Vështrim nga Brukseli: Metodologjia e re ia vë frenat zgjerimit

Në shikim të parë, metodologjia e re e Komisionit Evropian, e bërë publike më 5 shkurt, duket e arsyeshme, me shumë ide të mira.

Por, mos harroni, nëse miratohet, ajo nënkupton dy gjëra: anëtarësimi i një vendi në Bashkimin Evropian do të jetë më i vështirë se kurrë dhe shtetet anëtare të BE-së, e jo burokratët në Bruksel, do të jenë në vendin e shoferit kur të bëhet fjalë për politikën e zgjerimit të BE-së.

Në fund të fundit, është një lajm i keq për vendet e Ballkanit Perëndimor që synojnë anëtarësimin në BE, por edhe për vendet si: Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina.

Është e qartë se diçka është dashur të bëhet me politikën e zgjerimit, pas dështimit që ka ndodhur vjeshtën e kaluar.

Edhe pse Komisioni Evropian u ka rekomanduar shtetetve anëtare të BE-së që t’i japin dritën e gjelbër Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit, ndërhyrja e Francës – së bashku me atë të Danimarkës dhe Holandës në rastin e Shqipërisë – ka prodhuar një dritë të kuqe.

E njëjta gjë ka ndodhur verën e kaluar dhe një verë para saj.

Mirëpo, propozimi i ri është aty për të qetësuar vendet më skeptike të BE-së.

Ai është hartuar për më pak se dy muaj me urdhër të Francës. Ky duhet të jetë një rekord i shpejtë, marrë parasysh se Brukselit i pëlqen të mendojë gjatë për gjërat.

E vërteta është se fundi është larg dhe se vendet anëtare mund ta refuzojnë atë. Ka pasur thashetheme se disa mund ta zhagisin, në mënyrë që qëllimi i deklaruar i Brukselit për t’i dhënë dritën e gjelbër Tiranës dhe Shkupit përpara se të mbahet samiti BE-Ballkani Perëndimor në muajin maj në Zagreb, të dështojë.

Pra, çfarë është në dokument dhe çfarë do të thotë ai për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe potencialisht për Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën, në rrugën e tyre të mëtejshme?

Ai u ofron më shumë mundësi vendeve anëtare të BE-së për të monitoruar përparimin. Ka kontribute financiare të BE-së që mund të shkojnë lart e poshtë varësisht performancës dhe 35 kapitujt e negociatave do të hapen dhe mbyllen në grupe prej 6 dhe jo veç e veç siç është rasti tani.

Pika e fundit mund të duket si një ndryshim i vogël, por nuk është ashtu. Aktualisht, kapitujt hapen në mënyrë josistematike dhe kjo bën të duket se vendet kandidate janë duke bërë përparim.

Me grupe, njëri nuk do të mbyllet derisa të mos mbyllen të gjithë kapitujt. Kjo tregon qartë se zgjerimi në të ardhmen nuk do të udhëtojë në korsinë e shpejtë.

Nëse merret parasysh se me propozimin e ri mund të rihapen edhe kapitujt tashmë të mbyllur, duket qartë se Komisioni Evropian po u jep autoritet kryeqyteteve kombëtare, sidomos atyre që mund ta përdorin procesin e zgjerimit të BE-së për qëllime të brendshme.

Tash për tash është Parisi dhe në njëfarë mase Haga dhe Kopenhaga, por nesër mund të jetë dikush tjetër.

Nga cilado anë që shikoni, pengesat për t’iu bashkuar bllokut janë më të mëdha se kurrë. Një zyrtar i BE-së me të cilin kam biseduar, ka thënë se zgjerimi i madh i BE-së, më 2004 dhe 2007, që ka sjellë në bllok dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, “ndoshta nuk do të ndodhte kurrë në këto kohë të reja”.

Një aspekt tjetër interesant është se në cilat shtete do të aplikohet kjo metodologji.

Serbia dhe Mali i Zi, që tashmë i kanë nisur negociatat e anëtarësimit me BE-në, nuk do të preken. Komisioni Evropian ka thënë se do të ishte gabim ndryshimi i rregullave të lojës derisa loja vazhdon. Por, ato mund të përfshihen në të vetëm nëse duan.

Turqia, e cila ka ngecur në negociatat e saj me Brukselin tash e sa vite, as që përmendet në metodologjinë e re.

Shumë vende në fqinjësinë evropiane ndoshta duan të përfshihen në këtë metodologji, pasi ajo së paku ofron një rrugë – edhe pse mjaft të vështirë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button