Kodra e Diellit, procedura për licencimin e teleferikut me gjashtëulëse është kthyer nga fillimi

Procedura për licencimin e gjashtëulëses në Kodrën e Diellit ka filluar nga fillimi, kjo për shkak të disa gabimeve në kërkesën paraprake të dërguar nga ELEM. Për Portalb.mk, nga ELEM u shprehën se mënyra më e shpejtë për përmirësimin e gabimeve në kërkesë, ka qenë krijimi i një kërkese të re. Kurse nga Ministria për Transport dhe Lidhje thanë që tanimë kanë krijuar komisione dhe po e shqyrtojnë të njëjtën, njofton Portalb.mk.

Përveç borës, në Kodrën e Diellit siç duket këtë sezonë do të mungoje edhe teleferiku me gjashtëulëse, i cili premtohet tash një kohë të gjatë nga Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Tre javë më parë, Portalb.mk informoi që ka skaduar afati ligjor për dhënien e urdhrit për hetim në teren të teleferikut me gjashtëulëse, i cili sipas procedurës, tanimë është dashur të jetë i përfunduar sikur të gjitha procedurat të shkonin në rregull.

Kërkesa e parë, e dorëzuar me 27 dhjetor ka pasur gabime, e për këtë arsye e njëjta është kthyer nga ana e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, në mënyrë që të rishqyrtohet dhe të përmirësohen gabimet e theksuara nga kjo e fundit.

Megjithatë, afati ligjor për përmirësimin e këtyre vërejtjeve kishte skaduar kurse nga ELEM nuk e kanë kryer punën, ata fajin për këtë ja hedhin institucionit “Kadastër” që sipas tyre, i është dashur më shumë kohë për përmirësimin e vërejtjeve. Për këtë arsye, me datë 7 shkurt të këtij viti është dorëzuar një kërkesë e re.

“E kishim patjetër të dërgojmë kërkesë të re në mënyrë që sa më shpejtë të ecë kjo procedurë, afati ligjor për përmirësimin e vërejtjeve nga ana e Ministrisë për transport dhe lidhje nuk na mjaftonte, na nevojitej më shumë kohë. Korrigjimi i vërejtjeve të kësaj ministrie, nuk varej nga ne por nga institucione tjera kurse atij institucioni i nevojitej më shumë se 15 ditë për këtë” thanë nga “ELEM” për Portalb.mk.

Tani, sipas Ligjit për ndërtimtari do të duhet edhe maksimum 15 ditë shtesë që Komisioni për Inspektim Teknik për marrjen e licencës në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve të jep përgjigje, që i bie diku deri në fund të muajit shkurt.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve na thanë se Komisioni për këtë çështje është duke e shqyrtuar kërkesën në mënyrë që e njëjta sa më shpejtë të përfundoje.

“Ne kërkuam nga ELEM ti përmirësojnë vërejtjet që i kishim nga kërkesa e parë, afati ligjor për këtë skadoi andaj nga ata na erdhi një kërkesë e re me datë 7 shkurt. Jemi duke e shqyrtuar të njëjtën, kemi krijuar komisionin, dhe në qoftë se gjithçka është në rregull do të jepet licenca për përdorim të gjashtëulëses” thanë nga Ministra e Transportit dhe Lidhjeve.

Ndryshe, që nga tetori 2019, kur edhe zyrtarisht ka përfunduar procedura e përsëritur për lëshim në funksion të teleferikut me gjashtë ulëse, gjegjësisht shndërrimi i tokës bujqësore në industriale, dokumentet për vijimin e procedurës kanë fjetur në sirtarët e ELEM-it deri në fund të dhjetorit. 

Kodra e Diellit, 14,1,2020.
Kodra e Diellit, 14,1,2020.

Procedura ka nisur që në vitin 2014!

Kontrata e parë për ndërtimin e teleferikut është nënshkruar me 10 mars 2014. Që atëherë është shndërruar toka bujqësore në tokë ndërtimore. Vendimi i Qeverisë për këtë është botuar në Gazetën Zyrtare numër 190/14 me datë 02.12.2014.
Por, për shkak të zhagitjes së procedurave nga institucionet, dhe disa faktorë të tjerë të panjohur, ndërtimet e teleferikut kanë filluar në qershor 2016. Megjithatë, menjëherë hasen pengesa tjera, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor shkaku i disa parregullsive, solli vendim për ndërprerjen e punimeve në korrik 2016. Punimet rifilluan në korrik të vitit 2018 dhe lëshimi në funksion, as sot 13 janar 2020 nuk ka ndodhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button