Struga e gjitha në shesh, feston 100 vjetorin

Me një sërë aktivitetesh gjatë ditës së sotme në Strugë po shënohet dita e pavarësisë dhe dita e flamurit. Në këtë aktivitetet duhet thënë se ka një pjesëmarrje masive të qytetarëve struganë të cilët kanë pushtuar sheshin e qytetit si dhe rrugët kryesore të Strugës.

Manifestimet e sotme filluan me vrapin për flamur ku morën pjesë nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit. Ndërsa vazhduan me zbulimin e pllakës përkujtimore në nderim të Hafiz Myrteza Ali Strugës, firmëtarit të aktit të pavarësisë që përfaqësonte Strugën në Kuvendin e Vlorës, në shtëpinë ku dikur ka banuar ky themelues i shtetit shqiptar aktivitet në të cilin morën pjesë edhe pasardhësit e tij të ardhur posaçërisht nga Tirana.

Pas vlerësimit të kësaj figure radhën e kishte busti i Ibrahim Temos dhe Dervish Himës ku u vendosën kurora me lule nga autoritetet më të larta të pushtetit vendor si dhe nga familjarët e familjes Sojliu pinjoll i së cilës ka qenë edhe vetë Ibrahim Temo.

Komuna e Strugës gjatë ditës së sotme kishte befasuar familjarët dhe të gjithë struganët me rregullimin që i kishte bërë varrit të Nuri Sojliut nënshkruesit tjetër nga Struga të aktit të pavarësisë. Këto manifestime duhet thënë se patën një emocion të veçantë në Strugë për shkak se në to u përfshinë aktivisht edhe pasardhësit e Hafiz Ali Strugës, Nuri Sojliut dhe Zudi Ohrit, personalitetet që më 28 nëntor nënshkruan pavarësinë e Shqipërisë duke përfaqësuar Strugën në Kuvendin e Strugës.

Manifestimet në Strugë janë parashikuar të vazhdojnë gjatë gjithë ditës dhe do të përmbyllen me një koncert në sheshin e qytetit ku do të performojnë artistët më në zë të Strugës si dhe shoqëritë kulturreo-artistike. Duhet potencuar se dita e flamurit me një sërë manifestimesh është shënuar edhe në fshatrat Veleshtë, Shum, Zagracan e Dollogozhdë ku në mënyrë simbolike është ngritur edhe flamuri kuq e zi në shtyllat e larta që janë vendosur për të shënuar këtë datë të rëndësishme të shqiptarëve.

Ndërkohë nga qytetarët struganë potencohet se shqiptarët kanë të drejtë të festojnë dhe se pavarësisht disa zhvillimeve jo të mira ata në këtë 100 vjetor janë shumë më mirë se para disa dekadave kur gjysma e kombit vuante nën robëri. Ardian Alushi, banor i Strugës, thotë se sot shqiptarët kanë dy shtete në Ballkan dhe janë shumë më të fuqishëm, por sipas tij shqiptarët kanë akoma punë për jetësimin e idealeve të atyre burrave që më 28 nëntor shpallën pavarësinë e trojeve shqiptare nga Turqia.

Ndërkohë, Drilon E. mendon se ky përvjetor shqiptarët i gjen shumë më mirë se para 100 viteve kur atyre ju desh të privohen dhe të vuajnë vetëm pse ishin shqiptarë. Prandaj shqiptarët duhet të festojnë, sepse realisht kanë për se edhe të festojnë./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button