Komisioni nuk debatoi për propozim-ligjin për lojërat e fatit

Deputetët edhe sot e shtynë debatin në Komisionin për Financa mbi propozim-ligjin për lojërat e fatit. Tashmë disa ditë me radhë ky Propozim-ligj shtyhet për shkak të mungesës së kuorumit.

Këtë për Alsat e konfirmoi kryetarja e Komisionit të Financave dhe Buxhetit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Liljana Kuzmanovska.

Ligji i ri për lojërat e fatit në Maqedoninë e Veriut, assesi të dërgohet në seancë plenare për votim, në kushte kur  Parlamenti duhet të shpërbëhet të dielën. Një ndër çështjet që nuk mund të merren vesh partitë është dislokimi i objekteve ku luhen lojërat. Nga ana tjetër, përderisa Video-Lotaria shtetërore ka ndarë 6,5 milion euro për aparate të reja për kumar, nga Lëvizja “Anti Bixhoz” paralajmërojnë protesta masive.

Për Portalb.mk, deputetët e të gjitha partive politike shqiptare u shprehën se janë të gatshëm të votojnë për ligj të ri i cili përmban dispozita për largimin e bastoreve jashtë “pikave të interesit” siç janë objektet edukative. Por, opozita ka kushte.

Propozim të tillë në Kuvend, thonë se kanë dorëzuar Rexhail Ismaili dhe Ejup Alimi nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim, para një viti.

Propozim ligji nuk është i kapshëm për publikun për ta parë se çfarë përmban.

Sipas dy deputetëve, ata kanë kërkuar që kazinot, bastoret dhe lojërat e tjera të fatit të dislokohen 500 metra larg në vijë ajrore nga objektet ku kryhen proceset arsimore, si çerdhet, shkollat fillore të mesme, gjithashtu edhe nga universitetet, bibliotekat dhe institucione tjera, ku kujdesen për fëmijë sidomos kopshtet e fëmijëve dhe shtëpi të pleqve.

Arsyeja që ky ligj ende nuk është dërguar për votim, sipas tyre është frika që i njëjti të mos bjere në ujë, në mungesë të numrave të nevojshme për kalimin e tij.

Megjithatë, ky propozim i BDI-së, u kundërshtua nga Lëvizja “Anti Bixhoz”. Ata kërkuan që dislokimi të jetë minimum 3 kilometra nga vendbanimet. Propozimet e tyre nuk janë marrë parasysh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button