Kritikohet deputeti britanik për pjesëmarrje në konferencën e së djathtës ekstreme

Një deputet i Partisë Konservatore britanike mori paralajmërim zyrtar nga partia e tij pas kritikave nga grupet hebreje dhe muslimane për pjesëmarrjen në një konferencë të ekstremit të djathtë në Itali, raportojnë mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).

Daniel Kawczynski ishte një nga 22 folësit në konferencën Kombëtare të Konservatorizmit në Romë që u mbajt më 3-4 shkurt.

Po ashtu, në konferencë morën pjesë kryeministri hungarez Viktor Orban dhe Marion Marechal nga Franca, mbesa e Marine Le Pen. Udhëheqësi i së djathtës ekstreme në Itali, Matteo Salvini, gjithashtu ishte parashikuar të merrte pjesë, por u tërhoq pas rezultateve zhgënjyese për partinë e tij Liga Veriore në zgjedhjet rajonale të muajit të kaluar.

Duke mbrojtur veprimin e tij, Kawczynski shkroi për revistën e krahut të djathtë “Spectator” se ata që morën pjesë “përfaqësojnë ide dhe shqetësime serioze, disa nga të cilat i kanë edhe njerëzit në Britani”.

Partia Konservatore lëshoi ​​një deklaratë duke thënë: “Daniel Kawczynski është paralajmëruar zyrtarisht se pjesëmarrja e tij në këtë ngjarje nuk ishte e pranueshme, veçanërisht për faktin e pikëpamjeve të disa prej të pranishmëve, të cilat ne i dënojmë plotësisht, dhe se presim që ai t’u përmbahet standardeve më të larta”.

“Daniel e pranoi këtë dhe kërkoi falje”, shtuan konservatorët.

Deklarata erdhi pas një vale kritikash për veprimet e Kawczynski-t.

Marie van der Zyl, kryetare e Bordit të Deputetëve të Judenjve Britanikë, dënoi Kawczynskin për adresimin e tij në një konferencë së bashku me “disa nga politikanët më famëkeq të së djathtës ekstreme evropiane”.

“Mbrojtja e Z. Kawczynski, se është e logjikshme të bisedosh me partitë dhe politikanët që janë duke udhëhequr vendet e tyre përkatëse, ose ndoshta do të marrin pushtetin në vitet e ardhshme, është një çështje e çuditshme, për arsyen e thjeshtë që deputeti për Shrewsbury dhe Atcham nuk është asnjë lloj përfaqësuesi i qeverisë”, tha ajo.

Ajo shtoi se nëse Partia Konservatore nuk merr masa disiplinore, ekziston një “rrezik serioz i opinionit për të supozuar se ata ndajnë pikëpamjet e tij”.

Partia kryesore e opozitare Laburiste tha se nuk duhet mjaftuar vetëm me një paralajmërim zyrtar, por se Partia Konservatore në pushtet duhet të pezullojë Kawczynski-n.

“Në refuzimin e pezullimit të Daniel Kawczynski-t, konservatorët po e pranojnë vendimin e tij për të qëndruar krah për krah me fashistët, duke legjitimuar islamofobinë, antisemitizmin dhe homofobinë që ata promovojnë”, tha Andrew Gwynne, Sekretari i Komuniteteve i Partisë Laburiste.

Ndërkaq, Këshilli Musliman i Britanisë tha: “Duhet të parashtrohen pyetje serioze se pse në radhë të parë u lejua një gjë e tillë, pse pala tani mendon se ishte e papranueshme dhe pse tani mendon se mjafton një denim i thjeshtë”.

“Kawczynski duhet ta largohet menjëherë dhe t’i nënshtrohet një hetimi të plotë nëse konservatorët dëshirojnë të pretendojnë, të paktën në këtë rast, një politikë ‘zero tolerance’ për të gjitha format e racizmit”, tha këshilli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button