Silva Doci, studentja shqiptare në Kinë: E dua Wuhan-in qoftë edhe me virus

Edhe pse cilësohet si epiqendra e virusit “Korona”, dashurinë e shqiptares Silva Doci ndaj qytetit të Kinës, Wuhan, nuk mundi ta zbeh as kjo tragjedi që është duke ndodhur aktualisht atje, e cila ka lënë të prekur mijëra persona. Është një ndër shqiptaret e rralla që jeton dhe studion në Kinë, Silva Doci ka braktisur Shqipërinë 11 vite më parë, për të studiuar në një ndër shtetet, që sipas saj ka kulturën, gjuhën dhe historinë më të veçantë në botë.

Përballjen me virusin Korona ajo e cilëson si të tmerrshme i cili ka ndikuar shumë në shëndetin e saj psikik, ngaqë siç dëshmon Silva, me ditë të tëra kanë qenë të izoluar duke mos ju lejuar të dalin jashtë. Kjo ka ndikuar shumë në përkeqësimin e gjendjes së saj mentale, mirëpo ajo ngushëllohet me faktin se në këtë rrugëtim, ajo nuk është lënë e vetmuar ngaqë pranë saj kanë qëndruar shumë student si dhe stafi i Universitetit në të cilin ajo studion tash disa vite.

Ilustrim

Masa për mbrojtje nga ky virus nuk ka ndërmarrë vetëm Universiteti, por edhe shteti i Kinës.

Silva na shpjegoi disa nga to, duke cilësuar sëmundjen si një “Dhimbje të pashmangshme, qoftë për kinezët apo të huajt që jetojnë atje.

“Korona virusi ishte një moment kthimi mbrapsht për zhvillimin e Wuhanit. Vazhdon të jetë një dhimbje për të gjithë ato qe jetojnë ne atë qytet, qofshin kinezë apo te huaj. Duke qene se është një virus i pandeshur më parë, mbrojta është gjithashtu e vështire. Por masat kryesore janë higjiena, duke theksuar larjen e duarve per me shume se 15 sekonda sidomos pas kthimit nga jashtë, edhe maskat sa here qe dilet jashtë. Masa qe ulin shanset e prekjes nga virusi janë edhe evitimi i te shkuarit ne ambiente me njerëz shume,si kinema, supermarkete, restorante etj.. Një “vete-karantine” për t’u mbrojtur është e nevojshme”

Nuk mjaftoi trishtimi nga virusi vdekjeprurës, studentja shqiptare u përball me një grip sezonal i cili kishte simptomat e njëjta me atë të virusit Korona. Në ato momente, siç rrëfen Silva, u gjend në një udhëkryq pa rrugëdalje ngaqë të gjithë i sugjeronin të mos shkonte në spital, nga rreziku që virusi të fitohej në ambientet spitalore. Megjithatë, ajo morri guximin dhe shkoi për analiza, ku rezultoi e pastër nga koronavirusi.

“Prekja nga gripi i stinës pikërisht ne ditët kur termi korona virus u be kryefjala e çdokujt ishte ajo çka me dobësoi shume jo vetëm fizikisht. Duke matur temperaturën çdo 2 ore, duke mbajtur shënim për çdo reagim qe kisha, mundohesha ti gjoja vetes qe është thjesht grip normal, por meqë simptomat fillestare te virusit te ri janë te ngjashme me grip normal, ishte shume e vështire te beja dallimin. Ishte e vështire te dalloja realitetin nga ajo çka “mund te ishte”. Edhe pse sugjerohej te mos shkonim ne spital nga frika e marrjes se virusit aty, unë mora rrezikun dhe shkova bëra analizat e duhura. Ngrohtësia e mjekeve, kujdesi i tyre, gjendja ne te cilën i pashë me dha kurajë. Analizat e para (gjaku i plote edhe skaneri i mushkërive) dolën te gjitha negative. Me gëzuan pa mase, dhe pasi mora mjekim fillova ti jap kurajë vetes te ringrihem në këmbe. Por rreziku vazhdonte akoma, pasi numri i te prekurve shtohej, dhe dalja jashtë për te shkuar ne spital e shtonte mundësinë e prekjes. Njerëzit me imunitet te dobët, siç isha edhe unë ato dite, e kane shume te vështire ta përballojnë rrezikun. Ndaj analizat janë thjesht te përkohshme, edhe pse negative”, sqaron ajo.

Virusi korona u bë kryefjalë në botë, por për ta kuptuar se sa realisht është e vështirë gjendja në Wuhan, por studentja shqiptare në Kinë thekson se shumica e njerëzve tanimë janë sensibilizuar dhe janë të vetëdijshëm se si duhet të mbrohesh nga ky virus, gjë që sadopak ka lehtësuar frikën dhe panikun tek njerëzit.

“Gjendja është e vështire dhe e rëndë. Sa e rëndë, është pak vështire te përcaktohet pasi çdokush ka standarde te ndryshme për “sa” e “si” . Fakti qe numrat po shtohen do të thotë që shumë nga rezultatet e analizave të bëra po dalin ne drite, jo se virusi po përhapet akoma me shume. Ne fillim, njerëzit kane qene ne panik, ndërsa mjekësia e papërgatitur për diçka të tillë, ndaj ka pasur shumë konfuzion. Tani shumica e njerëzve janë sensibilizuar për mbrojtjen dhe informacionin e duhur rreth korona virusit. Ajo që e rriti përhapjen e virusit ishte koha e Vitit të Ri Kinez, kur miliona njerëz udhëtojnë ne të gjithë Kinën edhe jashtë. Kjo e përhapi akoma më shumë. Unë di që tani të dhënat edhe numrat e te prekurve bëhen publike, dhe nuk mbahen te fshehta. Pasi gjendja u përkeqësua, u dha urdhër qe të gjitha informatat të bëhen publike. Nuk kam shumë informacion se si i shfaqin mediet evropiane ose më tej te dhënat, pasi kam ndjekur gjithmonë lajmet në Kinë, por di qe prej disa ditësh tashme, çdo gjë rreth virusit dhe statistikave të të prekurve apo të dyshuarve është bere publike”, thotë Silva Doçi.

Virusi Korona, ilustrim

Në gjithë këtë tragjedi, diçka e mirë për Silvën është se ajo na tha se deri tani nuk ka të prekur nga virusi asnjë shok apo shoqe.

“Fatmirësisht jo, nuk kam asnjë shok apo shoqe të infektuar me virusin korona, të paktën deri tani jo, edhe pse nga shoqëria kam dëgjuar se të njohur apo të afërmit e tyre janë prekur dhe kjo më ka bë të ndjehem shumë keq”.

Nuk kanë munguar as teoritë konspirative për atë se nga ku mund të kishte ardhur ky virus, të gjitha nga këto studentja shqiptare në Kinë i hodhi poshtë duke i cilësuar si gjëra të kota të përgatitura për njerëzit që besojnë lehtë çdo gjë.

“Pas ditëve të para duke lexuar mbi 20 artikuj e lajme në ditë, vendosa t’a mbyll telefonin, e të mos lexoj më pasi të gjitha me dekurajonin në atë moment të vështirë. Sa i përket këtyre teorive të reja që hidhen lart e poshtë, personalisht nuk i besoj, pasi si studente që jam, besoj në kërkimet shkencore, me fakte e prova dhe jo hamendësime. Unë e pashë vetë si filloi e u përhap virusi ne nje qytet aq te madh, pastaj ne Kine e jashtë saj. Ky virus ka krijuar humbje te mëdha në njerëz (qe vazhdojnë) humbje të pallogaritshme ne ekonominë e Wuhanit dhe gjithë Kinës, dhe humbje të madhe ne imazhin e Wuhanit qe deri më sot nuk ishte shumë i njohur jashtë Kinës. Unë preferoj të besoj që askush nuk do i shkaktonte humbje të tilla me qëllim. Ndaj deri sa te lexoj argumente të provuara, për mua këto janë thjesht thashetheme që nuk vlejnë aspak. Mendoj se është me e vlefshme te harxhohet koha duke u mbrojtur e duke u edukuar për ketë virus te panjohur më parë sesa te hidhen teori negative që nuk ndihmojnë për asgjë, aq më keq ,bindin mendjet e papërgatitura që besojnë lehtë çdo gjë”, tha Silva.

Silva Doci aktualisht ndodhet në Turqi dhe i nënshtrohet procesit të karantinës. Kthimin e saj në Shqipëri ajo e pret me padurim, kurse paragjykimet e mundshme me të cilat ka gjasa të përballet në Shqipëri, konsideruar faktin se vjen nga një shtet epiqendër i virusit korona, ajo i quan irelevante dhe se për të momentalisht me rëndësi është të jetë mirë dhe pranë familjes.

“Momentalisht po i nënshtrohem procesit te karantinës në Turqi, bashkë me shtetasit nga Turqia, Azerbaixhani e Gjeorgjia me te cilet u evokuam nga Wuhani. Pasi kjo të mbaroje, shpresoj me sukses, do të kthehem në Shqipëri. Gjatë ditëve që isha ne Wuhan jam shfaqur disa here në media, dhe emri im është lakuar shumë, kam parë pak komentet online, ka edhe pozitive e inkurajuese ka edhe negative. Këto te fundit nuk ndikojnë aspak te une. Për mua rendësi ka te jem mirë, të kthehem pranë familjes qe janë merakosur, dhe te përdor ketë rast te informoj te gjithë ato që janë te interesuar ,qoftë edhe nëpërmjet medies, për Wuhanin, si e jetuam korona virusin, dhe për ato qe ne fakt janë “shtrembëruar ” jo pak nga media”, tregon studentja Doci.

Marrë parasysh gjithë këtë, largimin nga Wuhani ajo e konsideron si të përkohshëm, kurse për këtë të fundit flet me shumë dashuri dhe pikëllim njëkohësisht. Ajo planifikon të kthehet në Wuhan sapo të mbarojë kjo fazë delikate.

“Patjetër që do kthehem sërish në Kinë. Wuhani është shtëpia ime e dytë, kam kaluar pothuajse 11 vjet aty, kam shumë kujtime, kam shumë njerëz që i kam pasur afër përgjatë këtyre viteve. Korona virusi është një fatkeqësi që i ndodhi Wuhanit e Kinës, e mund ti kishte ndodhur secilit qytet apo shtet tjetër. Ndjej keqardhje e dhimbje për ketë qytet dhe njerëzit qe jetojnë aty e përreth. Largimi im nuk është për arsye braktisje, është i përkohshëm, për tu përmirësuar nga ana shëndetësore, për të qene pranë familjes që e ka ndjerë shumë ketë fatkeqësi që ndodhi në qytetin ku unë jetoja. Unë nuk i kam mbaruar ende studimet e mia atje, andaj do kthehem sërish sapo kjo fazë delikate të kaloje. Shpresoj dhe besoj që do kaloje së shpejti”, thotë Silva Doci.

  • Shkruajnë: Ardit Ramadani dhe Rrita Syla

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button