RMV, hyri në fuqi Ligji i ri për efikasitet energjetik

Ligji i ri për efikasitet energjetik, i cili u miratua javën e kaluar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe u botua në Gazetën Zyrtare, prej sot hyri në fuqi.

“Lligji i ri do të mundësojë realizimin e investimeve dhe masave të nevojshme në fushën e efikasitetit energjetik, duke ndjekur shembujt pozitivë nga vendet e BE-së dhe rajoni, ku efikasiteti energjetik sjell përfitime në shumë nivele, si për qytetarët, ashtu edhe për ekonominë në përgjithësi. Auditorët e energjisë dhe kompanitë e liçencuara për të kryer auditime të energjisë më në fund do të mund të fillojnë me punë dhe në këtë mënyrë të marrin pjesë aktive në përmirësimin e efikasitetit energjetik në vendin tonë”, thonë nga Ministria e Ekonomisë.

Ligji i ri, ndër të tjera, rregullon në detaje auditimet e energjisë së tregtarëve të mëdhenj dhe kontrollet e energjisë së ndërtesave si zona të ndara. Konkretisht, në të ardhmen auditimet e energjisë do të kryhen nga auditorë të trajnuar dhe të autorizuar për secilën zonë veç e veç – kontrollet e energjisë të tregtarëve të mëdhenj nga njëra anë dhe auditimet e ndërtesave nga ana tjetër.

“Kjo zgjidhje ligjore u siguron kushte të qarta pune auditorëve energjetik dhe kompanive që kanë marrë liçencat e auditimit të energjisë, si dhe punësime të reja në këtë sektor. Gjithashtu, duke i ndarë kontrollet në dy fusha të veçanta, ne presim cilësi më të lartë të kontrolleve të energjisë dhe kështu një rritje të efikasitetit të energjisë në përgjithësi. Në përputhje me zgjidhjet e propozuara të ligjit, sektori publik merr rolin udhëheqës dhe është i detyruar të japë shembull pozitiv në drejtim të përmirësimit të efikasitetit energjetik në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ligji parashikon detyrime dhe masa të shumta në këtë drejtim, me çka do të kisha përmendur detyrimet për ristrukturimin e banesave në sektorin publik në afat të mesëm dhe të gjatë dhe detyrimet e prokurimit publik të mallrave dhe shërbimeve ekskluzivisht me efikasitet energjetik”, shtojnë nga Ministria e Ekonomisë.

Më tej, ligji gjithashtu përcakton edhe detyrime për të monitoruar konsumin e energjisë dhe kursimet nga ana e komunave dhe personave tjerë të sektorit publik.  Ligji poashtu përcakton detyrime në lidhje me efikasitetin energjetik gjatë transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji, me çka plotëson dispozitat përkatëse të Ligjit për energjetikë.

Kjo zgjidhje ligjore specifikon dispozitat dhe kontratat-model që mundësojnë zbatimin e projekteve të përmirësimit të efikasitetit energjetik, si për rindërtimin e ndërtesave, ashtu edhe për investime të tjera në pajisjet dhe instalimet e energjisë.

Ligji gjithashtu sjell risi në lidhje me rolin e Agjencisë për energjetikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbështetjen e zhvillimit të shërbimeve energjetike përmes sigurimit të informacioneve, publikimit të kontratave-model dhe shembujve të provizioneve, si dhe mbështetjes teknike të sektorit publik në lidhje me shërbimet energjetike.

Më tej, ligji sjell risi në kërkesat për nxjerrjen në pah të informacionit dhe etiketës që shënon klasën e efikasitetit energjetik dhe eko-modelimin e produkteve që përdorin energji të ofruara në tregjet e shtetit. Duke vepruar kështu, ligji do të siguron ofertë të produkteve ekskluzivisht me efikasitet energjetik dhe informim të qytetarëve për nivelin e konsumit të grupeve individuale të produkteve.

Në fund, do të doja të përmend se për të mundësuar arritjen e qëllimeve dhe mbështetjen e politikave të efikasitetit energjetik të përcaktuara me këtë ligj, është parashikuar të themelohet edhe Fondi i efikasitetit energjetik si person juridik i pavarur.

Mjetet nga fondi do të përdoren për financim të projekteve dhe masave të efikasitetit energjetik, duke ndjekur shembuj nga vende tjera të Bashkimit Evropian, ku Fondet e efikasitetit energjetik ekzistojnë një kohë të gjatë dhe kanë ndihmuar me sukses zhvillimin e shërbimeve energjetike dhe përmirësimin e efikasitetit energjetik në përgjithësi. Kushtet detale dhe mënyra e funksionimit të Fondit do të rregullohen me ligj të veçantë.

Risia është se çdo qytetar i cili tashmë është i kyçur në sistemin e ngrohjes do të jetë në gjendje të shkyçet nga sistemi ekzistues i ngrohjes vetëm nëse sistemi që ai planifikon të kyçet ose sistemi individual i ngrohjes dhe / ose ftohjes që do të përdor do të sigurojë performanca më të mira të energjisë, që nënkupton të jetë më efikas dhe do të zvogëlon përdorimin e energjisë parësore në krahasim me sistemin e ngrohjes qendrore dhe / ose ftohjes me të cilin është lidhur, duke marrë parasysh energjinë e nevojshme për ekstraktim, shndërrim, transportim dhe shpërndarje, të cilën mund ta vërtetoj me një raport të kontrollove të energjisë të kryera më herët të përgatitur nga ekipet e kontrolluesve të cilët janë të autorizuar për kontrolle të energjisë nëpër ndërtesa.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button