Agjencia për Qasje të Lirë: Supremja e ka shkelur ligjin, pasi nuk i ka dhënë informatat për Naser Eshtrefin

Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, ka miratuar vendim me të cilin ka konstatuar se Gjykata Supreme e Maqedonisë së Veriut ka bërë shkelje ligjore pasi që nuk u është përgjigjur sipas dispozitave ligjore pyetjeve të redaksisë së Portalb.mk në lidhje me rastin e njohur në opinion si Naser Eshtrefi, i cili mbi 3 vite është bllokuar në sirtarët e gjykatës më të lartë të shtetit.

Agjencia konfirmoi se Gjykata Supreme e ka shkelur Ligjin për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, duke mos u përgjigjur në pyetjet që kanë rëndësi thelbësore dhe të cilat janë me interes publik.

“Pas shqyrtimit të ankesës dhe shkresave tjera në lidhje me lëndën, Agjencia konfirmoi se bartësi i informatës (Gjykata Supreme, shkrim i redaksisë) nuk ka vepruar në pajtueshmëri me dispozitat e Ligjit për Qasje të Lirë deri te Informatat me Karakter dhe nuk i ka dorëzuar informatat deri te kërkuesi në tërësi, në mënyrën dhe formën e theksuar në kërkesë”, thuhet në vendim.

Agjencia, gjithashtu i thotë Bartësit të informatës me karakter publik se, gjatë procedurës së dytë është i obliguar që t’i dorëzojë informatat e kërkuara në tërësi dhe të veprojë në pajtueshmëri me nenin 20, paragrafi 1 nga Ligji për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik i cili thotë “Nëse bartësi i informatave pozitivisht përgjigjet ndaj kërkesës dhe nëse kërkesa pjesërisht ose në tërësi e merr, për atë do të miratohet vendim.

Portalb.mk më 15 mars të vitit 2019-të deri te Gjykata Supreme, derisa kryetar ishte i shkarkuari nga detyra, Jovo Vangellovski, ka dorëzuar kërkesë për qasje deri te informatat me karakter publik, në të cilën ka parashtruar pyetjet në vijim:

  1. Pse ende nuk ka vendim nga Gjykata Supreme për rastin e njohur në opinion si “Naser Eshtrefi”?
  2. Pse pritet 3 vite që të miratohet vendim për këtë lëndë?
  3. Cilat janë arsyet, a ka diçka kontestuese që të mos miratohet vendim?
  4. Pse dy vjet e gjysmë (nga 04.08.2016) nuk u përgjigjeni pyetjeve tona gazetareske për këtë rast konkret?

Gjykata Supreme e ka shfrytëzuar deri në ditën e fundit afatin ligjor për të na kthyer përgjigje, gjegjësisht 1 muaj, edhe pse përgjigja e tyre prej dy rreshtave, nuk është përgjigje për asnjërën prej pyetjeve të lartpërmendura.

“Pas kontrollit në arkivin e Sektorit për vepra penale është konstatuar se: Në Gjykatën Suprem e të Republikës së Maqedonisë së Veriut është formuar lëndë, pas kërkesës për rishqyrtimit të jashtëzakonshëm të vendimit të plotfuqishëm, të dorëzuar nga i dënuari Naser Eshtrefi nga fshati Gërçec. Lënda është regjistruar sipas Kvp2.nr.39.2016, e njëjta është në punë te gjykatësi”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Supreme.

Nga përgjigja e marrë, redaksia e Portalb.mk, konstatoi se Supremja i ka shpërfillur pyetjet tona dhe për këtë kemi bërë ankesë deri te Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri te Informatat me Karakter Publik. Pas bllokadës së këtij institucioni, tani pas 10 muajve, u vendos për ankesën tonë, me të cilën u konfirmua se Supremja nuk ka vepruar sipas dispozitave ligjore.

Supremja, vazhdimisht nuk jep përgjigje thelbësore çdoherë kur kemi pyetur për rastin e Naser Eshtrefit. E njëjta mbi dy vjet e gjysmë thotë se vetëm “po punojnë në rastin”, por asnjëherë nuk tregon se çfarë po punojnë, cilat janë rezultatet dhe deri ku është procedura. Opinioni nuk e di se edhe sa do zgjatë kjo lëndë që sipas ekspertëve është bërë me shumë lëshime.

Rasti Naser Eshtrefi

Vrasja e maturantit Petkovski, ka ndodhur në maj të vitit 2014, kur ashtu siç njoftuan nga Gjykata, Eshtrefi ia ka vjedhur biçikletën maturantit Petkovski. Petkovski bashkë me të atin e tij, Sasho Petkovski i janë vënë pas Eshtrefit, ndërkaq në shëtitoren e Vardarit, në afërsi të Spitalit të Syve, e kanë mbërritur. Aty ka pasur një zënkë dhe si rezultat i asaj zënke, Eshtrefi e ka therur me thikë maturantin Petkovski.

Eshtrefi ka thënë që ndihet fajtor vetëm për vjedhjen, por jo edhe për ngjarjen e therjes, sepse ai e ka ditur se ata e kanë ndjekur, por nuk ka pasur qëllim që ta vret askënd, ndërkaq më parë nuk ka kryer asnjë vepër penale. Familjarët e Eshtrefit vazhdmisht kanë kërkuar që të ulet dënimi, por lënda tani për tani ka ngelur në duart e Vangellovskit.

Lëshimet në procesin gjyqësor

Pala ka reaguar ndaj gjykimit, pasi që sipas tyre i njëjti ka lëshime. Në vendimin e Gjykatës nuk është dëshmuar aspak motivi i Naserit si dhe pse të kishte dashur të vret Angjelin si dhe as elementi kyç: kush kë ka sulmuar më parë – që do të zbardhte gjithë rastin në favor të Naserit. Mbrojta thotë se Naseri nuk e ka njohur Angjelin, e as ka pas tendencë për ta vrarë, sikur te kishte tendence për ta vrarë do ta kishte sulmuar që në momentin fillestar kur e ka parë.

Pos kësaj, vendimi i Gjykatës thotë që Naseri e ka sulmuar Angjelin dhe ka ikur. Por kjo nuk është e vërtetë, avokatët thonë se babai i Angjelit në fund ka pranuar që e ka rrahur Naserin, duke theksuar që vetëm disa herë i ka rënë në shpinë ndërsa nga mënyra si është rrahur duket që i kanë shkaktuar 18 lëndime trupore të vërtetuara nga Instituti për kriminalistikë medicinale. Nga fotot e siguruara nga avokatët shihet se është rrahur dhe ia kanë grisur rrobat si nga para ashtu edhe nga pas.

Nga video incizimi mungojnë segmente me nga disa sekonda, ato janë prerë. Nuk është siguruar aspak momenti i sulmit edhe pse kamera kap edhe atë pjesë, me qëllim sepse sipas avokatëve, vërteton se Naseri nuk ka sulmuar i pari dhe që e ka kryer aktin në mbrojtje. Është prerë dhe momenti kur babai i Angjelit merr shkopin e bejsbollit nga vetura.

Sipas avokatëve, i dyshimtë mbetet fakti që thika që u ther Angjeli dhe druri me të cilin e rrahën Naserin nuk janë askund, dhe asnjëherë nuk u gjendën. Mbeti e pa-përgjigjur pyetja se prej nga ka vërtetuar gjykata se thika është e Naserit? Druri ka qenë shkop bejsbolli i marrë qëllimisht nga babai i Angjelit, gjë që vërteton tentim për hakmarrje, sipas avokatëve. Babai i tij e ka kthyer sërish në veturën e kaltër shkopin e bejsbollit dhe e ka mbështjellë me bluzë, kjo duket në video. Nëse gjendeshin armët e sulmit atëherë rasti do të merrte kahje tjetër- do të duhej të quhej rast klasik i vetëmbrojtjes, transmeton Portalb.mk.

Në gjykatë babai i Angjelit kishte thënë se ai me të birin kishin shkuar ta kërkojnë biçikletën dhe këtë Gjykata e ka marrë si motiv të vlefshëm. Por, avokatët thonë se motivi i babait dhe të ndjerit absolutisht nuk ka qenë ta kthejnë biçikletën e vjerdhur sepse biçikleta- gjë që e konfirmon edhe policia, nuk ka dalë as nga oborri i shtëpisë. Naseri e ka prekur dhe e ka lënë aty. Babai dhe Angjeli e kanë parë që është aty, megjithatë janë bërë gati duke marrë armë të ftohta dhe kanë shkuar e kanë pritur atë përballë Spitalit, që shihet edhe në kamerën e sigurisë.

Sipas avokatëve, duke e konfirmuar edhe gjyshi i Naserit, gjykatësi Ilija Trpkov ka dalë disa herë nga salla për të folur në telefon në momentet kur duhej të silleshe vendimi. Më pas vendimi është sjellë për 10 minuta kohë konsultimi, që le dyshime se ka qenë i përgatitur më herët. Sipas tyre, gjykatësi ka qenë i lidhur me ish kryeparlamentarin Trajko Veljanovski.

Vrasja e 20 vjeçarit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje, të cilën e vandalizuan disa qindra banorë të së njëjtës lagje, për shkak të vrasjes së maturantit Petrov. Të njëjtët kanë mbajtur protesta, ku i kanë bllokuar rrugët dhe kanë shkaktuar dëme në disa lokale, pronar të së cilave kanë qenë shqiptar.  Dëmet nga vandalizmi dhe huliganizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve dhe askush s’u dënua për veprimet e tilla.

Për më shumë rreth rastit “Naser Eshtrefi”, lexo: KËTU

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button