ANALIZË: Gjendja pronësore e deputetëve nga blloku politik shqiptar në RMV

Fletët aktuale anketuese përmbajnë të dhëna për gjendjen e fundit të raportuar të pasurisë së deputetëve. Disa prej tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve kanë disa Fletë anketuese, varësisht nga funksionet që i kanë pasur para mandatit parlamentar. Rregullativa ligjore parashikon dhe i obligon deputetët të plotësojnë Fletë të re anketuese më së voni 30 ditë nga përfundimi i mandatit të tyre. Në këtë analizë e përfshijmë gjendjen aktuale të pasurisë që e kanë raportuar deputetët. Pasi të publikohen Fletët e reja anketuese, do të jetë interesante të shihet nëse te ndonjëri prej tyre ka ndryshime të gjendjes pronësore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk

Disa me prindër të pasur, të tjerët pa llogari për transaksione bankare…

Ali Ahmeti
Ali Ahmeti

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e le këtë mandat me një llogari të raportuar të transaksioneve, në të cilën ka 758.500 denarë. Në Fletën momentale anketuese, si pronë personale ai ka paraqitur një shtëpi prej 254 metrash katrorë në fshatin Zajas, me një vlerë të vlerësuar prej 100,000 dollarësh, tokë bujqësore prej 700 metrash katrorë në Shqipëri, në vlerë prej  30,000 dollarësh, dhe një automobil në emër të bashkëshortes, në vlerë prej 7.000 eurosh.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, në Fletën momentale anketuese ka raportuar një banesë në Shkup në vlerë prej 100.000 eurosh, dy vetura në emër të tij, njëra prej të cilave është Audi A6 e vitit 2011, me vlerë prej 1 milion denarë. Në llogaritë e tij bankare, atë të transaksioneve dhe të kursimeve, ka rreth 12.400 euro. Në vlerë prej 1 milion denarësh, gjithashtu ka raportuar edhe legalizimin e ndërtimit shtesë të pronës.

Talat Xhaferi. Foto: Portalb.mk
Talat Xhaferi. Foto: Portalb.mk

Në regjistrin e KSHPK-së, kryetari aktual i Parlamentit, Talat Xhaferi, ka paraqitur tre Fleta anketuese për gjendjen pronësore për shkak të tre funksioneve të ndryshme publike që i ka mbajtur deri më tani. Si kryetar i Parlamentit, Xhaferi largohet pa llogari të raportuar bankare të transaksioneve, dhe me kredi të raportuara në vlerë prej 35.500 eurosh. Si pronë personale, Xhaferi ka raportuar dy vetura, të dyja të markës Audi A6 të vitit 2018, shtëpi në fshatin Forinë me sipërfaqe prej 340 metrash katrorë në Shkup, banesë në Shkup në vlerë prej 2.200.000 denarësh. Janë raportuar edhe dy vetura në emër të fëmijëve dhe rroga prej 17,000 denarësh në emër të gruas.

Deputeti dhe lideri i ASH-së, Ziadin Sela
Deputeti dhe lideri i ASH-së, Ziadin Sela

Deputeti dhe kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në Fletën aktuale anketuese ka paraqitur një shtëpi prej 300 m2, tokë prej 3.190 m2 dhe pyll prej 15.157 m2 – të gjitha në fshatin Livadhi të Strugës. Që nga viti 2014, Sela ka një kredi në vlerë prej 610,000 në emër të tij, ndërsa në llogarinë e tij të transaksionit ka 3,300 denarë. Në fletën anketuese figuron edhe automobili i  markës Jaguar në vlerë prej 10,000 eurosh.

Dy llogari transaksionesh pa saldo dhe dy vetura me vlerë të përgjithshme prej 13,000 eurosh. Kjo pronë personale është raportuar në Fletën aktuale të deputetit dhe kryetarit të Alternativës, Afrim Gashi. Në emër të gruas së tij, ai ka raportuar stoli me vlerë të vlerësuar prej 120,000 denarësh dhe një makinë në vlerë prej 166,000 denarësh, ndërsa në emrin e prindërve të tij ka paraqitur një banesë në Shkup me vlerë të vlerësuar prej 40,000 eurosh, pension si dhe tokë dhe shtëpi në proces të transformimit dhe legalizimit.

Fadil Zendeli
Deputeti i BESA-s, Fadil Zendeli

Deputeti Fadil Zendeli nga Besa, si pronë personale në Fletën aktuale anketuese, i ka shënuar dy kreditë në vlerë prej 25.000 eurosh, 1.077 m2 tokë në Rostushë, automobil me vlerë të paraqitur prej 10.000 eurosh, ndërsa në emër të prindërve të tij ka raportuar një banesë prej 60m2 në Gostivar dhe shtëpi prej 450m2, po ashtu në Gostivar. Në emër të gruas së tij, ai ka raportuar kredi në vlerë prej 920,000 denarësh.

Teuta Bilalli
Teuta Bilalli

Deputetja Teuta Bilalli nga Besa, sipas të dhënave nga Fletën aktuale anketuese nuk ka asgjë në emrin e saj – gjithçka që e ka raportuar është në emër të prindërve të saj, përveç veturës me vlerë prej 430.500 denarësh, në emër të bashkëshortit të saj.  Sipas të dhënave nga Fleta anketuese, prindërit e Bilallit posedojnë një sasi të madhe të pasurive të patundshme, me vlerë prej rreth 3.5 milion eurosh. Kështu, ajo ka raportuar se prindërit e saj posedojnë tokë bujqësore me vlerë të raportuar prej 145,000 eurosh, dy shtëpi me hapësirë afariste, oborr, tokë me vlerë prej 280,000 eurosh dhe një ndërtesë banimi në Tetovë me sipërfaqe prej 1.024 m2 dhe vlerë të raportuar prej rreth 3 milion eurosh, si dhe një banesë prej 91 m2 në Tetovë me vlerë prej 54.600 euro. Për më tepër, familja posedon edhe dy kullota në Tetovë.

Menduh Thaçi
Menduh Thaçi

Sipas të dhënave aktuale, kreu i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Menduh Thaçi, ka raportuar se posedon dy shtëpi, njëra me një oborr, me vlerë prej 13,000,000 denarësh në Tetovë, dhe tjetra me hapësirë afariste dhe oborr me një vlerë të raportuar prej 4,575,000 denarësh, po ashtu në Tetovë. Në llogarinë e transaksionit, Thaçi ka 141,500 denarë, ndërsa në llogarinë e tij të kursimit 103,356 euro, depozitë në vlerë prej pothuajse 53,000 eurosh ka edhe gruaja e tij, e cila posedon edhe veturë prej 240,000 denarësh. Si deputet, Thaçi ka raportuar se posedon kredi në vlerë prej 861,000 denarësh, si dhe një hua të dhënë në vlerë prej 22.300 eurosh.

Deputetja e PDSH-së, Merale Ferati e ka quajtur teatër punën e sotme të Komisionit për kulturë
Deputetja e PDSH-së, Merale Ferati

Si deputete e PDSH-së, Meral Uzeiri-Ferati, ka raportuar se në emrin e saj nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme – gjithçka është në emër të bashkëshortit të saj. Familja posedon hapësirë afariste në Tetovë, me vlerë të raportuar prej 50,000 eurosh, shtëpi në Tetovë me sipërfaqe prej 300 m2 dhe me vlerë prej 250,000 eurosh, automobil të markës Audi A6 me vlerë prej 360,000 denarësh, si dhe dy kredi në vlerë të përgjithshme prej 25,000 eurosh.

Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk
Syrija Rashidi. Foto: Portalb.mk

Tokë ndërtimore me vlerë prej 3 milion denarësh dhe Audi 6 në emrin personal ka raportuar deputeti Surja Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët. Në Fletën aktuale anketuese, si pronë e përbashkët e fituare me trashëgimi, familja Rashidi posedon tokë, livadhe, vreshta, pyje dhe një veturë me vlerë 8,000 euro, në emër të bashkëshortes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button