Forcat siriane konsolidojnë kontrollin në Alepo

Ushtria siriane tha se kishte marrë kontrollin e plotë të dhjetëra fshatrave në rajonin veriperëndimor të Alepos, dhe do të vazhdonte me fushatën e saj për të “zhdukur” grupet militante “kudo që gjenden”.

Përparimet u bënë pasi forcat e presidentit, Bashar al-Asad, larguan kryengritësit nga autostrada M5 që lidhte Aleonin me Damaskun, duke rihapur rrugën më të shpejtë midis dy qyteteve më të mëdha të Sirisë, për herë të parë në vitet e fundit.

Ky operacion po shihet si një përfitim i madh strategjik për Asadin, transmeton REL.

Vetë presidenti Asad, gjatë një paraqitjeje televizive paralajmëroi se konflikti nuk kishte mbaruar.

Të mbështetur nga sulmet ajrore ruse dhe të ndihmuar nga milicitë pro-iraniane, forcat qeveritare kanë intensifikuar që nga fillimi i vitit fushata e tyre për të rikthyer kontrollin në Alepo dhe pjesë të provincës fqinje Idlib në veri-perëndim të Sirisë.

Këto dy rajone janë bastionet e fundit që mbahen nën kontroll nga kryengritësit anti-qeveritarë që gëzojnë mbështetjen e Turqisë.

Ofensiva e forcave qeveritare në veriperëndim të Sirisë, që përkrahet nga Rusia, ka zhvendosur 900,000 persona nga dhjetori i vitit të kaluar, kanë thënë Kombet e Bashkuara.

OKB-ja po ashtu ka thënë se foshnjet janë duke vdekur nga të ftohtit pasi kampet janë të mbushura.

“Kriza në veriperëndim të Sirisë ka arritur në nivel të tmerrshëm”, ka thënë udhëheqësi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Çështje Humanitare, Mark Lowcock.

Ai ka thënë se pjesa më e madhe e personave të zhvendosur janë gra dhe fëmijë “të traumatizuar dhe të detyruar të flenë të temperatura tejet të ulëta sepse kampet janë plot”.

Presidenti amerikan, Donald Trump i ka bërë thirrje të dielën Rusisë që t’i japë fund mbështetjes për “mizoritë” e regjimit sirian në rajonin e Idlibit, ka thënë Shtëpia e Bardhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button