Izraeli bombardoi Damaskun, 7 të vrarë

Si pasojë e bombardimit izraelit ndaj kryeqytetit sirian Damask të enjten mbrëma të paktën 7 persona e kanë humbur jetën, përfshirë 4 oficerë iranianë, tha qendra e vëzhgimit sirian, transmeton Anadolu Agency (AA).

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut me qendër në Londër (SOHR) raportoi, duke cituar burime lokale, se gjatë bombardimit janë vrarë tre anëtarë të regjimit sirian, përfshirë dy oficerë dhe katër iranianë.

Më tej thuhet se raketat izraelite targetuan zonën e Aeroportit Ndërkombëtar të Damaskut.

Grupi gjithashtu tha se sulmet ndodhën pas mbërritjes së një avioni mallrash në zonën e targetuar, duke shtuar se nuk është e qartë “nëse avioni mbërriti nga Irani apo nga një zonë tjetër brenda territorit sirian”.

Agjencia zyrtare siriane e lajmeve SANA raportoi të enjten vonë se mbrojtja ajrore e ushtrisë “interceptoi objektiva armiqësore në hapësirën ajrore të Damaskut”.

Duke cituar një burim ushtarak, SANA shtoi se “mbrëmë në orën 23:45 sipas kohës lokale, ushtria interceptoi raketa armiqësore që vinin nga Lartësitë e okupuara të Golanit të Sirisë ndërsa mbrojtja ajrore e ushtrisë rrëzoi shumë prej tyre para se të arrinin objektivat e tyre”.

“Raketat armiqësore vinin nga Golani i okupuar sirian”, thuhet më tej, duke iu referuar avionëve luftarakë izraelitë.

Zyrtarët izraelitë ende nuk e kanë marrë përgjegjësinë për sulmet e raportuara.

Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri në fillim të vitit 2011, Izraeli ka goditur herë pas here pozicione brenda vendit të shkatërruar nga lufta.

Forcat e mbështetura nga Irani dhe militantët libanezë të Hezbollahut kanë luftuar së bashku me forcat e regjimit sirian që nga viti 2012.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button