Stuhia Ciara shkaktoi kaos në Evropë

Stuhia Ciara shkaktoi kaos në disa shtete të Evropës, me erëra deri në 180 kilometra në orë dhe shira të rrëmbyeshëm.

Stuhia zbarkoi fillimisht të dielën në Britani, për të vazhduar më pas në pjesë të tjera të kontinentit.

Në Britani, një person humbi jetën, transporti rrugor u çrregullua tërësisht, ndërsa fluturimet dhe shërbimet e trenave u vonuan dhe u anuluan, transmeton REL.

“Ciara po dobësohet, por kjo nuk do të thotë se po hymë në një periudhë më të qetë të motit”, tha Alex Burkill, nga Zyra Meteorologjike e Britanisë.

Në jug të Suedisë, autoritetet raportuan të hënën për një person të vdekur dhe një tjetër të zhdukur, si pasojë e përmbytjes së anijes së tyre.

Tre persona u plagosën rëndë në Gjermani, pasi u goditën nga drunjtë.

Në disa pjesë të Francës veriore, autoritetet ngritën alarmin e portokalltë, duke i paralajmëruar qytetarët për kushte të këqija të motit, që mund të kenë ndikim të keq te ta.

Stuhia shkaktoi anulimin e 240 fluturimeve të dielën në Aeroportin e Shipolit në Amsterdam, ndërsa po aq u anuluan edhe të hënën.

Një person është plagosur nga një dru edhe në Republikën Çeke, ku stuhia ka lënë rreth 100,000 shtëpi pa energji elektrike.

Nga stuhia u goditën edhe Belgjika dhe Luksemburgu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button