MBRETI I SHKRETËTIRËS

Bërja e shkretëtirës është roman mbi mbretin keqan, që vendosi ta bëjë një mbretëri që do t’ia rehatojë hujet dhe marrëzitë e pakripura. Parajsa e tij është shkretëtira, në të cilën jetëgjatësinë e mbretërimit e sigurojnë pakurrizorët dhe të paaftit, krushqitë brenda kabiles mbretërore, krijuesit deledashë e ligavecë, zhdanovistët dhe gjithë ata që aktrojnë miqësi ndaj padronëve për interesa mjerane.

Për ta ndërtuar saharanë me njerëz të shfytyruar, që nuk do të njohin zot tjetër pos lartmadhërisë së tij, mbreti mendjesëmurë i Ahmet Selmanit (poetit, publicisitit, studiuesit dhe kritikut të mprehtë të artit) shfrytëzoi dhe marifete të tjera: disktreditoi e eliminoi shokët e fëmijërisë dhe të shkollës që e njihnin si paren e kuqe; qëroi hesapet me armiqtë e vërtetë dhe të imagjinuar; zhvati thesaret e mbretërisë; keqpërdori djersën e njerëzve të mjerë; thau lumenjtë, preu pyjet dhe faroi kafshët që jetonin në to; detyroi njerëzit të shfrytëzojnë si nevojtore arat dhe fushat, me qëllim të plehërimit më të mirë dhe rritjes së rendimenteve; izoloi mbretërinë nga pjesa tjetër e botës; urdhëroi t’i bëjnë një përmendore që do ta vinte nën hije përmendoren e Heroit kombëtar; ndaloi librat me frymë lirie, duke gjymtuar kësisoj pariparueshëm kujtesën e së shkuarës; zhvarrosi kufoma krijuesish, që me veprat e tyre mund të ishin të dëmshëm për rendin dhe qetësinë e mbretërisë; lidhi dhe prishi befas miqësi me superfuqitë e botës; zhdanovizoi dhe ishullzoi kulturën e artin; i shpalli luftë Zotit, vuri pa gjyq para tytave besimtarë të devotshëm; rrënoi tempuj të lashtë fetar dhe shndërroi në hi artefakte të vjetra sa njerëzimi, që peshojnë shumë në imazhin e një shteti dhe qytetërimi…

Ja një copëz romani që flet për projektin e varrosjes së ardhmërisë së popullit nga mbreti keqan:

“Ah, sikur të ishte i tillë atdheu im! Ta zëmë, të mos quhej me emrin e vërtetë siç e ka tani, por thjesht ta thërrisnin SHKRETËTIRË. Por, me pastaj, si do të venin punët e mëtejme që i përkasin asaj? Për shembull, si do të quheshin banorët e kësaj SHKRETËTIRE që po e përfytyroj gjithë kohën? Si do të quheshin njerëzit që do të jetonin nëpër viset e saj? Ëëëë…!? Shkre… shkre… SHKRETAS! Hë, po… tani e gjeta fjalën e vërtetë. Pra SHKRETAS-I, numri njëjës, trajta e shquar; SHKRETASI-T, numri shumës, trajta e shquar. E po rrofshin të gjithë shkretasit e mi! Rroftë SHKRETËTIRA dhe SHKRETASIT! Po gjuhën që e flisnin këta banorë të lashtë?! Edhe kësaj i gjendet zgjidhja, pra le ta zëmë se i thonë SHKRETISHTE! Hë, sa mirë, për këtë… Për shembull, SHKRETUES. Shkre-tu-es! Rroftë SHKRETUESI, do të brohorasin ata me zë të lartë…”.

Copëza të këtilla ku njerëzit dhe e ardhmja e tyre janë viktima të halucinacioneve të prijësit, ku gjithçka duhet të frymojë sipas qejfeve të tij, ku gjithsecili duhet të aktrojë lumturinë, pa çka se ai i ka shfytyruar në kandra kafkiane, në qenie pa tru, në sejmenë, në rajë inferiore, në kufoma të gjalla, në qenie të gatshme të hanë edhe bar, nëse e do nevoja, dhe të vdesin me klithma e betime patetike drejtuar mbretit dhe mbretërisë.

Mbreti i romanit të Ahmet Selmanit është i paparashikueshëm dhe me imagjinatë të jashtëzakonshme destruktive. Për autoritetin e tij kujdesen krijuesit e paidentitet, kopetë e poetëve mediokër dhe rapsodët që i këndojnë ode dhe i bëjnë elozhe, duke ia mbushur mendjen se vërtet është ashtu siç e paraqesin ata. Kësisoj e bëjnë edhe më të pandjeshëm, edhe më të pandërgjegjshëm se sa e kishte falur Zoti, e bëjnë Luigj të katërmbedhjetë, e bëjnë Hersotrtat që njerëzit i sheh si insekte nga përspektiva e lartësive pushtetare, e bëjnë Makiavel dhe ia falin krimet e qëllimit që justifikon mjetin…

Romani Bërja e shkretëtirës është plot me momente psikologjike dhe tundime që burojnë nga shtresat animale të shpirtit të mbrapshtë të mbretit të paemër, të fantazmës së frikshme që mund të ringjallet në çdo kohë, në çdo vend, në çdo sistem… Shi për këtë, librat e këtij lloji janë të domosdoshëm për letërsinë e një etnie që ëndërron pjekurinë dhe qytetërimin. Të tjerët përreth nesh i kanë ato…

Libri në fjalë ka edhe vija të tjera identitare, që e bëjnë të ndryshëm nga romanet antidiktaturë. Nëse do të përpiqeshim që dhunës së shpërfaqur në roman t’ia gjejmë objektin e krahasimit, ndoshta do të gabonim më pak po ta krahasonim me romanin “Piramida” të Kadaresë, apo “Fatprerët” e Murat Isakut, që gjithashtu kanë në qendër teket e diktaturave dhe diktatorëve të kohëve të ndryshme – shtazëritë mesjetare, si simbole tmerri e llahtari. Ky konstatim, natyrisht, nuk shmang as pikëtakimet me veprat tjera të njohura letrare, sepse asociacionet që ngjall leximi i romanit të Ahmet Selmanit janë vërtet shumëdimensionale.

Në fund fare, nuk mund ta lë pa e thënë edhe këtë: “Bërja e shkretëtirës” – vepra e shkruar nga dora e sigurt e një krijuesi të kalitur ndër shkrime zhanresh të shumëllojshme, e një romansieri që ka shmangur me sens rreziqet e mbetjes peng brenda darëve të akademizmit, koncepteve dhe shkollave estetike…, është roman që duhet lexuar dhe pasur në raftet e bibliotekave.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button