Mbi një roman të panjohur prej një shkrimtari të harruar

Në Bibliotekën Kombëtare të Polonisë ruhet romani i panjohur për shqiptarët. “Arritja e përgjakur – një histori nga jeta shqiptaro – maqedonase” është shkruar nga shkrimtari i harruar polak Walery Wacław Wołodźko (1831 – 1904). Ai u botua me vazhdime në revistën “Tygodnik Ilustrowany”, në vitin 1883. Si vepër e plotë u botua në Varshavë, në vitin 1884. [Wacław Koszczyc, Krwawy dorobek. Powieść z życia albańsko – macedońskiego, “Tygodnik Ilustrowany”, 1883, v.2, nr 27-44 dhe Varshavë, 1884]

Shkrimtari Walery Wołodźko, që njihet me pseudonimet Sahi – bej dhe Wacław Koszczyc, ishte veprimtar politik, inxhinier dhe pjesëmarrës në luftën kombëtare e çlirimtare polake kundër rusëve. Në Turqi, ku e fitoi statusin e emigrantit, punoi si inxhinier rrugësh. Ai ka botuar librat: “Lindja. Nga Stambolli në Andorrë”, 1874; “Puna e Sizifit”, roman, 1876; “Të zgjedhurit e fatit”, roman, 1882; “Harmonia hyjnore”, roman, 1882; “Arritja e përgjakur – një histori nga jeta shqiptaro – maqedonase”, 1893, roman; “Nga fshehtësitë e Lindjes”, piktura dhe skica, 1886 etj.

Ngjarjet në këtë roman, ku flitet për luftën e përbashkët të kryengritësve shqiptarë dhe maqedonas kundër pushtetit osman, zhvillohen në Dibër, Edesa dhe Manastir, përgjatë vitit 1865. Fillimisht, dy udhëheqësit shqiptarë: Emin bej Hoiko, mysliman nga Mirdita dhe kapedan Vlatko (Wlatko), katolik i fisit kelmendas, shkojnë në Stamboll për të kërkuar lirimin e krerëve shqiptarë të burgosur nga valiu i Manastirit. Ata e sigurojnë fermanin e sulltanit për lirimin e krerëve, por dy të rinjtë kanë tjetër ideal: çlirimin kombëtar. Ky ideal, sipas tyre, mund të realizohet vetëm kur shqiptarët do t’i tejkalojnë ndasitë fisnore dhe do të udhëhiqen sipas kryefjalës: “Një Zot, një diell, një popull shqiptar”.  

Shqiptarët bëjnë pakt bashkëpunimi me kryengritësit maqedonas, që sipas autorit janë bullgarë. Ata udhëhiqen nga Kosta Miladinovicz apo Kosta kapedani, që merr urdhra prej një komiteti të Bukureshtit, në krye me Jerzy Rakowskin. Kryengritja udhëhiqet nga shqiptari Sulejman Arsllani, që më pas vritet. Të dy palët kanë përplasje edhe me grekët, që përfaqësohen nga konsulli i Manastirit, Themistokle Tidrokakisi. Konsulli me ide panhelene luan lojë të dyfishtë dhe i dekonspiron kryengritësit tek autoritetet turke. Viktimë bëhet edhe kapedan Kosta. Disa studiues thonë se autori aludon në Konstantin Miladinovin, që vdiq në burg së bashku me vëllanë e tij Dhimitrin. Pjesëmarrës janë edhe përfaqësuesit e shteteve perëndimore, që i ndihmojnë kryengritësit.

Në roman ka romantikë, ekzotikë dhe sentimentalizëm. Aty përshkruhen përjetimet e dashurisë së Kostës me Elenkën dhe Emin – Beut me Rozinën (Rozynën), një vashë polako – italiane. Dy luftëtarët shfaqen edhe si shpëtimtarë të tyre. Elenka adhurohet nga kajmekami, i cili e dëshiron në haremin e tij, kurse Rozina adhurohet nga konsulli grek, që i kërkon martesë, por refuzohet, sepse e dashuron Emin Beun, të cilit i ka qëndruar pranë kur ishte i plagosur. Elenka, për shkak të paragjykimeve, nuk arrin ta pranojë që një e krishtere ta dashurojë një mysliman, por më pas e ndryshon qëndrimin. Për Rozinën tjetër është dashuria dhe tjetër gjë përkatësia fetare dhe kombëtare. Për shkak të dashurisë ajo nuk largohet nga Shqipëria, madje punon me dashuri e përkushtim për këtë vend. Ajo dhe Emin Beu shkojnë në Romë, ku shqiptari, pasi arsimohet, kthehet në atdhe si politikan dhe e udhëheq lëvizjen shqiptare.

Shqiptarët paraqiten të fisëm dhe të guximshëm, përveç disa luftëtarëve toskë që trajtohen si aleatë të osmanëve. Emin Beu, Vladko dhe Sulejman Arsllani janë të bukur, të fisëm, të dashur dhe të gatshëm që të sakrifikojnë gjithçka për lirinë e vendit. Ngjashëm paraqiten edhe kryengritësit maqedonas. Kapedani Kosta është i bukur, idealist, hero i paepur, njeri i ditur, që rrëfen histori për Skënderbeun, për mbretin Marko ose për betejën e Kosovës. Miku i tij i ngushtë Pushka (Puszka) është luftëtari besnik. Elenka, e dashura e Kostës, është e brishtë, e bukur, e zgjuar dhe besnike. Pas vrasjes së Kostës ajo mbyllet në manastir. Ndryshe është tregtari Petko. Ai punon për karrierë e pasuri dhe bashkëpunon me autoritetet osmane, që identifikohen me Hysein (Hiussejn) Pashën. Osmanët paraqiten si të etur për pushtet. Grekët, që identifikohen me konsullin Temistokli Toprakakisin dhe me priftin e Manastirit, janë dinakë, panhelenë, urrejtës të gjithçkaje që nuk është greke dhe e duan Ballkanin nën kontrollin grek. E tillë është edhe kontesha Fermantini, me gjak grek. Perëndimi paraqitet nëpërmjet konsujve të Francës (De Balague), Italisë (konti Fermantini, me gjak polak), atit misionar Le Pavec, të cilët e përkrahin përpjekjen për liri të popujve të shtypur. Gjithashtu edhe nëpërmjet Bolko Beut dhe Rozinës, që janë mendjehapur dhe shpirtra të lirë. Shkrimtari identifikohet me personazhin e Bolko Beut, një inxhinier polak që e përkrah luftën çlirimtare të të dy popujve.

Në roman përshkruhen traditat e dy popujve dhe qytetet ku zhvillohen ngjarjet. Shkrimtari flet për Kanunin apo vallen me shpata. Përmendet Dibra, Shkodra, Manastiri, Mali Sharr (Czar Planiny), Velesi etj. Studiuesit bullgarë kanë shkruar se në këtë vepër shqiptarët paraqiten më me besnikëri se sa bullgarët. Në këtë roman përdoren shumë orientalizma, sikurse: kief (qejf), bashçaush, alafranga, evlia, teskire (pasaportë), kilise sokak (rruga e kishës), milet, ferman, bimbash, vilajet, zaptije, musafir odassi etj. Për shqiptarët përdoren format: albańsko, skipetari, skipetarzi ose arnautek. (Referencat janë hequr)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button