BUMERANGU

Tradita jonë  ka kërkuar të vendosë njëfarë rendi në marrëdhëniet që kemi me natyrën. Pas përvojës mijavjeçare populli ynë ka ardhur në përfundim se duhet të jemi të kujdesshëm, sepse në natyrë asgjë s’është e rastësishme dhe çdo gjë është në shërbim të jetës e çdo gjë ka një “mision”.  Çdo gjë është e çmuar. Në çaste kur jemi lezherë, në dilema të thella, mirë është të na kujtohen stuhitë dhe fatkeqësitë elementare dhe shkretërimin që lënë pas vetes ato.

Populli ynë ka qenë i kujdeshëm në të kaluarën. Çdo shpresë jona, çdo gëzim, të gjitha ëndrrat për të ardhmen mbështeten në harmoninë e natyrës, në baraspeshën që ka ajo. Natyra është themeli ku e kalojmë jetën, ku e ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tonë. Luhatja e harmonisë së saj dhe, eventualisht, edhe të ndonjë  fatkeqësie,  neve na qet para një situate me shumë pikëpyetje që japin shenja të zeza për ne. Gabimet tona po të shkojnë një hap përpara, edhe natyra do të na përgjigjet me një hap vërejtjeje, të cilin duhet ta kuptojmë se duhet t’i hapim sytë, se nuk duhet ta keqpërdorim atë. Nëse i shtojmë hapat tonë me gabime, natyra do t’i dyfishoja hapat e saj me vërejtje, të cilat nuk do të jenë fare të këndshme.

Kujdes, pra. Neve nuk na duhet ky dyluftim, nuk na duhet të sillemi me papërgjegjësi. Natyrën me gjithë çka ka ajo në brendinë e saj, bimë, zogj, kafshë, male, fusha, ujra, të gjitha këto, duhet ta ruajmë. Të gjitha këto e përbëjnë znixhirin e jetës sonë. Natyra është pasuria jonë e vetme. Veç kësaj nga kjo “mosmarrëveshje” me natyrën ne gjithmonë do të dalim humbës.

Në të kaluarën njeriu ynë është kujdesur për zogjtë, për kafshët, për kandrat, për drurët, për ujërat e për ajrin, për fushat e për malet. Njeriu ynë ka qenë zemërgjerë kur natyra ka pritur  që ai t’ia zgjasë dorën e ndihmës, dorën që jep. Nuk ka bërë vaki që ndër ne të vriten flutura, t’u thyhet samari breshkave, të hidhen mbeturina e helme në përrua. Përkundrazi, njeriu ynë s’e ka shkelur as mizën. Prandaj edhe natyra ia ka kthyer njeriut me shumë të mira. Sepse kemi pasur një “marrëveshje” të heshtur me nënën natyrë që çdo gjë të bëhet e të jetë me masë. Pra mos të teprohet. Po të ruhet harmonia si ligj i natyrës.

“Biro, mos e prej drurin e njomë, se gjynah është. Preje drurin e thatë, sepse i njomi rritet. Edhe druri ka shpirt”… Pastaj: “Plehun mos e hidhni pranë përrenjve se duhet të pinë ujë kafshët e egra”… Pastaj: “Mos i hidhni thërrmijat në vijë, po i hidhni ku mblidhen zogjtë, kujdesuni e mos i mblidhni krejt kokrrat e drithit prej lëme, sepse ato janë nafaka e zogjve”… “Mos, mos, mos…”.

Ishin këto thirrmat e atyre që e dëgjonin jehonën e përmbytjes biblike, e cila në fakt është vërejtja më e madhe e natyrës ndaj mosrespektimit të “marrëveshjes së heshtur” të njeriut me të.

Së këndejmi ta dëgjojmë e t’i përgjigjemi thirrjes së lashtë të nënës natyrë që njeriu të ketë raporte barabarësie me të. Ndoshta nuk është vonë, ndonëse duket qartë se e kemi shkelur këtë marrëveshje të heshtur dypalëshe “të hartuar” me mileniume e mileniume.

Këto ndryshime të klimës janë vërejtja e parë se ne me veprimet tona kemi bërë disa hapa me gabime. Prandaj mos ta provokojmë më shumë natyrën. T’i ruajmë lumenjtë tonë, si i kanë ruajtur të parët tonë për ne. T’i ruajmë malet, bjeshët, fushat, liqenët dhe ujrat në përgjithësi. T’i ruajmë kafshët, kandrat zogjtë. Drurët, blerimin dhe atë botë që s’e sheh syri ynë.

Në të kundërtën do të përballemi me përgjigjen e pakëndshme të natyrës. Sepse atë që ia bëjmë ne asaj do të na kthehet si bumerang. Këtë nuk e meritojnë gjallesat e kësaj bote. Fundja kush jemi ne t’u marrim shpirtrat atyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button