VV kërkoi të dëshmojë Veseli për vdekjen e Deharit

Energjitë e partisë më të madhe opozitare, PDK-së, duket se do të përqendrohen në një drejtim: inicimin e komisioneve hetimore parlamentare.

Pak ditë pasi ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, foli për një të tillë, përmes një komunikate të martën, PDK-ja paralajmëroi edhe një tjetër: këtë herë për rastin e Astrit Deharit, raporton KTV.

“Për këtë rast, duhet të shkojë dikush në burg; ose Albin Kurti, ose nomenklatura e atëhershme e pushtetit, një pjesë e së cilës është edhe sot në koalicionin qeverisës”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e partisë së Kadri Veselit.

KTV-ja gjatë tërë ditës ka tentuar të marrë një prononcim nga kjo parti lidhur me mënyrën se si planifikohet të procedohet me këtë nismë, por të njëjtit nuk kanë pranuar të deklarohen para kamerës.

Me një përgjigje të shkruar ia ka kthyer edhe Vetëvendosje, duke ia kujtuar ish-kryetarit të Kuvendit, Veseli, një deklaratë që e kishte bërë afro një javë para se Astrit Dehari të gjendej pa shenja jete në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

“Deklarata e PDK-së në lidhje me pretendimet se ata do të kërkojnë hetim parlamentar për rastin e Astrit Deharit shpreh një qasje hipokrite. Siç duket, z. Veseli po mendon se kërcënuesi dhe paralajmëruesi i vrasjes, qenka personi më i përshtatshëm për ta hetuar atë. Qytetarët e Kosovës nuk e harrojnë që para se të ndodhte krimi në Burgun e Prizrenit, ndodhi kërcënimi për ‘vetëvrasje’ nga foltorja e Kuvendit. Hetim do të ketë, dhe do të jetë vërtet i pavarur. Kjo çështje do të zbardhet deri në fund dhe përgjegjësit do të vendosen përballë drejtësisë. Askush që është i pafajshëm nuk ka nevojë të shqetësohet. Por fajtorët bëjnë gabim nëse mendojnë se ‘mbrojtja më e mirë është sulmi’”, ka thënë Zyra për Media e LVV-së.

Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e sheh të panevojshëm një komision brenda Parlamentit, përderisa hetimet për vdekjen e Astrit Deharit është duke i bërë Prokuroria Speciale.

Por, Gashi, thotë se i pari i PDK-së, vetëm së voni ka filluar t’i referohet rastit si vrasje, dhe është i mendimit se Prokuroria Speciale duhet ta ftojë si dëshmitar.

Disa ditë para votimit të kabinetit të ri qeveritar, Abelard Tahiri i PDK-së, paralajmëroi se do të iniciojnë një komision hetimor parlamentar për lidhjet e Vetëvendosjes me “Syrin e Popullit”.

Për këtë shkak, kërkuan disa herë edhe dorëheqjen e Glauk Konjufcës nga posti i kryetarit të Kuvendit, para se ai të ndërronte pozitën me atë të ministrit të Punëve të Jashtme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button