LOKJA

Pranverë e vitit 1999. Lokja  rrinte ulur në një copë trungu të prerë para shatorrit në Stenkovec, ku ishte një shteg kah kalonin shumë njerëz, si të dëbuarit nga Kosova nga ana e  makinerisë  ushtarake të qeverisë shoviniste serbe, ashtu edhe gazetarë të shumtë, njerëz të shoqatave qeveritare nga mbarë bota. Copa e trungut, a më mirë të themi cungu, ku ishte ulur me bërrylat vendosur përmbi gjunj e mjekrrën e mbështetur në dy duart  thatanike, ishte e thatë, kurse Lokja, megjithëse e pikëlluar shumë dhe gjithnjë e përlotur rrezatonte shpresë. Pikërisht ishte shpresa që e mbante që e mbante.

Sa  rrinte  aty ajo e rrotullonte nëpër mendë shiritin e llahtarit që kishte përjetuar gjatë fushatës së egër serbe: njerëz të pushkatuar e të therur hedhur anës së rrugës kah e kishin sjellë me një traktor bashkë me shumë fatkëqij të tjerë dhe tymi që u shkonte shtëpive të cilat bandat serbe u vinin zjarrin, pemë të prera dhe krisma topash e të shtëna armësh të tjera.

Shpresa i pëshpëriste se shumë shpejt do të takohet me burrin e vëllezërit e me familjet e tyre dhe për çdo çast priste se do t’i vinin tre djemtë e saj që i kishte në UÇK. Një ditë para se se ta dëbonin atë bashkë me të shoqin Lokja kishte folur me djalin më të vogël në një telefon celular të cilin ia kishte dhënë kryeplaku. Djali i kishte thënë se të tre vëllezërit janë shëndosh e mirë.

Edhe disa njerëz që kishin celularë i thanë se djemtë i kishte në vend të sigurt. Për vëllezërit me familjet e tyre e kishte marrë vesh se kishin shkuar në Kanada dhe ishin vendosur mirë. Edhe për burrin kishte lajme të sigurta se ishte në një kamp tjetër këtu në Maqedoni… Me një fjalë sa i përket familjes, çdo gjë ishte në rregull. Shëndosh e mirë ishin dhe s’kishte dyshim se së shpejti do të shiheshin e do të ktheheshin në shtëpi. E le të jetë e rrënuar dhe e djegur shtëpia. Punë e madhe, mendonte Lokja. Kullën tonë jo një herë e kemi ngritur prej hirit. E bëjmë edhe tash.

Megjithatë… Me gjithë këto lajme të mira që kishte për njerëzit e saj më të dashur, Lokja nuk ishte e qetë.  Lotët i rridhnin vazhdimisht nga sytë e saj që i ishin skuqur. Dikur e pyeti veten: mos vallë njerëzit që më shohin këtu mendojnë se do të jem shkalluar që me ditë të tëra s’kam lëvizur nga ky trung. Ku ta di,  mendonte. Po këtu më së miri e zbus dhembjen time. Deshi të çohet, por hoqi dorë. Ku të thyej qafën tash?. Dhe…

Si të kam Loke? e dëgjoi një zë të njohur që ishte afruar pranë saj.

Lokja e ktheu kokën dhe e njohu një djalë gazetar, i cili e kishte ndihmuar të vendosej në këtë shator.

Uh, Gjergj, Gjergj, a ti qenke a? pyeti me zë të shterur Lokja.

Po unë jam, Loke. Ka ditë e ditë që po të shoh kështu të përlotur, moj loke? E s’munda pa ardhur të të gjendem pranë. Po e shoh se një hall po të mundon. Ajo  i fshiu lotët me mëngë dhe iu përgjigj: e si mos të jem mor bir? Kush është këtu i lumtur?  Ne jemi si lisa të shkulur. Keq është gurin e luan prej vendit të vet e jo më lisin kur e shkulin, si neve.

Më kanë thënë se të gjithë njerëzit i ke shëndosh e mirë, Loke…

Po, mirë i kam, bre bir… Zotit i qofshim falë…

E ç’hall ke Loke? Edhe ndonjë ditë do të kthehesh në shtëpi te familja jote… Të presin dasmat, Loke!

Po, po… Eh mor biri im, Gjergj, kam një hall tjetër, lokja…

Hë?

Kur hynë ushtarë, policë e djaj në shtëpinë tonë dhe na vunë përpara me automatikë duke na sharë e fyer nuk pata kohë lokja as lopët t’i zgjidh. Në kalim e sipër me bisht të syrit e pashë njërën lopë të lidhur e cila më shikoi dhembshëm. M’u duk se po më pyet: si po na lë kështu lidhur?!… Kanë kaluar shumë ditë e të gjorat lopë kanë mbetur lidhur. S’ka pasur kush u jep të hanë, as në ujë s’ka pasur kush i qet… Ne njerëzit jemi shëndosh e mirë… Shyqyr zotit, atij i qofshim falë! E nuk e di, o Gjergj, si kanë kaluar lopët e shkreta… Ato na kanë mbajtur gjallë neve… O Gjergj, më dhemb shpirti për to. Më duket se ato kanë bërë shumë për ne, kurse ne nuk kemi menduar fare për to. Kam frikë shumë mos kanë ngordhur pa ngrënë e pa pirë e kam frikë mos i kanë masakruar bandat që na dëbuan nga shtëpia e përfunduam këtu!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button