100 vjet!

Në një pamje stacionare të historisë së Shqipërisë nuk ka dyshim se jashtë rregullave të historianëve e shikon atë si një fatalitet. Ai fillon me dy Batot e kryengritjes kundër Romës së Ilirisë ku njëri prej tyre tradhtoi si për të hapur një sipar vazhdimësie që ndoqi pas rrjedhën e kohës së shqiptarisë. Ajo vazhdoi me Skënderbeun dhe nipin e tij Hamzain, më pas për të vazhduar tek Ali Pashai i tradhtuar nga të bijtë e më pas për të mbërritur tek Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Ahmet Zogu, Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Ramiz Alia dhe deri në ditët tona.

E gjithë kjo nga një këndvështrim i caktuar ngjason me një “kupë helm” që brezi i ri duhet ta pijë ngadalë për t’iu nënshtruar idesë poshtëruese se ka diçka brenda vetë shqiptarëve që nuk funksionon. Na kanë “mësuar” sidomos pas viteve ‘90 se pas retushimit të historisë në periudhën e komunizmit “të vërtetat” tona historike janë përgjithësisht të hidhura dhe shpesh të ngjallin mërzi.

Në këtë përvjetor të njëqindtë të pavarësisë, falë politikës dhe historianëve kaotikë, publiku është ndarë në dy a më shumë palë që përmes një thuajse marrëzie furnizohet me të vërtetat e doktrinës së “çmitizimit”…

100-vjetori i Pavarësisë na sjell te pyetja më se njerëzore – “Kush jemi dhe ku duan të shkojnë shqiptarët?” Një pyetje e re në periudhën e Rilindjes shqiptare dhe e vjetruar tani në këtë përvjetor pavarësie. Të njohësh vetveten është një sfidë kombëtare. Ajo që po ngrihet si thuajse krim është edukimi i shqiptarëve të rinj me mungesën e respektit ndaj vetes dhe me idenë se pas çdo të vërtete historike të kombit qëndron diçka tjetër e cila mund të zhgënjejë besimin ndaj saj.

Cinizmi i pafuqisë së brezave të humbur intelektualësh shqiptarë në vitet e postotomanizmit si pasojë e diferencës kulturore me pjesën tjetër të shoqërisë shqiptare është kthyer në një kulturë dhe metodë për të shpjeguar vetveten.

Por ja që nuk është kështu! Historia jonë nuk gjykohet nga ata që kanë qeverisur këtë komb. Një mal nuk gjykohet nga emri i rojës së tij. Kombi shqiptar është një udhëtim i pashoq në brazdat historike dhe mbijetesa e tij flet për forcën se sa dobësitë e tij. Ai ka pranuar të qeveriset nga projekte personale si ato të Ahmet Zogut dhe Enver Hoxhës duke mirëkuptuar interesat e tyre afatshkurtra në favor të interesave të tij afatgjata. Administrimi i një kombi nuk është historia e tij. Në administrim kanë vlerë aktet por jo kohëzgjaja si statistikë ashtu siç ndryshon cilësia nga sasia pa shmangur lidhjen logjike midis tyre.

Kombi shqiptar ka të vërtet veç heronjtë e tij, të njohur dhe të panjohur, të cilët sakrifikuan veten dhe i dhanë ekzistencës kombëtare të vetmen garanci që mund t’i pranohet një kombi të vogël. Shqiptarët shpëtuan nga shfarosja. Ata mbijetuan dhe sot në 100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së tyre janë fitimtarë në marrëdhënie me parashikimet e kundërshtarëve të tyre.

Cilësitë e shqiptarëve, pavarësisht nga vrazhdësia e liderëve të tyre në histori, kanë shkëlqyer në kushte individuale duke dhuruar personalitete në Perëndim dhe në Lindje.

Të ndodhur nën presionin e fqinjëve dhe të trajtuar si “fermë ushtarësh” trojet shqiptare u shmangën arsyeshëm nga një evolucion intelektual i natyrshëm. Por, ata shkëlqyen me aftësitë e veçanta si Papë dhe Kryevezirë, duke drejtuar historinë e njerëzimit me cilësi që do t’i kishte zili çdo komb me përmasa edhe më të mëdha.

Të metat e shqiptarëve në komunitet i kanë rrënjët te një elitë e emigruar ose e shfarosur duke lënë shoqërinë pa shembujt e natyrshëm të vetëvlerësimit.

Në këtë botë të rrudhur nga koha dhe përsëritja e saj shqiptarët shfaqen të rinj, optimistë dhe me një nuhatje historike më të mprehur se më parë.

28 nëntori i 2012-s e gjen kombin shqiptar me një cilësi të pashmangshme të ngritjes së tij, siç është ai i raportit të ri cilësor që po ngre ngadalë por bindshëm me memorien e vet kolektive.

Historia e shkruar shqiptare është ende larg të qenit historia zyrtare e kombit tonë, sidomos në të shpjeguarin e qartë të mbijetesës së tij jo si variant rrethanash, por si një e panjohur e bukur që ende fle nën lëkurën e cilësive të rralla shqiptare. Mosbesimi ndaj aftësive kombëtare është një e metë e nxitur nga edukata e administrimit të personalizuar, duke edukuar besimin e verbër karshi “liderëve” që dinë gjithçka.

Kosova pas 100 vjetësh nuk është nën masakrën serbe në të cilën Isa Buletini e la pas për të shkuar drejt Vlorës së flamurit kombëtar. Kosova është shtet dhe me një shoqëri që ka filluar të reflektojë cilësitë e veta në rajon.

Në Shkup fitoret e shqiptarëve janë të verifikueshme dhe në një presion shoqëror për më shumë cilësi. E matshmja në ecjen e shqiptarëve është edhe nervozizmi i qarqeve radikale në Maqedoni për ndryshimin e status quo-së së marrëdhënies shqiptaro – maqedonase.

Në Shqipëri shoqëria po tejkalon politikën dhe cilësia e ndërtimit të jetës po vendoset në duart e individit. Biznesi po sfidon mediokritetin e shtetit dhe jashtë çdo konteksti evolucioni pret ndryshimin e paevitueshëm të stanjacionit të administratës. Shqipëria ka ndryshuar statusin e vet ndërkombëtar nga anëtarësimi në NATO, falë mbështetjes së SHBA-së. Aktualisht marrëdhënia me Bashkimin Europian po krijon stacionet e “presionit” për ndryshime cilësore duke e bërë Brukselin aleate të interesave të shoqërisë shqiptare.

Statusi i shqiptarëve në Malin e zi, në Serbi dhe çështja e rizgjuar çame po përvijohet si një proces ku shqiptarët po kërkojnë ndryshime, duke filluar me vetveten.

Emigracioni milionësh shqiptar nëpër botë është dhe po bëhet çdo ditë e më shumë pjesë e shoqërisë shqiptare duke eksportuar, megjithëse ende në fillim, cilësitë e veta. Shpejt e drejta e votës për ta do t’i kthejë në një mekanizëm të ndryshimit edhe sfidues.

100 vjet janë pak për një komb kaq të vjetër sa shqiptarët. Por janë shumë për memorien e tij të “djegur” nga armiqësia dhe luftërat pa fund. Muzgu i mbijetesës ka kaluar dhe koha e çakejve po ashtu.

Për më të rinjtë e shqiptarisë ka veç një mirëseardhje në kohën që po jetojmë. Sfida është përsëri ndryshimi. Tani shumica e gjërave varen nga vetë shqiptarët.

Gëzuar miq kudo ku jeni festën e 100-vjetorit të Pavarësisë së atdheut të Ismail Qemalit të ndarë në disa shtete. Uroj dhe shpresoj që ta meritojmë… në Europën e Bashkuar.

Historia e 100 viteve ka qenë një udhëtim që ka filluar nga qyteti i ëndrrave, Vlora. Kthimi aty është më shumë se kujtesë dhe protokoll. Vlora është stacioni nga shqiptarët u nisën bashkë dhe u ndanë dhunshëm në rrugëtimin e kohës… “Rimbledhja” në çdo 28 nëntor në Vlorë është një reflektim kombëtar për udhëtimin e shqiptarëve në kohë dhe për të pëshpëritur me ulërimë zemre amanetin e të parëve të 1912-s, për t’i rithënë fjalët e tyre në kërkim të kohës së humbur, sërish dhe më fortë: “Do ja dalim! Rroftë shqiptaria!”

Gëzuar miq! Shihemi në Vlorë!

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button