RMV, kërcënimet me padi për shpifje i shqetësojnë gazetarët

Paditë për shpifje dhe ofendim kundër gazetarëve nga politikanët si instrument për ushtrimin e trysnisë dhe heshtjen e tyre, gjatë tre viteve të fundit sikur kishte pushuar të shqetësonte bashkësinë e gazetarëve. Në këtë periudhë, jo vetëm që u zvogëlua numri i padive, por në përgjithësi edhe gjykatat në proceset aktuale kundër gazetarëve, nuk shqiptonin kompensime të larta për dëmin jomaterial, shkruan Observatori Mediatik, transmeton Portalb.mk

Tre vitet e fundit ka pasur nga tridhjetë procese aktive gjyqësore çdo vit, një pjesë të pazgjidhura nga vitet paraprake dhe një pjesë e vogël padi të reja. Në vitin 2019 ka pasur një tendencë të rënies së padive nga 30 në 25, mirëpo pas kërcënimeve me padi nga bartës të funksioneve publike verën e kaluar, deri në fund të vitit numri është rritur në rreth 30. Për fat të keq, një pjesë e padive është ngritur nga vetë gazetarët kundër gazetarëve të tjerë, që është një pasqyrë e keqe për vetë bashkësinë e gazetarëve. Nga njëra anë, kërkohej që politikanët dhe biznesmenët të mos paditin gazetarë, ndërsa vetë gazetarët paditen mes veti.

Në vitin 2017, zhvillimi pozitiv lidhur me lirinë e mediave, qartë ishte theksuar në vlerësimin e ekspertit evropian, Rajnhard Pribe për sundimin e ligjit në Maqedoni. Në pjesën e vlerësimit kushtuar mediave dhe shoqërisë civile, vërehet se numri i padive bie dhe kjo çështje më nuk shkakton shqetësim të theksuar midis gazetarëve. Kështu nuk ishte vetëm para dy viteve, kur në prioritetet e reformave të vitit 2015, Pribe, në pjesën e mediave dhe lirisë së shprehjes, i trajtonte paditë për shpifje kundër gazetarëve si çështje të cilën pushteti duhet urgjentisht ta adresojë. Kërkohej ulja e padive përmes ndryshimit të legjislacionit, përmirësimit të praktikës gjyqësore dhe duke përdorur më shumë ndërmjetësimin dhe sistemin e vetërregullimit në media.

Megjithatë, ky zhvillim pozitiv për zgjidhjen e një problemi serioz nga sfera e lirisë së mediave, me të cilin gazetarët përballeshin me vite në të kaluarën,  u cenua verës së kaluar kur disa funksionarë të lartë të qeverisë paralajmëruan se do të ngritin padi për shpifje kundër gazetarëve, për shkak të mënyrës se si kishin raportuar për skandalin Zhvatje. Atë kohë padi paralajmëruan ish kryeministri, Zoran Zaev, nënkryetarja e qeverisë, Radmilla Sheqerinska, shefi i diplomacisë, Nikolla Dimitrov, si dhe nënkryetarja e Kuvendit, Frosina Remenski. Thuaja në të njëjtën kohë, për rastin e blerjes së sistemit të radarit, sekretari i qeverisë, Dragi Rashkovski kërcënohej me padi për shpifje kundër disa portaleve.

Prej atyre funksionarëve që u kërcënuan me padi, vetëm ish kryeministri, Zoran Zaev ngriti padi kundër gazetarit Zoran Bozhinovski, i cili në profilin e tij të fejsbukut kishte akuzuar Zaevin dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt për përpjekje për mitmarrje në rastin GAMA. Për të njëjtat pohime, Bozhinovski fitojnë padi tjetër për shpifje, nga njeriu i parë i Makpetrolit, Andre Josifovski.

Paralajmërimi në mënyrë pomoze i padive përmes mediave në bashkësinë e gazetarëve u përjetua si shenjë e keqe për kthimin e shprehive të vjetra të politikanëve para kohës së demikriminalizimit të shpifjes të viti 2013, kur masivisht prodhonin padi për shpifje kundër gazetarëve. Atë kohë thuaja çdo i treti gazetar ishte paditur për shpifje nga ndonjë funksionar publik ose nga ndonjë biznesmen.

Të parët këtë shqetësim e ndanë organizatat e gazetarëve dhe të mediave. SHGM dhe KEM ftuan funksionarët të përmbahen për të paditur gazetarë.

“Në pajtim me praktikat e mira të vendeve evropiane, pragu i tolerancës i politikanëve duhet të jetë më i lartë dhe ato duhet të bëhen shembull i mirë për shfrytëzimin e mekanizmit të trupave të vetërregullimit”, ftuan ato ne kumtesën e përbashkët.

As rregullatori i mediave nuk heshti para këtyre kërcënimeve kundër gazetarëve. “Paralajmërimet për padi paraqesin trysni të drejtpërdrejtë ndaj punës së mediave, veçanërisht kur raportojnë për tema me interes të lartë publik. Mediat janë roje e interesit publik dhe kreator të opinionit publik prandaj duhet të publikojnë informacione gjithëpërfshirëse dhe të provuara në interes të opinionit”, thuhej në reagimin e Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audivizive. Ato, po ashtu theksojnë se përfaqësuesit e pushtetit me vetë pranimin e funksionit publik, kanë pranuar të jenë objekt i mundshëm i kritikës së ashpër në media.

Njohësit e rrethanave pajtohen se paralajmërimet për padi kanë kontribuar në njëfarë mase për shqetësimin e gazetarëve, por paralajmërojnë se nuk duhet të ngritet panik e madhe sepse gjendja nuk mund të kthehet sikur para dekriminalizmit.

“Paditë e tilla mund të ndikojnë negativisht dhe ta keqësojnë gjendjen me lirinë e mediave. Gjykatat. Vazhdimisht tregohet se gjyqësori është larg prej asaj që duhet të jetë – i pavarur, dhe është rëndë të mendohet situatë në të gjyqësori do ta refuzonte trysninë e pushtetit ekzekutiv dhe të politikës, që mund të çojë drejtë asaj që mediat tjera të vetëcenzurohen për të shmangur këtë lloj të kërcënimit”, vlerëson Dejan Georgievski nga Qendra për zhvillimin e mediave, e cila me vite monitoron proceset gjyqësore kundër gazetarëve. Sipas tij, pas përvojës së keqe me regjimin e Gruevskit, jemi të prirur të jemi të kujdesshëm ndaj rrezikut që pushteti të përdorë paditë për frikësimin e gazetarëve.

Avokati Ivan Breshkovski, i angazhuar nga SHGM për ofrimin e ndihmës falë juridike për gazetarët, thekson se paralajmërimi i padive për shpifje nga funksionarë publik kanë shqetësuar bashkësinë e gazetarëve, por shton se kjo nuk mund të ketë ndikim aq negativ  sikur në kohën e regjimit paraprak.

“Gazetarët janë të inkurajuar dhe nuk i trajtojnë këto kërcënime si shumë serioze. Bile mendoj se do të jenë edhe më tepër të provokuar të shkruajnë për tema që i tangojnë funksionarët që kërcënojnë”, pohon Breshkovski.

Interesante është që të dy njohësit e rrethanave kanë mendim ndryshe lidhur me mënyrën e veprimit të gjykatave ndaj lëndëve për shpifje kundër gazetarëve. Gjeorgievski vlerëson se praktika gjyqësore është përmirësuar ndjeshëm, duke përfshirë edhe zbatimin e praktikës së Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut.

“Sipas avokatëve me të cilët bashkëpunojmë në kuadër të Programit për ndihmë falas juridike, bile edhe në ditët më të rënda, shumica e vendimeve janë në mënyrë të përkryer në harmoni me praktikën e GJEPDNJ dhe mund të përdoren si shembuj të mirë për edukimin e gjykatësve dhe avokatëve të ri. Problem është standardi i dyfishtë, respektivisht trajtimi ndryshe i rasteve kur si paditës paraqitet ndonjë funksionarë i lartë qeveritar ose funksionarë politik”, thekson Gjergievski.

Nga ana tjetër, avokati Breshkovski është më i rezervuar në vlerësimin se gjykatësit zbatojnë praktikën e Gjykatës evropiane duke vlerësuar se ato nuk tregojnë interes për ta njohur çështjen.

“Mendoj se nuk duan fare të thellohen në temë, a prej mosinteresimit, ose nga se janë shumë të zënë, ose nga mosdija ose nga një lloj arrogance, e cila është shprehur përmes një komenti të një gjykatësi, të cilin e dëgjova në një seminar i cili thoshte: ”atje diku ndonjë gjykatë do ta na tregojë çfarë të bëjmë ne këtu në Maqedoni”, pohon ai dhe shton se ka edhe shembuj tjerë kur praktika e gjykatës në Strasburgut keqpërdoret kundër gazetarëve.

Pas dekriminalizimit të shpifjes në vitin 2013, partitë e pushtetit dhe të opozitës në përgjithësi janë përmbajtur të mos bëjnë padi për shpifje kundër gazetarëve. Përjashtim bënte ish drejtori i DSK, Sasho Mijallkov, i cili paditi gazetarët e javorës “Fokus”, ndërsa kryetari i BDI, Ali Ahmeti, ngriti padi kundër redaktorit të gazetës Lajm.

Në të dy rastet, Gjykata qytetare në Shkup pranoi si të bazuara paditë e Mijallokovit dhe të Ahmetit dhe shqiptoi dëme jomaterial dhe shpenzime për procedurën gjyqësore prej 10 mijë eurosh për secilin rast. Për rastin “Fokus” gjobën për dëmin ndaj reputacionit i siguroi Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë përmes një aksioni solidar me bashkësinë e gazetarëve dhe sektorin civil, ndërsa për rastin e “Lajm”, Gjykata e apelit lëndën e ka kthyer në rishikim. Gjykata qytetare e Shkupit më pas korrigjoi vendimin fillestar dhe refuzoi si të pabazë padinë e Ahmetit. Vendimi i njëjtë i gjykatës së shkallës së parë është konfirmuar edhe nga Gjykata e apelit, ndërsa Ahmeti kontestin e ka dërguar para Gjykatës supreme, e cila ende nuk është deklaruar për ankesën e tij.

Sipas të dhënave të SHGM, deri në fund të dhjetorit të vitit 2019, në Gjykatën qytetare në Shkup zhvillohen rreth 30 lëndë për shpifje kundër gazetarëve. Në krahasim me vitin paraprak, ka pasur një ngritje të vogël të padive, kur janë regjistruar rreth 25 padi kundër gazetarëve. Situatë e njëjtë me paditë ka qenë edhe në vitin 2017.

Qendra për gazetari hulumtuese SKUP Maqedoni, në vitin 2017 ka bërë një hulumtim për të gjitha paditë për shpifje nga viti 2011 deri në vitin 2016. Për gjashtë vit gjithsej në mbarë Maqedoninë janë ngritur 1909 padi, prej të cilave 497 para gjykatës qytetare në Shkup midis viteve 2013 – 2016. Për këto padi nuk ka të dhëna se si janë dorëzuar gjatë këtyre tre viteve para gjykatës. Prej tyre, kundër gazetarëve janë ngritur 173 padi, që është afër 34 për qind e numrit të përgjithshëm të padive.

Nëse hiqen këto padi nga Gjykata qytetare, prej 1412 padive tjera më shumë padi janë dorëzuar në vitin 2011, kur janë regjistruar gjithsej 604 padi. Vitin në vijim 2012 ka pasur 473 padi. Në tre vitet në vijim ka pasur një tendencë të rënies së padive. Në vitin 2013, vitin kur është dekriminilazuar shpifja, me të cilën janë amnistuar të gjitha paditë aktive para Gjykatës penale të Shkupit, numri ka rënë në 108. E njëjta tendencë është evidentuar edhe në vitet në vijim, në vitin 2014 ka pasur 94, ndërsa në vitin 2015, 81 dhe në vitin 2016, vetëm 52 padi.

Nëse krahasohen të dhënat e Skupit, ku janë përfshirë të gjitha paditë, SHGM regjistron vetëm paditë kundër gazetarëve. Sipas të dhënave të tyre, në vitin 2016 dhe 2017 ka pasur një tendencë të uljes së numrit të padive. Nëse në vitin 2016 ka pasur rreth 40 padi kundër gazetarëve, në vitin 2017 numri ka rënë në 30. Pjesa dërmuese e lëndëve janë raste të pazgjidhura nga vitet e mëparshme dhe një pjesë më e vogël padi të reja.

Autor: Naser Selmani

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për internet dhe shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e hapur” – Maqedoni.

Ky tekst është përgatitur në kuadër të projektit “Оbservatori i reformave mediatike“, të cilin e realizon Fondacioni për Internet dhe Shoqëri “Metamorfozis“, me mbështetjen financiare të “Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni“. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi vetëm e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron pikëpamjet e Fondacionit “Shoqëri e Hapur” – Maqedoni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button