Kurti: Grenell i ka dhënë energji të re procesit të dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka komentuar angazhimin e ambasadorit Richard Grenell për arritjen e pajtimit të Kosovës dhe Serbisë për linjën ajrore dhe atë hekurudhore në kohën kur dialogu i Brukselit ka stagnuar.

“Kemi shprehje të interesit në disa fusha për marrëveshje siç është ajo e fluturimeve dhe e hekurudhës. Tash, unë, në parim, do të udhëhiqem prej Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve të saj, në njërën anë, dhe prej parimit të reciprocitetit dhe vullnetit të mirë, në anën tjetër. Besoj se angazhimi i ambasadorit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës në Berlin, i ka dhënë energji të re procesit”.

“Ambasadori amerikan në Berlin, beson që për investime ekonomike në rajon, marrëveshja është çelësi. Unë nuk e mohoj që një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do t’i ndihmonte perspektivës së zhvillimit ekonomik të rajonit, por si kryeministër i Republikës së Kosovës, si fitues i zgjedhjeve, që ka garuar me një program të fuqishëm ekonomik, besoj që këtu nuk duhet neglizhuar tre faktorë të rëndësishëm”.

“I pari është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë që krijon besueshmëri për investitorët. I dyti është luftimi i varfërisë së popullsisë, në mënyrë që të ngrihet kërkesa agregate për mallrat dhe gjithashtu mendoj se e treta është jo më pak e rëndësishme – qasja sa më e lehtë në financa, pra në një lloj të kapitalit fillestar për ndërmarrësinë ekonomike”.

Kurti ka thënë  se ka gatishmëri për dialogun Kosovë-Serbi.

“Nuk dua të paragjykoj shpejtësinë e arritjes së marrëveshjes. Për mua qëndrueshmëria e bisedimeve është shumë e rëndësishme dhe sa më parë që arrijmë marrëveshje, aq më mirë. Aktualisht, në këtë muaj ne vetëm sa kemi filluar në Qeverinë e Republikës së Kosovës që të bëjmë këtë fuzionim të ministrive. Është dita e katër e punës sime. Ende nuk i kam as 100 orë punë, se lëre më 100 ditë. Ndërkaq, në anën tjetër, Serbia po fillon një fushatë zgjedhore për zgjedhjet e saj atje. Kështu që duhet të kemi pak mirëkuptim edhe për këto dy dinamika në dy vendet tona”, ka thënë Kurti në një intervistë për REL.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button