Seanca për Ligjin e Prokurorisë Publike u ndërpre nga Xhaferi: Nuk pranoj porosi nga Fejsbuku!

22.05 – Seanca filloi me një orë vonesë. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e ndërpreu atë pas 10 minutave. Si shkak ishte mospasja e shumicës parlamentare për votim të Ligjit të Prokurorisë Publike si dhe një publikim i sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Lupço Nikollovski në rrjetin social Fejsbuk, transmeton Portalb.mk.

Xhaferi tha se seanca vazhdon nesër në ora 11. Ai porositi liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut të mblidhen dhe të merren vesh, në takim liderësh sipas formatit të Marrëveshjes së Përzhinës.

Ai ishte i revoltuar nga publikimi i sekretarit të përgjithshëm të LSDM-së Lupço Nikollovski në rrjetin social Fejsbuk. Nikollovski shkruan se ekziston mundësi reale që partia e tij të krijojë një shumicë të re parlamentare nëse Kuvendi, sipas tij, taktizon me këtë ligj, dhe disa ligje të tjera.

“Nëse Kuvendi vazhdon të taktizojë dhe nëse parandalohet në ndonjë mënyrë votimi për ligjet e rëndësishme, e në veçanti Ligjit për Prokurorinë Publike, Kodit Zgjedhor, Ligji për Mbrojtjen, shkarkimi i Mizrahih … atëherë ekziston mundësi reale ne të kirjojmë një shumicë të re parlamentare, dhe më pas një qeveri të re stabile që do të organizojë zgjedhje të rregullta parlamentare. Maqedonia Veriore nuk do të mbahet peng e interesave partiake dhe kriminele, sundimi i ligjit dhe e ardhmja evropiane janë prioritet i qytetarëve dhe ne do të luftojmë deri në atomin e fundit.” shkruan Nikollovski.

Ai për TV 21 tha se nëse nuk votohet Ligji, ka mundësi të shtyhen zgjedhjet, ka mundësi që zgjedhjet e ardhme të jenë ata që organizohen në termin të rregullt.

Në këtë Xhaferi u përgjigj që “mos t’i dërgohen mesazhe të tilla në Fejsbuk sepse ai nuk është politikan Fejsbuku.

“Nuk pranoj porosi në Fejsbuk. Punën time e kryej me profesionalizëm dhe do të udhëhiqem nga rregullat dhe rregulloret dhe ligjet. Nëse dikush mendon se mund të krijojë shumicë tjetër parlamentare, le të urdhërojë. Seanca vazhdon nesër në ora 11.” tha mes tjerash Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

**************************************************

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut kishte vendosur që në ora 21 të mbahet Seanca 135 në lidhje me Ligjin për Prokurorinë publike dhe Ligjin për Këshillin e prokurorëve publik, transmeton Portalb.mk. Seanca filloi me një orë vonesë, në ora 21.55.

Propozim-ligji për Prokurori Publike dje kaloi në Komisionin kuvendor amë për Çështje Evropiane.

Anëtarët e Komisionit i kanë shqyrtuan propozim-ligjin për Prokurori Publike dhe propozim ligjin për ndryshim dhe plotësim të ligjit për Këshillin e Prokurorëve Publik, me procedurë të shkurtuar.

Renata Deskoska, ministrja e drejtësisë ka prezantuar dy amendamentet e reja të Ligjit për Prokurori publike në Komisionin kuvendor për çështje evropiane.

“Duke e pasur parasysh rëndësinë që do ta ketë kryeprokurori për përndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit kësaj radhe do të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta nga prokurorët publikë. Të gjithë prokurorët do të votojnë për prokurorin publik për krim të organizuar dhe korrupsion, ndërsa më pas ai që do të marrë më së shumti vota do të emërohet nga Këshilli i Prokurorëve publikë. Paraprakisht, Këshilli i prokurorëve publikë përpiloi listë të personave të cilët janë paraqitur në konkurs të publikuar dhe i plotësojnë kushtet”, tha Deskoska.

Kuvendi pritet të shpërndahet më 16 shkurt, ndërkaq zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet të mbahen më 12 prill.

Për miratimin e këtij ligjit nevojitet shumicë prej dy të tretave, gjegjësisht duhet të votojnë 80 deputetë nga numri i përgjithshëm.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së dhe deputetët e kësaj partie po kryejnë trysni ndaj deputetëve të tjerë që të mos votojnë për Ligjin për Prokurori Publike.

Ai thotë se kur Qeveria e ka dërguar në procedurë kuvendore ai ka pasur 80 deputetë – përkrahës të ligjit, por se prej atëherë kanë ndodhur trysni dhe kërcënime ndaj deputetëve. Nëse për ligjin do të sigurohet shumicë prej dy të tretave, Zaev theksoi se do të dihet kur të votohet për atë.

Porosia nga Bashkimi Evropian është që Ligji nuk është kusht, por është e dëshirueshme që të miratohet përpara mbajtjes së Samitit në Zagreb, në të cilin ka shpresa të mëdha se Maqedonia e Veriut do ta marrë datën për fillimin e bisedimeve.

Nëse votohet kjo zgjidhje ligjore kjo do të nënkuptojë që “bombat” nuk do të përdoren si prova, por vetëm si indikacione në rastin “Perandoria”, ku i akuzuari i parë është biznesmeni Orce Kamçev, i cili në anën tjetër është dëshmitar kyç në rastin “Zhvatje” kundër ish prokurores speciale publike, Katica Janeva. Përveç rastit “Perandoria”, “bombat” nuk do të jenë prova as në rastin “Regjistrim” kundër liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, rastin “Pushtetari”, kundër deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonijo Milloshoski dhe raste tjera të ngritura pas afatit të kontestueshëm. Prapë se prapë prokurorët e PSP-së kanë pohuar që për një pjesë të rasteve përveç “bomba” kanë edhe prova tjera.

Ligji parashihet të fillojë të zbatohet më 30 qershor 2020. Këto janë vetëm pjesë e dispozitave të inkorporuara nga ligji prej rreth pesëdhjetë faqeve. Për zgjidhjen ligjore është negociuar më tepër se një vit. Ky tekst nuk është version final, teksti zyrtar i ligjit ende nuk është publikuar në faqen e Kuvendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button