Kinë, vdiq nga koronavirusi shtetasi i parë amerikan

Një qytetar amerikan që ndodhej në Wuhan të Kinës ka vdekur nga koronavirusi. Lajmi u njoftua të shtunën nga zyrtarë të Ambasadën Amerikane në Pekin.

Sipas ambasadës, 60 vjeçari kishte vdekur më 6 shkurt. Një qytetar japonez u njoftua gjithashtu se kishte vdekur në Wuhan prej pneumonisë virale, me shumë gjasë të shkaktuar nga koronavisuri, gjë që mbetet ende për t’u konfirmuar.

Shtetet e Bashkuara bënë të ditur se do të ofrojnë deri në 100 milionë dollarë për Kinën e vendet e tjera të prekura nga koronavirusi vdekjeprurës për të luftuar përhapjen e tij, ndërsa numri i vdekjeve është rritur në Kinë në 722, transmeton VOA.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo e bëri njoftimin të premten duke shtuar se “ky vendim së bashku me qindra miliona të dhuruara bujarisht nga sektori privat amerikan, demonstron një angazhim të fortë amerikan në përgjigje të situatës“.

Më herët gjatë ditës së premte Presidenti Donald Trump i vlerësoi përpjekjet e Presidentit kinez Xi Jinping për të luftuar koronavirusin ndërsa ky i fundit po përballet me kritika të forta në vend pas vdekjes nga korovirusi të një mjeku i cili ishte ndër të parët që lëshoi një paralajmërim rreth shpërthimit të virusit vdekjeprurës.

Pas një bisede telefonike të premten me Presidentin Xi, Presidenti Trump vlerësoi përgjigjen e Kinës ndaj situatës duke thënë se presidenti kinez po drejtonte “atë që do të ishte një operacion shumë i suksesshëm”.

Vdekja e një mjeku kinez që u censurua nga autoritetet e Partisë Komuniste pas paralajmërimit në muajin dhjetor për një virus të ri, për të cilin deri në atë momente nuk kishte informacion, ka shkaktuar një zemëratë të gjerë në internet ndaj autoriteteve të partisë për kontrollin e fortë mbi informacionin për sa takon përhapjes së virusit.

Policia e kishte akuzuar mjekun Li Wenliang, i cili vdiq të premten në mëngjes me orën lokale në spitalin qendror të Wuhanit, për “përhapje të thashethemeve në internet” dhe “përçarje të rëndë të rendit shoqëror”.

Por mjeku u vlerësua gjerësisht përfshirë edhe nga shefi i qendrës kineze për Kontrollin e Sëmundjeve, Zeng Guang.

Një hero që lëshoi informacione lidhur me epideminë në Wuhan në fazën e hershme të saj mjeku Li Wenliang është i pavdekshëm“, shkrunate zoti Zeng në një faqe në internet.

Ndërkohë katër persona që ishin në bordin e anijes turistike “Royal Caribbean” po testohen për infektim të mundshëm me koronavirus në Newark të Nju Xhërsit, ndërsa 11 amerikanë të tjerë ndodhen në karantinë në një anije tjetër kruz në brigjet e Japonisë pasi testet treguan se ata ishin prekur nga virusi. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Mariama Diallo njofton.

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se dy nga personat që ishin në bordin e anijes turistike “Royal Caribbean” dhe kishin vizituar kohët e fundit Kinën kishin shfaqur probleme me frymëmarrjen. Dy të tjerët, që ishin anëtarë të së njëjtës familje po testohen si masë paraprake. Drejtori i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve thotë se niveli i rrezikut të ekspozimit ndaj koronavirusit varet nga vendi ku keni udhëtuar.

“Rastet në anijet kruz janë të ndërlikuara. Gjithçka varet nga vendi i origjinës”, thotë Robert R. Redfield, Drejtor i Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve

Ka një rritje në numrin e rasteve të konfirmuara të koronavirusit në një anije tjetër kruz, që u ankorua në Japoni, ku rreth 3.700 njerëz mbeten të izoluar në kabinat e tyre. Philip dhe Gay Courter aktualisht janë në bordin e anijes.

“Duhet të zbresim nga anija. Jemi të përgatitur të kryejmë 14 ditët në karantinë. Por nuk mendoj se është edhe aq e sigurt të jesh këtu për një kohë kaq të gjatë për fat të keq”.

Zyrtarët japonezë thonë se 61 persona deri tani kanë rezultuar pozitivë me koronavirus në anijen e cila ndodhet në karantinë.

Ndërkohë, amerikanët vazhdojnë të evakuohen nga Wuhani. Në total 800 amerikanë janë evakuar nga qyteti me aeroplanë të çertifikuar.

“Fluturimi i parë çarter u nis nga Wuhani më 28 janar, dy avionë të tjerë u nisën më 5 dhe 6 shkurt”, thotë Steven Biegun, Zëvendës Sekretar i Shtetit.

Ai thotë se Departamenti i Shtetit ka ndihmuar në shpërndarjen e 18 tonë furnizimeve që i janë dhënë Kinës dhe është i gatshëm të bëjë më shumë.

“Jam i gëzuar të njoftoj se qeveria amerikane është e gatshme të shpenzojë deri në 100 milionë dollarë fonde ekzistuese për të ndihmuar Kinën dhe vendet e tjera të prekura, si dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë për të përmirësuar dhe luftuar koronavirusin e ri”, tha Steven Biegun, Zëvendës Sekretar i Shtetit.

Në Hong Kong, një grup i vogël u mblodh për të nderuar pas vdekjes mjekun kinez Li Wenliang, i cili kishte paralajmëruar për përhapjen e mundshme të një virusi të ri në Wuhan në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar.

“Na vjen shumë keq për për vdekjen e Dr. Li. Ai ishte paralajmëruesi i parë i koronavirusit, ai thjesht po përpiqej të tregonte të vërtetën”, thotë aktivisti nga Hong Kongu, Lee Cheuk-yan.

Mjeku 34-vjeçar vdiq të premten në Spitalin Qendror të Wuhanit si pasojë i prekjes nga koronavirusi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button