Një adoleshente franceze nxiti debat për blasfeminë në Francë

Një adoleshente nxiti debat rreth blasfemisë në Francë, pasi në një postim në Instagram ajo e quajti Islamin “fe e urrejtjes”.

Mila, 16 vjeçe, i postoi komentet e saj online, pasi mori komente homofobike nga një komentues mysliman.

Ajo po ashtu u kërcënua me vdekje dhe ndaloi së shkuari në shkollë.

Megjithatë, ajo nuk u tërhoq dhe në intervistën e parë televizive tha se “dëshiron të shajë”, raporton BBC.

Mila, më pas, e çaktivizoi llogarinë e saj në Instagram, transmeton REL.

Postimi i saj shkaktoi debat të madh në Francë për lirinë e shprehjes.

Ky vend nuk ka ligje për blasfemi dhe ka kushtetutë laike.

Policia fillimisht hapi dy palë hetime: i pari – nëse Mila është fajtore për gjuhë të urrejtjes dhe i dyti – kundër sulmuesve të saj online.

Policia i pezulloi hetimet e para, pasi, siç tha, Mila shprehu një opinion personal për fenë dhe nuk sulmoi individë.

Të martën, ministri i Brendshëm i Francës, Christophe Castaner, tha në Asamblenë Kombëtare se Mila dhe familja e saj janë nën mbrojtje të policisë.

Polemika filloi më 18 janar, pasi Mila bëri një transmetim të drejtpërdrejtë në llogarinë e saj në Instagram. Pasi foli për seksualitetin e saj, ajo u quajt “lezbike e pistë” nga një komentues mysliman.

Në përgjigje, Mila bëri një postim për Islamin duke thënë: “E urrej fenë. Kurani është fe e urrejtjes”.

Kritikët thanë se komentet e saj ishin fyese.

Disa i dërguan kërcënime me vdekje, ndërsa të tjerë i postuan informacionet e saj personale në internet.

Kreu i Këshillit Francez të Besimit Mysliman, Mohamed Moussaoui, tha se asgjë nuk i justifikon kërcënimet me vdekje, pavarësisht se sa serioze ishin postimet e Milas.

Ministrja e Drejtësisë e Francës, Nicole Belloubet, tha se kërcënimet me vdekje ndaj adoleshentes janë “të papranueshme”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button