Dhe sërish shpresojmë…

Komisioni Evropian publikoi dje Metodologjinë e re për bisedime hyrëse për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Është inkurajuese të dëgjosh se megjithatë ata nuk kanë hequr dorë nga procesi i zgjerimit të BE-së dhe se qëllim përfundimtar kanë që vendet e Ballkanit Perëndimor të integrohen në këtë union. Njëherit, kjo metodologji adreson pikërisht ato kërkesa të cilat u problematizuan disa muaj më parë nga Franca e cila kritikonte metodologjinë e gjertanishme duke e quajtur si joefektive, tepër të gjatë, burokratike, madje edhe frustruese si për shtetet që kërkojnë anëtarësim ashtu edhe për shtetet që tani më janë anëtare dhe duhet të lejojnë anëtarësimin e vendeve të reja.

A do të ndihmojë metodologjia e re që të krijohet një proces më pak frustrues i aderimit? Nuk e dimë. A është më pak i komplikuar si proces se ai që kishim më parë? Poashtu nuk mund të thuhet. Në esencë procesi i anëtarësimit në BE mbetet një proces i komplikuar dhe është normale të jetë ashtu. Ky proces mbetet një proces i gjatë, dhe ekspertët vendas thonë që do të na duhen 10 deri në 15 vjet për një anëtarësim të plotë.

Metodologjia e re e propozuar përfshin dy momente shumë të rëndësishme:

  1. Grupimi i kapitujve nëpër grupe ku për më shumë kapituj të ngjashëm do të negociohet njëkohësisht do të mundësojë një koordinim më të mirë të çështjeve që duhet të negociohen me Unionin dhe të përgatitjeve që shteti duhet të bëjë në këtë drejtim. Kjo do të thotë punë intenzive paralele të më tepër ekipeve por lehtësim është fakti që skriningjet parashihet të realizohen jo për kapituj por për grupe kapitujsh në tërësi.
  2. Momenti tjetër i rëndësishëm është se metodologjia e re propozon vendosjen e një shtylle të re që do të quhet Kredibilitet dhe e cila ka për qëllim të theksojë posaçërisht që kur vendet kandidate kalojnë me sukses një pjesë të procesit vendet anëtare obligohen që të mbajnë premtimin dhe të mundësojnë përparimin e vendit anëtar në proces në rastin kur kushtet e vendosura janë plotësuar. Faktikisht, metodologjia e re propozon tejkalim të situatës së pakëndshme me të cilën u përballëm në tetorin e vitit të kaluar e që joformalisht e quajm “vetoja franceze”. Është shumë me rëndësi parashikimi i një shtylle të tillë pikërisht për pasigurinë e madhe që u krijua në tetor, pasiguri që ndikoi shumë dhe po ndikon akoma ne kredibilitetin e BE-së dhe procesit negociues për të cilin shkak ende kemi këtë mosbesim se çfarëdo që të bëjmë, ndonjë vend tekanjoz në çdo kohë mund të fundosë ëndrrat tona për integrim.

Pavarësisht parashikimit të shtyllës se Kredibilitetit, sërish i gjithë procesi mbetet shumë konkurent dhe i vështirë, me mundësi që në çdo rast regresi negociatat të bllokohen ose tërësisht të suspendohen dhe të hiqet qasja tek fondet financiare evropiane.

Me një metodologji të tillë është më se e qartë që adresohen të gjitha çështjet e problematizuara më herët, dhe prandaj tani është shumë me rëndësi përgjigja që do të meret nga vendet anëtare të BE-së e posaçërisht nga Franca. Vallë do të ketë arsyetime të reja për mosdhënie të datës për fillim të negociatave?

Ajo që është me rëndësi është se ëndrra evropiane vazhdon, si për ne ashtu edhe për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor. Është mirë të mbahet gjallë ajo ëndër, veçanërisht kur alternativa e asaj ëndrre është një ankth i vërtetë.

Por është mirë poashtu që shtetet anëtare të BE të rikujtohen se ky union nuk është thjeshtë vetëm një bashkim tregtar, ekonomik e finansiar. Ky union për ne që nuk jemi ende aty është vendi ku sigurohen ato vlera perëndimore tek të cilat masa progresive e një vendi beson e të cilat nuk duhet për asnjë moment të merren me nonshalancë, sepse janë aq të brishta sa që nuk janë asnjëherë të sigurta pafundësisht në asnjë vend të botës. Ato vlera lidhen me lirinë, barazinë, mbrojtjen nga diskriminimi, emancipimin, diversitetin, inkluzivitetin dhe përparimin. Ato vlera janë esenca e Unionit, arsyeja e vërtetë e ekzistencës së një shteti të civilizuar. Ia vlen të shpresohet se një ditë ato vlera do të jenë edhe për ne të pakontestueshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button