Izraeli planifikon aneksimin e Bregut Perëndimor pas planit të Trumpit

Kryeministri izraelit tha se qeveria e tij ka filluar të përpunojë hartat e Bregut Perëndimor për t’i përfshirë zonat që vendi i tij planifikon t’i aneksojë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ky hap vjen pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump prezantoi “marrëveshjen” me të cilën pretendon t’i japë fund konfliktit izraelito-palestinez.

Benjamin Netanyahu tha se tokat që do të jenë pjesë e Izraelit janë në fazën përgatitjes së hartës, kurse sovraniteti do të zbatohet në të gjithë territorin që mbulon harta, shkroi e përditshmja izraelite “Yedioth Ahronoth”.

Netanyahu tha se harta e re do të përfshijë të gjitha vendbanimet e paligjshme në Bregun Perëndimor dhe rajonin Agvar.

Megjithatë, zëdhënësi i presidentit të Autoritetit Palestinez, Nabil Labu Ruedina, tha se harta e Palestinës njihet globalisht, sipas rezolutave të Kombeve të Bashkuara.

“Ne nuk do të kemi kurrfarë lidhje me ndonjë hartë tjetër”, tha ai dhe tregoi se harta aktuale i përket shtetit që daton nga 4 qershori i vitit 1967, kryeqyteti i të cilit është Kudsi Lindor.

Ruedina tha se kjo është harta e vetme që do të sigurojë stabilitetin dhe paqen në rajon dhe në botë.

Më 28 janar në Washington, pa përfaqësim të autoriteteve palestineze, presidenti amerikan Donald Trump shpalosi planin prej 80 faqesh së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili, ndër të tjera, parasheh që Kudsi të mbetet kryeqytet “i pandarë” i Izraelit.

Sipas planit, i quajtur nga Trump si “Marrëveshja e Shekullit”, SHBA-ja po ashtu njeh vendbanimet ilegale hebreje në Bregun Perëndimor të pushtuar, ndërsa refugjatëve palestinezë u mohohet e drejta e kthimit në vendlindjet e tyre.

Gjatë shpalosjes së planit, Trump pohoi se ky është “shansi i fundit” për palestinezët për të pasur një shtet të pavarur.

Plani ka tërhequr reagime të gjera nga bota arabe dhe është refuzuar nga Organizata e Bashkëpunimit Islam (OBI), e cila u bëri thirrje “të gjitha vendeve anëtare të mos angazhohen me këtë plan dhe të mos bashkëpunojnë me administratën e SHBA-së në zbatimin e tij në çfarëdo forme”.

Udhëheqësit e bllokut musliman përsëritën nevojën për një zgjidhje të drejtë dhe gjithëpërfshirëse që mbron të drejtat e palestinezëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button