DERVENI: SOCIOLOGJI PROVINCE (II)

Derveni ka qenë në situatë të disfavorshme edhe në aspektin ekonomik. Punëtorë manual ka qenë dervenasi. Ai ka punuar tokën e vet, arat e babës e të stërgjyshërve, ka prodhuar sa për veten e familjen, sa për të kaluar në pranverë e verë, kur ka marrë frymë më lehtë. Kategoria e dytë ka qenë ajo e të punësuarve në punë shtetërore, që kanë qenë pak më të privilegjuar, që kanë mundur të shijojnë minimumin e minimumit të të tjerëve. Por sërish punëtorë krahu. Zadruga, Karposhi, Graniti, Trudbeniku, Fonderia kanë qenë vednet e punës së shqiptarit tipik të Dervenit. Silueta e karrocave me kuaj të të ashtuquajturve me gabim “shqiptarë torbeshë” dhe biçikletave të “galecëve” janë ngulitur në memorien e çdo dervenasi.

Të parët iknin në punë shtetërore nga Kondova, Sullarja, Raçja, Semenishti, Bojana, kurse të dytët shkonin në pazar për t’i shitur ‘patlixhanat’ e biberët e tyre që i kultivonin me pasion në kuadër te ekonomisë familjare. Të parët dukeshin si më të integruar, kurse të dytët dilnin si më independistë, më të pavaruar, si të izoluar, ngaqë jetonin vetë dhe për vete, pa dashur të integrohen në shoqërinë e “dërzhavës” (shtetit) dhe “kaurrit” (sllavit). Edhe sot e këtë ditë kemi familjarë të këtillë që ndonëse në të shatëdhjetat me shtetin takohen vetëm kur sëmuren, që s’kanë pension dhe as që e diskutojnë këtë sepse kështu i mësonin të vjetrit: “Mos pi ujë në çeshëm të dërzhavës”. Sot gjednja ka ndryshuar shumë. Derveni apo komuna e Sarajit ka arritur që të ketë ndërmarrës të suksesshëm, kompani që garojnë në nivel shtetëror, madje edhe rajonal, 4-5 në top 200-shin në kuadër të gjithë Maqedonisë së Veriut.

T’i kthehemi dikotomisë së përmendur sipëfaqësisht më sipër. Derveni në vete ngërthen dy njësi kulturologjike, dy mendësi, dy botëkuptime që ndonëse janë shqiptare dhe albanofone dallojnë mes vete në tipare dhe karakteristika të ndryshme. Në fakt torbeshët janë “rekalinj”, pra banorë me gjenezë nga Luma (Reka) e Epërme, që kanë një gjuhë specifike, që dallon nga ajo e “galecasve” që flasin ndryshe dhe që tallen me dialektin rekas ose të karshiakasve si “shumë i rëndë”. Në fakt rekalinjtë me shumicë janë karshiakas, sepse janë banorë të dikurshëm të “karshi jakës” apo “anës përballë”, të përtej lumit Treskë (Gërçec, Krushopek, Stapetkë). Kjo divergjencë është prezente sadoqë brezat e kohës aktuale këto dallime i zbehin, ngase s’ka familje 100% të pastër të njërës apo të njësisë tjetër. Në fakt gjithnjë e më tepër po zbehet rekalizmi, në veçanti flas për Sarajin. Sidoqoftë, kjo është edhe mirë edhe keq, më shumë po integrohemi, ndërkohë që do të na humbë një element gjuhësor dhe kulturor relevant siç është gjuha që rekasit siç shprehen vetë e flasin “per bukuri”.

Një gjë tjetër që e dallon këtë trevë është edhe konservatorizmi si botëkuptim që tenton t’i ruajë vlerat e veta duke u mbyllur, duke mbajtur të gjallë vijën historike, duke kultivuar vlerat shpirtërore, religjioze pak më tepër sesa zonat e tjera Dervenasi apo sarajasi mund të jetë ndoshta tipi më konservator shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ndoshta mund t’ia kalojë vetëm Karshiaka e Largët (Studeniçani me rrethinë). Sot e këtë ditë kjo vlen, ngase thuajse në çdo shtëpi ka haxhi, ka lexues të librit të shenjtë islamik, xhamitë të premteve janë plot, mbulesa e gruas është prezente gjithandej dhe imazhi i hoxhës në përgjithësi ka autoritet. Ende familja, nëna, gruaja, motra janë të shenjta në Derven. Mund të ndodhin edhe akte që shkelin nderin familjar, por askush nuk i aprovon, madje personat e tillë në këtë ose në atë mënyrë ekskomunikohen. Në të kaluarën është derdhur shumë gjak për “prekjen në nder”, nganjëherë edhe për banalitete, duke u krijuar kështu rrathë viciozë të gjakmarrjes që sot thuajse janë zhdukur.

Aq konservator ka qenë dervenasi saqë edhe kurbetin e ka shpikur më vonë se shqiptarët tjerë, p.sh. shumë pas gostivarasve, tetovarëve e të tjerëve. Dervenasi ka lindur dhe ka vdekur në gjirin familjar. Sot ai është më i emancipuar në saje të diasporës por edhe me shumë devijime e anomali sociale. Jeton më mirë ekonomikisht, ndërsa turbulent kulturalisht. Por megjithatë është vital. Këtë e tregojnë edhe faktet demografike. Sipas të dhënave statistikore të Entit Statistikor Shtetëror të RMV-së për vitin 2018 (Природно движење на населението, 2018) në Saraj në vitin 2018 kanë lindur 694 fëmijë, shifër kjo që është shumë afër qytetit të dytë për nga madhësia, Manastirit (773), më e madhe se e Prilepit (681), se e Strumicës (607), Shtipit (458). Divorce ka pasur 7, në Manastir 67, Prilep 102, Strumica 62 dhe në Shtip 85.

Përkundër këtij vitalitetit demografik, sot Derveni nuk ka një imazh të mirë në opinionin e gjerë. Dy fshatra në veçanti kur përmenden ngjallin perceptime për një hapësirë të rrezikut dhe të patologjive sociale. Më parë përmendje për një “republikë të vogël rebele” që e tmerronte popullatën vetjake dhe kur donte “e kallte në çast”, sot për një “drogistan” në mes të bujqësisë, për elemente dhe fenomene shoqërore devijante, madje kancerogjene që prishin imazhin e njeriut të ndershëm që dikur s’ka ditur për sherre e punë të këqija të kësaj natyre që shehri dhe “tjetri” i ka pasur shumë më herët.

Vështrimet mbi profilin e Dervenit dhe dervenasit si kategori sociologjike na japin të kuptojmë se bëhet fjalë për një rajon me zhvillim të hovshëm në të gjitha sferat, socio-ekonomike, kulturore, sportive, intelektuale etj., por edhe për një zonë të shumë sfidave, të turbulencave që kohë pas kohe trazojnë klimën dhe sedrën e të gjithëve. Andaj, nevojitet një mobilizim kolektiv, gjithëpërfshirës, nga institucionet publike, deri te mediat, OJQ-të e deri te qytetari për të pasur një Derven më tërëheqës, më të civilizuar në plotkuptimin e fjalës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button