Kuvendi e miratoi Ligjin për efikasitet energjetik, pushteti dhe opozita u fjalosën kush ka punuar më pak në këtë fushë

Kuvendi sot në seancën e 131 me 55 vota “pro” e miratoi Ligjin për efikasitet energjetik. Deputetët e pushtetit dhe të opozitës u fjalosën rreth asaj se cila qeveri më gjatë e ka zvarritur miratimin e kësaj zgjidhjeje ligjore, me të cilën Maqedonia si një nga vendet e fundit në Evropë fiton ligj të veçantë që e rregullon efikasitetin energjetik, njofton Portalb.mk.

Deputeti Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE-ja opozitare theksoi që ligj i këtillë është dashur të miratohet deri më 31 dhjetor 2017 dhe bëri kritikë se shteti po vonohet me harmonizimin e legjislacionit tonë me direktivat evropiane në pjesën e efikasitetit energjetik. Ai vuri në pah që në zgjidhjen e propozuar ligjore theksohet se Fondi nacional për efikasitet energjetik mund të formohet, por askund nuk figuron që i njëjti duhet të themelohet. Ilioski ka theksuar që funksionimi i fondit të këtillë do të jetë vendimtar për realizim të masave për efikasitet energjetik në vend.

Nga partia opozitare, VMRO-DPMNE, sugjeruan se në këtë ligj theksi është vënë mbi efikasitetin energjetik vetëm të objekteve, pa u bërë edhe kategorizimi i tyre. Opozita theksoi që publiku më i gjerë i ekspertëve nuk ka qenë mjaft i përfshirë me sugjerimet e tyre në përpunimin e kësaj zgjidhjes ligjore.

“Kam ndjenjën që po shpejtohet me miratimin e  këtij ligji”, deklaroi deputeti Zoran Ilioski nga VMRO-DPMNE.

Nga partia në pushtet, LSDM, theksuan që pikërisht qeveria e kaluar në vitin 2014 e ka prolonguar aplikimin e lëshimit të certifikatave për efikasitet energjetik për objektet e reja, me çka është pamundësuar puna e kontrollorëve energjetik. Deputeti Dime Vellkovski nga LSDM theksoi që ligji për efikasitet energjetik është dashur të miratohet që në vitin 2014. Ai theksoi që me miratimin e ligjit do të mundësohen edhe investime në lartësi prej 25 milionë euro në Projektin për efikasitet energjetik në sektorin publik.

Deputeti Vellkovski plotësoi që ligji është me etiketë evropiane dhe nënkupton harmonizim të legjislacionit tonë me direktivat evropiane për efikasitet energjetik.

“Nëse dëshirojmë të shkojmë në Evropë, këto janë obligimet tona”, theksoi deputeti Dime Vellkovski nga LSDM-ja.

“Meta.mk” në periudhën e kaluar ka shkruar që miratimi i Ligjit për efikasitet energjetik është parakusht themelor për reforma serioze në këtë fushë që duhet të vijojnë në periudhën e ardhshme. Hap i radhës që duhet të bëhet është miratimi i akteve nënligjore – Rregulloret për kontrolle energjetike në ndërtesa dhe tregtarë të mëdhenj dhe Rregullorja për karakteristika energjetike për ndërtesa.

Nga Ministria e ekonomisë për “Meta.mk” para një muaji kanë theksuar që të dyja rregulloret duhet të miratohen në afat prej gjashtë muajsh, nga hyrja në fuqi të ligjit të ri. Nëse ndiqet në mënyrë konzistente ligji i këtillë, atëherë aktet nënligjore do të mund të rregullohen deri në verën e ardhshme.

Petar Nikollovski, doktor i shkencave teknike nga fusha e efikasitetit energjetik, për “Meta.mk” deklaroi se parakusht për formim të Fondit nacional për efikasitet energjetik është që shteti ta miratojë Ligjin për efikasitet energjetik dhe t’i rregullojë aktet nënligjore.

Sipas dinamikës aktuale për punë, objektet e para që do t’i nënshtrohen rekonstruktimit energjetik do të jenë objektet e institucioneve shtetërore, objektet shëndetësore dhe entet komunale. Nëpërmjet kredisë nga Banka Botërore, shteti tashmë ka siguruar 25 milionë euro për rigjenerim energjetik të rreth 100 ndërtesave në nivel lokal dhe qendror në pesë vitet e ardhshme. Në periudhën që vijon do të duhet të sigurohen mjete shtesë, nëse merret parasysh fakti që Banka Botërore ka përllogaritur se Maqedonia ka gjithsej 2.441 objekte publike nën ingerencat e shtetit dhe vetëqeverisjeve lokale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button