Ramush Haradinaj arrin në Prishtinë (VIDEO)

Ramush Haradinaj ka mbërritur në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” rreth orës 17:30 minuta, ku është pritur me nderime shtetërore nga kryeministri, Hashim Thaçi.

Të dy ish luftëtarët e UÇK-së mbajtën një konferencë të shkurtë për media në aeroport.

Thaçi dhe Haradinaj shprehën kënaqësinë që edhe drejtësia ndërkombëtare u shpreh se rruga për liri e Kosovës ka qenë e pastër dhe e drejtë.

“Shpreh falenderimin tim për pritjen, dhe për kujdesin që më bëhet mua dhe bashkëluftëtareve. Edhe pse me një proces,  unë kam jetuar me ju,  me vendin, jam gëzuar për arritjet, jemi mërzitur për vështirësitë për sfidat, por sot jam i gëzuar që edhe drejtësia ndërkombëtare u shpreh se rruga jonë për liri ka qenë e pastër dhe e drejtë. Të kemi besim  që së bashku do të kalojmë sfidat që na presin. Unë siguroj që do të punoj me të gjithë ju për të arritur fitore të ardhshme.”- tha Haradinaj.

Kryeministri, Hashim Thaçi e cilësoi mbërritjen e zotit Haradinaj si një lajm shumë të gëzuar për Kosovën si dhe për luftën e drejtë dhe të pastër te zhvilluar me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi e cilësoi lirimin e Haradinajt si një plotësim të asaj feste madhështore që u organizua në Shqipëri dhe në mbarë trevat shqiptare me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë.

Haradinaj do të vizitojë familjen e tij të ngushtë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, kurse më pas në ora 19.00 ai do t’ju drejtohet me një fjalë rasti qytetarëve në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë.

Qytetarë të shumtë kanë dalë te aeroporti për të pritur ardhjen e gjeneralit të UÇK-së Ramush Haradinajt dhe dy bashkëluftëtarëve të tij, Lahi Brahimajt e Idriz Balajt./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button