DERVENI: SOCIOLOGJI PROVINCE (I)

“Bota e provincës, nuk është as qytet e as fshat. Shpirti i saj është shpirt mes fisnores, si idealisht-unik, dhe shpirtit të botës, si idealisht-i hapur. Kur ky shpirt flet për fatin e vet të keq, flet për veçanësinë e vet në histori.”

R.Konstantinoviq

Pasusi i mësipërm është pjesë nga vepra Filozofia e pallankës, që në mënyrë perfekte e përshkruan frymën e “religjionit të mbylljes”, të një hapësire ku më me rëndësi është t’i përmbahesh traditës së themelëzuar sesa të jesh person, individualitet, vetja. Provinca sipas autorit në fjalë është botë e rutinës, e infantilitetit, i njëmendësisë dhe njëtrajtësisë. Duke folur kontekstinn e vet, filozofi i dalluar, e ndërlidh edhe me fanatizmin, primitivizmin, mikroborgjezizmin.

Duke u marrë me redaktimin e veprës Filozofia e provincës shpesh e mendoja rrethinën time, e krahasoja të përshkruarën me Dervenin, gjithnjë nisur nga fakti se kjo zonë është periferi e kryeqytetit, Shkupit, me disa karakteristika si ato të zënat ngoje më sipër. I brengosur nga një vetëperceptim i tillë, gjithnnjë kemi menduar si të vetëdijësohemi dhe të krijojmë një imazh tjetërfare. Dhe erdhi dita! Në janar të këtij viti, bashkë me tre miq vendosëm që të formojmë një organizëm a institucion të lirë, jopolitik, të pavarur, që do t’i kontribuonte iluminimit komunitar, sistemimit të trurit të Dervenit apo Grykës (derbent: nga persishtja der= portë, bent=lidhje; ngushticë mes dy maleve, pallat i vogël kufitar), që do të prodhonte pak më tepër kulturë, që do t’i zbulonte, rekrutonte potencialet shkollare dhe do të t’i lançonte ata në shoqërinë më të gjerë. E pagëzuam Klubi i Intelektualëve të Dervenit (K.I.D).

Si themelues, anëtarë dhe mbështetës qëllimin e kemi idealist dhe progresivist për hapësirën jetike ku jemi, ku kemi lindur dhe me të cilën jemi të lidhur emocionalisht. Por, ndodh që themelimi i këtij Klubi të lexohet nga komuniteti më i gjerë shqiptar si shumë reduktues, parcialist, provincialist, gjë në të cilën ka të vërtetë por nuk përfshin gjithë të vërtetën e objektivit tonë. Zaten e tëra përbëhet nga pjesët dhe sipas teorisë funksionaliste, çdo pjesë sociale përbën një organ të një organizmi që kryen një funksion të tërësisë. Pa parë përpara syve s’mund të shkosh larg!

Siç dihet intelektualët duhet t’u prijnë gjërave, rrjedhave dhe trendeve dhe ne në këtë rast, duke u nisur nga parimi se shkollarët janë inxhinierët socialë të mjedisit, ndoshta vonë por më mirë vonë se asnjëherë. Morëm iniciativën për të bashkuar vox intellectualis, zërin e intelektualëve të kësaj zone të lënë pasdore, realisht të prapambetur krahasuar me hapësirat tjera të populluara me shqiptarë, në aspektin social, kulturor, arsimor,  ekonomik, ndonëse në këtë të fundit kohëve të fundit janë bërë hapa markantë.

Shikuar sociologjikisht Derveni përbën një gjeografi më të gjerë se sa kjo e jona, një pjesë i përket Komunës së Zhelinës, por ne do të merremi me Dervenin e Poshtëm, apo Dervenin e parë, pa përjashtuar edhe veriorin dhe bashkëpunimin me të si me çdo pjesë tjetër të shqiptarisë e më gjerë. Kjo zonë nëse shikohet në aspektin etnik është thuajse puro-shqiptare, pra albanofone, kurse kulturalisht ose në aspektin religjioz islame, megjithëse aty ku rrjedhin dhe bashkohen lumenjtë, në zonën më atraktive ka edhe elemente etnike sllave, maqedonase, boshnjake dhe religjioze ortodokse. Historikisht, shqiptarët ndonëse shumicë e padiskutueshme nuk e kanë marrë hisen e vet që iu takon si pjesë e shoqërisë. Kanë jetuar si qytetarë të dorës së dytë, si të mjerë në dheun e vet. Gjithë kjo refleksion i rrethit më të gjerë social, gjë që reflektohet deri në aktualitet. Në shumë aspekte edhe 30 vite pas tranzicionit ende s’i kemi marrë këmbët si duhet për shkak të një trashëgimie destruktive, nënkuptohet edhe për shkaqe interne apo tonat.

Ju përkujtoj vetëm një pamje nga fëmijëria: dilnim te parku i Sarajit, ku maqedonasit familjarisht dëfreheshin, bënin zgarë, luanin futboll e volejboll, ndërsa në vinim nga ara, kalonim pranë tyre, shikonim pamjen e idilës së tyre, të asaj që ata e kishin shumë më herë para nesh, “koha e lirë” ose leisure. Ne dinim për arën, murxhën, shatin, “TAM”-in, ndërsaj gulja ishte kulmi i satsifaksionit familjar. Nganjëherë mund të kërcenim në Treskë e Vardar, kur na lëshonin familjarët sepse na kishin në numër qysh si të vegjël për punë. Ne edhe ujin deri vonë e kemi pirë prej pompave private jo nga ujësjellësi publik qytetërimor që kalonte nëpër këmbët tona, që buronte tek ne dhe e shfrytëzonin “ata të klasës së lartë.” Kjo ishte kështu në Saraj, ju mund të imagjinoni se si ka qenë në fshatrat më periferike, që Sarajin e vizitonin vetëm për 1 Maj.

Në aspektin arsimor, mësuesit i kemi pasur nga zonat apo qytetet tjera shqiptare të Maqedonisë, madje edhe nga Kosova dhe Shqipëria. Për shumë arsye ne vonë kemi filluar të arsimohemi, të kemi produkte tonat intelektuale. Një pjesë të fajit e kemi vetë, një pjesë është ekstern. I ndrituri ynë deri në fund të viteve 1990 ishte ai që mbante në dorë një gazetë, që lexonte “Flakën e Vëllazërimit”, “Rilindjen”, ndërsa ata më mendjehapurit lexonin “Politikën”, “Veçerin”, “Nova Makedonija”-n. Në fakt Derveni ka qenë, e pranojmë ose jo, gjeografi e katundarit, e njeriut të pagdhendur, që me botën është takuar kur ka vajtur ushtar në Armatën Popullore të Jugosllavisë, dhe të gjitha narracionet e baballarëve tanë arrijnë aty ose atje. “Kur isha asker…”-nisin të gjithë rrëfimet e bëmave herorike të pararendësve tanë. Universiteti,  përjashto rastet e rralla, tek tuk, ishte një kategori imagjinare për dervenasin. Vatra jonë ka qenë analfabete deri diku. Shkresat në shumë katunde i ka lexuar hoxha, që ishte ndër të rrallët që dinin shkrim e këndim, dhe që çuditshëm herë cilësohet si retrograd herë si iluminist. “Mos i çoni fëmijët në shkollë se bëhen shkie” ka qenë formula për apologji identitare, që në fakt ka pasur edhe reperkusione prapambeturie, por duhet shikuar edhe anën tjetër të medaljes. Sidoqoftë, ka edhe raste të shumta djetarëve të fesë që me shembullin e  fëmijëve të vet e kanë konfirmuar të kundërtën. Në përgjithësi, në rrethin tonë, si edhe gjithandej, imazhi i teologut, përkundër kontributit, është përbaltur vazhdimisht nga klika komuniste, nga ligjërata ekstreme laike, tendencë kjo poshtë-lart vazhdon deri më sot. (vazhdon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button