Prenë tortën e Pavarësisë (VIDEO+FOTO)

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ai i Kosovës Hashim Thaçi, Presidentja e Kosovës Atifet Jahjaga dhe kryebashkiaku Lulzim Basha kanë prerë tortën e përgatitur për 100-vjetorin e Pavarësisë. 

Torta mijëra kilogramëshe, për fat të keq nuk ka hyrë dot në Librin e Rekordeve Guinness, për shkak se nuk është gatuar e gjitha në ambientet e Pallatit të Kulturës. 

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ka falënderuar 200 pastiçeritë dhe qindra bizneset që ndihmuan në përgatitjen e asaj që ai e ka cilësuar torta më gjigante e ndërtuar ndonjëherë.
“Torta është e mjaftueshme sa për dy sheshe ‘Skënderbej’ dhe do të shpërndahet kudo”, tha Basha.

Torta gjigante është vendosur përpara Teatrit të Operës dhe Baletit ka të shkruar vitin 1912 u shpall pavarësia si dhe shqiponjën dy-krenare.

Gjithashtu, pastiçierët kanë përdorur shegë dhe ullinjtë për dekorin e saj, ndërsa shqiponja është e përbërë nga çokollata.

Kryeministri Sali Berisha uroi edhe një herë shqiptarët para pritjes së tortës gjigante.

“Gëzuar 28 Nëntorin, ditën e lindjes së shtetit shqiptar. Edhe mijëra vite liri, shpresë dhe më të bashkuar se kurrë”, tha Berisha para se të pres tortën me sfond të kuq dhe shqiponjë e zezë.

Përfaqësues të shtetit të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë kanë marrë pjesë në ceremoninë e heronjve të kombit. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani dhe ajo e Kosovë Ahtifete Jahjaga, dy kryeministrat Berisha dhe Thaçi dhe dy kryetarët e parlamenteve Topalli dhe Krasniqi kanë vënë buqeta me lule pranë statujës “Nëna Shqipëri”, shkruan “Shekulli”.

Në këtë ceremoni mungojnë përfaqësuesit e opozitës, të cilët ndodhen në Vlorë duke ndjekur aktivitetet me rastin e 100-vjetrit të Pavarësisë. Ndërkohë, Partia Socialiste bashkë me Lëvizjen Socialiste për Integrim do ta përkujtojnë nesër ditën e çlirimit të vendit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button