe nga vigjilenca e Laookontit, i cili ishte i pari që e kundërshtoi pranimin e kalit të Trojës. Nuk e dëgjuan. Ia mbushën trupin me gjarpërinj. E vranë. Dihet çfarë ndodhi sapo u hapën dërrasat e kalit të drunjtë.

Le të kthehemi në fillim, tek ajo pyetja hipotetike, që mund të na bëhet papritmas. Mund të thuash se qeveria e qiellit nuk ka dallim prej qeverisë tokësore. Mos përmend emra të ministrave nga Olimpi, sepse të marrin për të paaftë, për të çmendur. Njerëzit duan të flasësh për emra tjerë. Ata duan spektakle. Bëjnë kinse duan ta ndryshojnë botën, pa dashur ta ndryshojnë vetveten, ashtu siç kanë bërë tash e mijëra vjet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button