Ku do të festojnë sonte të rinjtë e Shkupit?

 Festa e pavarësisë 28 Nëntori si duket ka elektrizuar banorët e Shkupit sidomos të rinjtë duke ringjallur në to ndjenjat patriotike . Që në mëngjes nëpër rrugët e kryeqytetit vërehej atmosfera festime ku çdo i dyti banor  mbante në duar flamurin kombëtar kuq e zi ndërsa nëpër Çarshinë e qytetit sot më shumë se kurdoherë jehonte muzika folklorike shqiptare.

Të pyetur nga Portalb në lidhje me kremtimin e festës së flamurit, të rinjtë u shprehën se do të dalin sonte dhe do të festojnë nëpër lokalet dhe kafenetë e tyre të preferuara. Ndër to janë Zona Kafe, Eight-8, Retro. “Po do ta festojmë , kam dëgjuar se në lokalin Retro ka të organizuar party me këngëtarë, dhe do shkojmë atje me shoqëri”,tha Eshtref Luçi.

“Është e sigurt që do të dal, por ende nuk kam vendosur se ku. Nuk kam ide se a do të ketë ndonjë koncert si herëve tjera apo organizime më të vogla”,tha studentja Majlinda A.

“Me siguri se do të dal, jemi organizuar si shoqëri, do të dalim pasdite me vetura nëpër qytetin e Shkupit, do shëtisim dhe më vonë do dalim në ndonjë kafene të çarshisë”, tha një qytetar tjetër.

Në lidhje me festimet e sotme për Portalb, foli edhe Pronari i lokalit Eight 8 në Çarshinë e Shkupit. Ai tha se edhe në lokalin e tij do të ketë aheng, mirëpo tha se nuk e kanë bërë shumë publike.

“Ne kemi organizuar edhe për sonte , sikurse patëm organizuar edhe me datën 25 dhe para saj, dhe do vazhdojmë të organizojmë, edhe pse nuk e kemi publikuar. Pritet që të gjitha vendet të mbushen sepse të gjitha tavolinat gati janë të rezervuara”, tha pronari i Lokalit Eight, Edmond Kaliqi.

Vitet e kaluara qytetarët e Shkupit, ahengun kryesor për këtë ditë madhështore, e festonin në sheshin “Skënderbeu”, por pasi ai është në ndërtim e sipër, qytetarët zgjodhën si alternativë lokalet e ndryshme të Çarshisë së Vjetër.

Ndryshe, tre ditë më parë me një koncert madhështor në sallën Boris Trajkovski  u mbajt manifestimi qendror i organizuar nga Këshilli organizativ i 100 vjetorit të pavarësisë në krye me zv/kryeministrin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi. Salla ishte e mbushur deri në karrigen e fundit ndërsa në të morën pjesë personalitetet më të njohura shqiptare duke u nisur nga kryeministri shqiptar dhe kosovar, Sali Berisha gjegjësisht Hashim Thaçi. 

Më poshtë kemi videon nga lagjja “Shkup Veri” ku shqiptarët e asaj lagje festojnë festën e pavarësisë së Shqipërisë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button