fbpx

Tetovë, Komuna ende nuk ka paraparë mjete për rregullim të rrugës “116”

Në tetor të vitit të kaluar banorët e lagjes “116” në Tetovë, dorëzuan kërkesë me mbi 200 nënshkrime në Komunën e Tetovës për rregullimin e rrugës. Në buxhetin e vitit 2020 të Komunës së Tetovës nuk janë paraparë mjete për rregullimin e saj, vetëm për projektim, shkruan Portalb.mk.

Rruga 116, Tetovë.
Rruga 116, Tetovë.

Rruga 116 e cila ndodhet në afërsi të varrezave të qytetit është e mbushur përplot me gropa, asfalt të dëmtuar të cilat pamundësojnë kalimin e disa veturave të banorëve të kësaj lagje. Faktin se kjo rrugë është e lënë pas dore, e vërtetojnë edhe mbeturinat të cilat gjenden në këtë lagje.

Banorët e kësaj lagje thonë se ata vetë kanë përpiluar projektin për rregullimin e lagjes, dhe në fund të muajit janar e kanë dorëzuar në Komunën e Tetovës, në mënyrë që punët të ecin sa më shpejtë. Ata thonë se vetë e kanë paguar këtë projektim.

“Ne u zhgënjyem shumë kur e pamë se në buxhetin e vitit 2020 të Komunës së Tetovës nuk janë paraparë mjete për rregullimin e rrugës tone, por vetëm për projektin e rregullimit të të njëjtës. Andaj, ne me vetiniciativë dhe nga xhepi jonë e bëmë projektin, e dorëzuam në Komunë dhe nga atje ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Nuk e kuptojmë se ku qëndron problemi, shumë rrugë tjera në Tetovë që kanë qenë në gjendje më të mire se rruga “116” janë rregulluar, kurse lagjja jonë çdo ditë e më shumë bëhet e pakalueshme” tha një nga banorët e lagjes, për Portalb.mk.

Rruga 116, Tetovë.
Rruga 116, Tetovë.

Por nga Komuna e Tetovës projektin e siguruar nga banorët e lagjes, e quajnë thjeshtë vlerësim dhe jo projekt dhe i njëjti nuk mund të përdoret. Ata thonë se kanë ndarë para vetëm për projektim të rrugës.

“Nuk ka një projekt të tillë nga banorët, ka një vlerësim për atë se përafërsisht sa do të kushtoje, por jo projekt. Andaj, duhet të porositet një projekt në mënyrë që e njëjta të mund të buxhetohet sepse në këtë mënyrë është e pamundur” thanë nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk.

Nga komuna nuk dhanë detaje se kur pritet të rregullohet rruga.

Banorët e kësaj lagje disa here me radhë kanë kërkuar nga institucionet kompetente që ta rregullojnë të njëjtën, mirëpo kërkesat e tyre nuk janë përfillur. Në tetor të vitit të kaluar ata bënë një kërkesë në të cilën nënshkrues kanë qenë mbi 200 banorë të lagjes, me anë të së cilët kërkuan nga Komuna e Tetovës që në mënyrë urgjente të intervenojnë në asfaltimin e kësaj rruge.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button