Mësuesi

E kaluara e brezit tim ka qenë e vështirë. E patëm fatin që të rritemi në një kohë kur shoqëria shqiptare doli e rraskapitur nga errësira e Mbretërisë jugosllave dhe nga patriarkalizmi duhej ta hapte derën e të futej në botën e panjohur të socializmit. Vërtetë në këtë kohë u bë një hap përpara në krahasim me mbretërinë, për shkak se ishin hapur shkollat fillore në gjuhën shqipe e aty-këtu ndonjë shkollë e mesme. Mirëpo premtimet e komunistëve për një barabarësi midis të gjithë popujve nuk u realizuan. Prapë shqiptarët mbetën fajtorët kujdestarë, prapë ndiqeshin, kurse për ne fëmijët e atëhershëm nuk hapej ndonjë perspektivë për të dalë nga mjerimi ekonomik e kulturor.

Disa prej nesh patëm fatin të regjistrohemi në shkollën normale ose si e quanim atëherë, në paralelen pedagogjike pranë gjimnazit të Tetovës. Vinim në shkollë nga fshatrat e largëta, kurse rreth nesh ishte frika nga e panjohura, frika që e shkakton mjerimi ekonomik, frika nga përbuzja e madhe që na e bënte pushteti pse ishim shqiptarë… Varfëria na vinte prapa si hije mallkimi, shumica ecnim shumë e shumë kilometra, me bukë e pa bukë, të veshur si personazhet e Migjenit, sikur të kishim dalë nga bota e Çehovit dhe Kafkës.

Çdo njeri në këso kushtesh do të vihej para një sprove të madhe dhe do të kërkonte të dalë e të ikë nga situata e tillë. Do të kërkonte ndonjë zgjidhje tjetër, ku do ta ndjente pak aromën e lirisë dhe ku nuk do të ndjehej keq pse ishte shqiptar. Nëpër këtë dëshpërim dhe me ndjenjën e pamundësisë në rrethanat e këtilla, ne ishim si zogj të braktisur…

Megjithatë ne ishim të lumtur. Ishim të lumtur se patëm fatin të regjistrohemi në shkollë të mesme, e cila na i hapte dyert e ëndrrave, por më shumë ishim të lumtur se një pjesë e madhe e arsimtarëve u gjetën pranë nesh e nuk na lanë të jemi zogj të vetmuar. Midis tyre veçohej profesor Murati, i cili në ato vite të largëta ishte edhe shkrimtar i njohur ndër shqiptarë. Në kujtesën time ai ka mbetur si mësues i papërsëritshëm dhe si njeri i cili na ndihmoi ta mësojmë iniciativën dhe vendosmërinë. Ai na mësoi mos të dorëzohemi. Na i zbuloi bukuritë e gjuhës shqipe dhe na e zbuloi mrekullinë e letërsisë.

Me profesor Muratin ne nxënësve na lidhte, jo vetëm shkolla, na lidhte diçka metafizike, na lidhte fija e frymëzimit që e tjerrin muzat. Neve si një energji e re e cila fluturonte drejt ardhmërisë më të mirë, kurse atë si poet dhe si njëri ndër pedagogët e parë të këtyre anëve të munduara. Të dy palët pra vareshim nga fuqitë hyjnore. Mirëpo neve na lëshonte lehtë prushi i shenjtë. Ishim një vullkan që shpërthente dhe shuhej shpejt. Me pak e për pak ne mund të dekurajoheshim.

Po pranë nesh ishte profesor Murati, i cili e kishte çelësin magjik dhe i hapte dyert e pamundësisë për ne. Ai ishte tjetër. Një njeri çfarë nuk e kishim pasur nëpër mjediset tona rurale e mikroborgjeze të kasabasë së atëhershme të Tetovës, të cilën pushteti donte ta kthente në një pallankë, me qëllim që ta thyejë konstruksionin e çuditshëm të traditës sonë ku ruhej me vendosmëri gjuha shqipe. Ishte pedagog i palodhshëm, artist i veçantë. Me zjarr na i tregonte peizazhet më të çuditshme të botës shpirtërore shqiptare, na e shpalonte palë-palë bukurinë e gjuhës shqipe, ndonëse syri i madh e i padukshëm i pushtetit e përcillte hap pas hapi. Ai ishte i vetëdijshëm për rrezikun, por ishte një lis të cilin vështirë se mund ta rrëzonte furtuna. E vazhdonte punën, duke u bërë shembull si me përgatitjen e tij të përhershme për mësim, ashtu edhe me elegancën e paparë.

Në orët e tij ne shkëputeshim nga realiteti, largoheshim nga pesha e rëndë e mjerimit ekonomik e politik. Ai na e tregonte anën tjetër të jetës, anën e panjohur për ne, anën e bukur, duke i thurur detajet në një kurorë bukurie të panjohur për ne. Ora e gramatikës te profesor Murati ishte orë argëtimi dhe më kujtohet sa lehtë depërtoja nëpër kthesat e vështira të pjesëve të ligjëratës dhe nëpër labirintet e sintaksës, për shkak se profesori ishte i qartë dhe pedagog i cili na merrte neve për të barabartë në punën që duhej bërë gjatë orës së mësimit. Në orët e letërsisë na e zbulonte fshehtësinë dhe fuqinë e poezisë. Dhe, me këtë rast vazhdimisht shembujt që i merrte për të na e shpjeguar poezinë na i recitonte vetë. Pas tij unë nuk hasa ndonjëherë ndonjë mjeshtër i cili di të recitojë ashtu siç recitonte profesor Murati. Do të kisha thënë nuk recitonte, por vargjeve iu jepte shpirt, i bënte të prekshme.

Ai ishte gjithmonë plot vrull. Nga kjo distancë më duket se burimi nga i cili e thithte frymëzimin nuk ishte në fshehtësitë qiellore, por te ne, te rinia shqiptare e këtyre anëve, populli i këtij pellgu, pellgut të Tetovës, që u përkthye si Pollog. Në mënyrë të veçantë ai ishte i lidhur me Malësinë e Tetovës, ku u lind dhe prej nga e solli gjithë atë lirikë në Tetovë.

Profesor Muratin rrethanat e detyruan të largohet nga arsimi. Mirëpo ai nuk u shkëput krejtësisht nga misioni i tij që t’u hapë perspektiva të rinjve. Derisa punonte në televizion, ku i vu themelet e një informimi në gjuhën shqipe, ai nuk pushoi me punën e tij prej mësuesi duke i drejtuar gazetarët e rinj në fushat e vështira të informimit.

Mirëpo puna e tij monumentale mbetet në krijimtarinë letrare. Profesor Murat Isaku është i pari që i ngriti përmendore të madhe gjuhës shqipe në këto anë, i pari që u ngriti përmendore shqiptarëve të Malësisë së Sharit. Nëpër veprën e tij malësorët “i treguan” hallet dhe dramat e tyre të mëdha në udhën e tyre të gjatë të mosgjunjëzimit. Nëpër vargjet e tij u derdhën dhembjet e banorëve të këtyre anëve dhe u ngrit lart zëri krijues, duke u bërë si monument për praninë e të bijve të shqipes në këto anë.

Pas gjithë asaj pune që ka bërë, tash emri i profesor Muratit është shndërruar në një përmendore, të cilën duhet ta respektojmë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button