Pompeo e uroi Kosovën në përvjetorin e 12-të të shtetësisë

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka përgëzuar Kosovën në përvjetorin e 12-të të pavarësisë së saj, duke thënë se sovraniteti dhe pavarësia e këtij shteti janë shumë të rëndësishme për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatën e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, është thënë se Shtetet e Bashkuara janë të motivuara nga ngjarjet e fundit, që janë shenjë e lehtësimit të investimeve, turizmit, tregtisë dhe lidhjeve me Serbinë.

Me këtë rast, Pompeo, duket se u është referuar marrëveshjeve të arritura mes zyrtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë për vendosjen e linjave ajrore dhe atyre hekurudhore në mes të të dyja vendeve.

Nënshkrimi i marrëveshjeve është lehtësuar nga ambasadori amerikan në Berlin, Richard Grenell, transmeton REL.

Sipas Pompeos, këto zhvillime shtrojnë rrugën për përparim më të madh në normalizim të marrëdhënieve në të ardhmen e afërt.

Sekretari amerikan ka përmendur edhe gatishmërinë e SHBA-së për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën.

“Për më shumë se një dekadë, të dyja shtetet kanë gëzuar lidhje të forta, të bazuara në vlera të përbashkëta. Shtetet e Bashkuara mbështesin Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit në institucionet transatlantike dhe do të vazhdojnë të punojnë në fuqizim të sundimit të ligjit, luftim të korrupsionit dhe nxitjes së begatisë ekonomike për të gjithë qytetarët e Kosovës”, është thënë në komunikatë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button