Hetim mbi procesin e privatizimit, ashtu si Bullgaria

Aferat e shumta korruptive të privatizimit të kapitalit shoqëror, të filluara mbas vitit 1990, kanë shtyrë prokurorin e përgjithshëm të Republikës së Bullgarisë, Ivan Geshev, të urdhërojë Agjensinë Shtetërore të Sigurisë Kombëtare, që të bëjë verifikimin e plotë të procesit të privatizimit dhe të kontrollit të tij nga ministritë, agjensitë dhe organet e tjera shtetërore të ngarkuara me këtë çështje. Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë së Bullgarisë, verifikimi duhet të përfshijë të gjitha marrëveshjet e privatizimit, mënyrat si janë bërë pagesat, – pavarësisht llojit të mjeteve pagesore, si dhe të gjitha veprimet e ndërmarra për zbatimin e mbikqyrjes pas privatizimit. Agjencia Shtetërore e Sigurisë Kombëtare në Bullgari, duhet të përcaktojë a janë grumbulluar mjetet, kamatat, dëmshpërblimet dhe garancitë e parashikuara konform marrëveshjeve të privatizimit, përfshirë këtu edhe përmbushjen e tyre të pjesshme dhe moskryerjen e detyrimeve.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me ligjin e pagave, filloi transformimi i kapitalit shoqëror. Nga viti 1993 filloi edhe transformimi në shoqëri aksionare, ku në gjithë kohëzgjatjen e procesit u shitën aksionet në 1.700 ndërmarrje, me çka shteti përfitoi mbi 2 miliardë e 300 milionë euro. Vlera reale e këtij kapitali shoqëror të privatizuar në mënyrë të paligjshme dhe kriminale, nga ekspertët është vlerësuar se kap shumën e përgjithshme prej mbi 6 miliardë dollarë. Në procesin e privatizimit, Maqedonia e Veriut dhe Rumania llogariten si shtetet më me parregullsi në këtë proces, në nivel të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Gjatë gjithë viteve të tranzicionit shtetëror, asnjë prokurori e asnjë qeverie në Maqedoninë e Veriut, nuk ka bërë hetime për mënyrën se si u privatizua kapitali shoqëror, edhe pse kohë pas kohë, kanë dalë në skenë skandale të cilat lidhen me mënyrën korruptive të privatizimit. Një ndër këto skandale, rastësisht doli në pah, nga e ashtuquajtura afera e përgjimeve, mbi të cilën ish Prokuroria Speciale ngriti lëndë hetimi në lidhje me privatizimin e “Bankës së postës”, në të cilën u përfshi si i dyshuar dhe ish kryeministri Lupço Georgevski, në kohën e qeverisjes së të cilit u privatizua një numër i madh i kapitalit shoqëror. Kohë e cila njihet edhe për manipulimet e shumta në këtë proces privatizimi të ndërmarjeve shoqërore, të lidhur me persona të influencës politike dhe botës së krimit, ngjashëm si periudha e udhëheqjes së Branko Cërvenkovsit me privatizime të manipulueshme për përfitime personale dhe klanore. Ndodhi hetim i rastësishëm, pasi arsye se rasti doli në sajë të aferës së përgjimeve të paligjshme dhe kompetencës e detyrimit për tu marrë më këtë çështje nga ish Prokuorira Speciale, e jo nga ndonjë angazhim tjetër prokurorial.

Lënda “Banka e Postës”, e cila edhe sot vazhdon si proces hetimi në Prokurorinë e Rregullt që i ndjek këto vepra penale të dala nga përgjimet e paligjshme, ndiqet nga po të njëjtët prokurorë të ish Prokurorisë Speciale. Ёshtë hetim që ka të bëjë me dyshimin e veprave penale të kreditimeve të parregullta apo në kundërshtim me Ligjin për Bankat, për të përfituar persona dhe subjekte të caktuar, të mira materiale, aksione të “Bankës së postës”, të blera në mënyrë antiligjore duke shfrytëzuar po pasurinë e “Bankës së postës”. Sipas prokurorisë në fjalë, dyshohet se nga kryerësit është konsumuar vepra e rëndë penale Keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe autorizimit. I dyshuari Tome Glavçev dhe Ratko Dimitrovski, duke shfrytëzuar pozicionin e tyre në “Bankën e postës”, kanë vepruar ashtu që i dyshuari Kole Smilevski të miratojë kredi në kundërshtim me ligjin, për persona  të lidhur me ta.

Duhet të përmendim faktin se për disa të dyshuar të tjerë në këtë lëndë, ka ndodhur vjetërsimi i ndjekjes penale, ku përfshiheshin edhe dy ish kryeministrat Lupço Georgevski dhe Nikolla Gruevski (në cilsëinë e ministrit të financave). Kujtojmë që Afera “banka e postës” përfshihet edhe në lëndën “Reket” me aktakuzë për ish kryeprokuroren e speciales Katica Janeva, e cila ka kërkuar nga prokurori i lëndës “Banka e postës”, Burim Rustemi, të favorizojë të dyshuarin (biznesmenin) Tome Glavçev, duke mos i ngrirë atij banesën, se kinse e njejta i është shitur një mikeshes së saj,  të cilën më vonë prokurori Rustemi e ka kuptuar se i përket Sasho Vasilevskit,  sipas një kontrate shit-blerjeje me të dyshuarin Glavçev. Theksojmë që Sasho Vasilevski të cilit i është shitur banesa, ka qenë antar i Këshilit Prokurorial dhe drejtor i MEPSO-s. Janeva gjithashtu ka kërkuar nga prokurorët e lëndës së hetimit “Banka postare”, që të ndalojnë me hetimet dhe të mbyllin lëndën. Këtë e ka dëshmuar vetë prokurori Rustemi i pyetur në cilësinë e dëshmitarit.

Shkurtimisht përmendëm shembullin e rastit “Banka e postës”, si një prej mënyrave me të cilën është bërë korrupsioni në procesin e privatizimit. Ndoshta kjo si mënyra më e përhapur me të cilën është bërë manipilimi, nga persona që nuk kanë pasur fuqi financiare të blejnë paketën e aksioneve dominuese (mbi 50% të aksioneve) dhe të bëhen udhëheqës të ish kapitalit shoqëror në ndërmarjet shoqërore përkatëse. Ndryshe mund të përshkruhet si përvetësim antiligjor pasurie, nga persona me veprimtari korruptive apo të nënshtruar akteve te cilat bien ndesh me ligjet e kohës, duke i bërë dëm buxhetit të shtetit dhe produktivitetit për një treg të shëndoshë ekonomik nga sektori i privatizimeve. E gjitha kjo, në një kohë ku posedues të paketave udhëheqëse të aksioneve në shoqërite aksionare, do të duhej të ishin persona që paraprakisht i kanë mjetet financiare të ligjshme dhe me këto mjete të konkuronin në berzë (aty ku buhet shit-blerja e aksioneve) apo mënyra tjera të shitjes së aksioneve të përcaktuara nga Agjensioni i Privatizimit.

Jo vetëm Bullgaria e cila tashmë në mënyrë zyrtare ka filluar hetimin mbi mënyrën e shit-blerjes së aksioneve nga procesi i privatizimt,  por edhe në Republikën e Kosovës, e cila është akoma në këtë proces, përplasja, akuzat dhe dëshmitë për keqpërdorim, kanë qenë të shumta. Eksperti i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se fundmi për mediat, se: “Duhet me urgjencë të themelohet një Gjykatë Speciale për hetim të procesit të privatizimit pasi do të dëshmohet përmirësim i imazhit të saj duke e bërë këtë proces më transparent. Që karakterizohet si një ndër proceset më të dështuara dhe nga i cili proces janë forcuar grupet e caktuara të interesit, janë humbur vendet e punës është degredauar procesi i zhvillimit ekonomik. Ky proces hetimor duhet të jetë prioritet i Qeverisë aktuale dhe asaj që do të vijë.”

Prokurori i Përgjithshëm i Maqedonisë së Veriut, Lubomir Joveski, po të ketë guxim, vizion prokurori dhe profesionalizëm, mund të veprojë ngjashëm si kolegu i tij në Republikën e Bullgarisë, të urdhërojë hetim nga organet shtetëtore kompetente, mbi gjithë mënyrën e privatizimit, që nga viti 1993. Ashtu si kërkohet dhe vlerësohet vetingu në sistemin e drejtësisë dhe zyrtarëve publik, me projektligje dhe iniciativa parlamentare politike,  ashtu edhe një ligj i mundshëm për revizion ndaj procesit të privatizimit, do të ishte i vlerësuar nga interesi popullor, për secilën parti politike të nismave të tilla. Do të ishte i vlerësuar edhe për secilën prokurori të asaj qeverie, e cila do të hetonte parregullsinë e këtij procesi, më pas kthimin e pasurive të vjedhura popullit, në arkën e popullit, pasuar me dënimet penale për kryerësit e veprave të tilla.

Prokuroria jonë të ndjekë shembullin e Republikës së Bullgarisë, të shtetit të rrethanave të ngjashme të privatizimit. Lë të bëhet një prokurori aktive në luftën kundër korrupsionit, për të mos i lënë askujt mundësinë të gjallërojë mbi krimin e bërë. Me siguri të jetë edhe si mësim për të tjerët, të kuptojnë se manipulimet e ngjashme, një ditë do të ndiqen dhe ndëshkohen. Në këtë mënyrë hetimi të plotë dhe të penalizueshëm, nga sektorë të specializuar të kësaj sfere, të organizuar në gjykata të mundshme penale në vend, i jepet goditje korrupsionit kur ai mendon se ka shpëtuar, ka fshehur gjurmët apo se është transformuar në biznes të ligjshëm.

Nevojitet drejtësi e cila, të gjithë atyrë që kanë blerë në mënyrë të paligjshme privatizimin e ish kapitalit shoqëror, minimalisht t’ja konfiskojë pasurinë dhe kthejë arkës së shtetit, në procedurë ligjore dhe gjykata meritore, dhe të njëjtat aksione dominuese t’ju shiten personave apo subjekteve juridik të cilët kanë pasuri të justifikueshme, me procedura të kontrolluara ligjore dhe pa favorizime të klaneve politike dhe ndërhyrjeve kriminale. Aksionet dominuese t`ju shiten blerësve me pasuri të lejueshme, ata të cilët si rrjedhojë e pastërtisë, nuk do ti shohin shoqëritë aksionare si zhvatje e vazhdueshme; vjedhje e taksave të buxhetit të shtetit; ulje të pagave; nepotizë dhe pakësim i numrit të punëtorëve, e gjitha si vazhdimësi e vesit të tyre të manipulimeve fillestare në blerjen e kapitalit shoqëror, të dëshmuar manipulime edhe pas privatizimit.

 

Hetime të këtilla nga ana e prokurorisë, janë parakushtet e një qeverisjeje të drejtë, e një demokracie të shëndoshë, ku e mira publike është e shenjtë dhe e pakompromistë, kundrejt asnjë interesi individual e grupor, qoftë partiak apo jo.  E në fund rikujtojmë se, sipas ekspertëve, dëmi në buxhetin e shtetit, nga korrupsini në procesin e privatizimit të kapitalit shoqëror në Republikën e Maqedonisë Veriut, vetëm në aspektin e vlerësimit të kapitalit shoqëror, kalon 3 miliardë euro. Shtuar pastaj blerjet e paligjshme nga larja e parave, kreditimeve anti-ligjore, konflikte interesi, e të tjera me rradhë, e bëjnë dëmin e pallogaritshëm të këtij proces privatizimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button